Nga liberalizimi i vizave, te ngecja e hapjes së negociatave

Oct 18, 2019 | 12:31
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPëllumb Nako/ Ndryshe nga klasa jonë politike, e cila thuajse rregullisht e politizon procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, diskutimi i Presidentit francez Macron gjatë konferencës së shtypit me Kancelaren Merkel, i shpalosi publikut argumente mjaft teknike si motiv për refuzimin që po i bëhej Shqipërisë në hapjen e negociatave.

Si në raport me Shqipërinë dhe në raport me vetë brendinë e Unionit, argumentet e tij ishin tërësisht me karakter praktik. Një paraqitje faktesh, për fat të keq, në disfavor të vendit tonë, por të qarta si drita e diellit.

Vetëm në disa fjalë, për disa minuta, Presidenti bëri konkluzionet e disa gabimeve të qeverisjes së vendit tonë që nga viti 2013 e më pas. Gabime shqiptare këto, që Kryetari i Shtetit francez i paraqiti edhe si mangësi të Komisionit Europian në vendosjen e kritereve dhe detyrave ndaj shteteve aspiruese për hyrë në Bashkimin Europian.

Thelbi i filozofisë së Presidentit Macron ishte i thjeshtë. Nëse Brukseli, pra, Komisioni Europian, i ka dhënë disa detyra Shqipërisë dhe ajo i ka realizuar, nuk është rasti që vendi të pranohet automatikisht për hapjen e negociatave. Realizimi i detyrimeve në fjalë, sigurisht është ndërtim i një standardi. Një më shumë për vendin, krahas atyre të arritura vite më parë. Por kjo nuk do të thotë që standardet e mëparshme të shkatërrohen. Muri nuk mund të qëndrojë dot në këmbë nëse i shton tullat sipër dhe ia heq ato poshtë në themel. Kështu, ai rrëzohet. E njëjta gjë edhe për standardet e ndërtesës së integrimit.

I gjithë stërmullari i argumenteve të Presidentit Macron, pra, ishte, pikërisht abuzimi me liberalizimin e vizave. Rritja e pajustifikueshme e kërkesave për azil në këtë vend. Madje, aq i rëndësishëm u konsiderua prej tij arritja e standardit të liberalizimit të vizave në procesin e aderimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, sa që e quajti të çuditshëm faktin e dhënies të së drejtës për qarkullimin pa viza shqiptarëve dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor para hapjes së negociatave. Problem, për të cilin Presidenti kërkoi të qëndrohet, të reflektohet dhe të gjendet një zgjidhje më e përshtatshme.

Dhe pikërisht për këtë pikë kaq delikate, tepër të rëndësishme për shqiptarët dhe e ndjeshme për vendet europiane, siç është liberalizimi i vizave, qeveria aktuale refuzoi të kujdeset. Në asnjë rresht të shkruar, në asnjë fjalë të thënë publikisht, Kryeministri nuk e ka përmënuar asnjëherë as emigracionin ilegal, as dënimin e fenomenit të abuzimit të shqiptarëve nëpërmjet kërkesave për azil. Aq më tepër kur vendet e Bashkimit Europian dhe sidomos Franca po kalonin dhe po vazhdojnë të jenë në një moment të vështirë në përballjen me azilkërkues të shumtë nga vatrat e nxehta të konflikteve në Azi e vendet arabe. Pikërisht në këtë situatë të rëndë europiane, vendi ynë që kishte kryer detyrat për hapjen e negociatave, në këto momente zë pozicionin e dytë për kërkesat e azilit në Francë. Është pikërisht ky fenomen, që ndëshkoi qeverinë dhe, në fakt, ndëshkoi mbarë vendin.

Pra, ndryshe nga Holanda, e cila kërkoi anulimin e qarkullimit pa viza të shtetasve shqiptarë në hapësirën Shengen për shkak të abuzimit me të nga shtetasit shqiptarë, Franca, për të njëjtin motiv, kërkoi bllokimin e hapjes së negociatave me vendin tonë. Pra, dy vendet kanë dhënë dy zgjidhje të ndryshme për të njëjtin shqetësim. Për abuzimin me vizat.

E përqendruar në Reformën në Drejtësi dhe duke e konsideruara atë si kyçin i hapjes së negociatave, qeveria nuk u tregua aspak e përgjegjshme për të mbajtur të paprekur standardin e krijuar nga ana e opozitës aktuale, e cila mundësoi liberalizimin e vizave. Fakti nuk u vlerësua prej saj, megjithëse kambanat e alarmit kishin filluar të binin herë nga një vend e herë nga një tjetër. Gjithmonë të shqetësuar për abuzimin me lëvizjen pa viza.

E para Holanda. Pas disa paralajmërimeve që u kishin bërë autoriteteve tona, ajo vendosi të përdorë mekanizmin e kthimit të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.

Si veproi qeveria për të administruar këtë problem? Fillimisht, një ambasadore gjuajti me top në ekranet televizive, pikërisht Holandën, ku kishte detyrën për të bashkëpunuar me autoritetet e këtij vendi. Qëndrimin e saj të papërgjegjshëm, sigurisht të shtyrë nga lartë, e ndoqën disa krerë të lartë të politikës së majtë qeverisëse. Ata i vunë në dukje autoriteteve holandeze, se kriminaliteti shqiptar në këtë vend ishte shumë më i ulët nga ai polak dhe nuk duhet të përbënte shqetësim për publikun e këtij vendi. Pra, me fjalë të tjera, pretendimi i autoriteteve holandeze ishte i kotë. Për nismën e politikanëve holandezë ata fajësuan liderin e opozitës.

Stafetën e të dyve e vazhdoi Kryetari i Parlamentit me letrën e tij me nota patriotike të dhembshurisë dhe krenarisë për vendin e tij dhe stigmatizuar atdheun e holandezëve. Ende pa u tharë boja e letrës së Kryeparlamentarit, ende pa u përtypur nga autoritetet, të cilave u dërgohej, pasoi letra e deputeteve nëna. Ndryshe nga Kryeparlamentari, ato lëvduan me nota tepër të larta arritjet e Holandës. Pra, atë çka kishte sharë kryetari dhe ambasadorja. Në media filloi një sulm masiv. U përmend edhe një kolonel që ishte vrarë në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore. Pra, faji i Holandës dhe ekstremistëve ksenofobë të saj.

Kambanave të alarmit për azilkërkimin i ra edhe Franca. Dy vite më parë, më 2017, ministri i saj i Brendshëm, Kolomb, erdhi posaçërisht për këtë problem në Tiranë. Pra, për fenomenin, i cili u bë pengesë që Franca të japë dakordësinë e saj në hapjen e negociatave me vendin tonë. Ai erdhi për të gjetur mjetet dhe mënyrat e parandalimit të fluksit azilkërkues në Francë. Madje (e kam shprehur disa herë në shkrime), për të ndihmuar autoritetet tona, ato franceze morën në vendin e tyre edhe katër oficerë të Policisë shqiptare me qëllim frenimin e fenomenit. Çfarë bëri vendi ynë? Autoritetet tona? Asgjë reale. Ministrat morën poza, u bë propagandë për miqësinë midis dy vendeve dhe në fund gjithçka u vulos me atletet e Kryeministrit. Por njerëzit vazhduan të largohen. Vazhduan të abuzojnë me lirinë e qarkullimit, duke kërkuar azil. Numri i tyre edhe këtë vit u rrit.

Në disa njoftime të dhëna në media, u theksua edhe fakti se shteti spanjoll gjithashtu kishte rezerva lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Rastësi ose jo, por të tria shtetet, Holanda, Franca dhe Spanja kanë qenë shtete, të cilat kanë pasur shumë hezitime për të pranuar liberalizimin e vizave për shqiptarët. Në ato vite, në vendin tonë zbarkuan senatorë e parlamentarë të shumtë francezë për të parë arritjet e organeve kompetente në fushën e sigurisë. Po ashtu, edhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, sot lider i opozitës, shkoi personalisht në Holandë dhe në Spanjë për t’u paraqitur atyre arritjet dhe garancitë e vendit me këtë rast. Nëntë vite më parë ata ishin hezitues, por e hodhën hapin pozitiv.

Ndërkohë, qeveria është në kërkim të armiqve. Duke i vënë gishtin sidomos opozitës si shkak i imazhit të keq të Shqipërisë në Europë. Edhe këtë pikë, sigurisht pa dashur dhe indirekt, Presidenti Macron e sqaroi mjaft qartë. Ai nuk renditi në arsyet e refuzimit të Francës ndonjë faktor të lidhur me opozitën, por faktin e abuzimit me liberalizimin e vizave nga shtetasit shqiptarë. Pra, thelbi është i thjeshtë: atë standard që realizoi opozita aktuale për liberalizimin e vizave për Shqiptarët, qeverisja nuk e mbajti dot, e shkatërroi. Ky shkatërrim solli bllokimin e integrimit të vendit. Dështimin e radhës në hapjen e negociatave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura