Nga lavdia për Skënderbeun, te “amerikanë shporruni nga Vietnami”, studiuesi i artit, Shima: Historia e propagandës me posterat

Mar 31, 2021 | 14:17
SHPËRNDAJE

167389077_2890422881201305_7627004853665120247_n

ALMA MILE

Një përzierje tundimesh e çoi drejt një libri. Nuhatja e koleksionistit, këmbëngulja e kërkuesit, skrupoloziteti i studiuesit… U deshën më shumë se dhjetë vjet deri në publikim. Gjithnjë dilte diçka e re, që hapte një dritare tjetër dhe dukej sikur gjetja e materialeve sa në arkiva apo në koleksione private të qe kthyer si në një “gjueti thesari”.

E pas 10 vitesh, studiuesi i artit, Rubens Shima, publikon librin “Posteri Shqiptar-Një histori e shkurtër e imazhit të propagandës”, një botim që gjeti mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Një libër, i pari në llojin e vet në Shqipëri, një hulumtim në historinë e një zhanri, më i shfrytëzuari nga politika, pavarësisht regjimeve, prej fillimit të shek. XX deri në rrëzimin e diktaturës komuniste.

Momenti i parë kur e merr librin ndër duar, shoqërohet nga një lloj mahnitjeje, nga një “goditje” me të parën, që kur sheh kopertinën, në të cilën, jo pa qëllim është përzgjedhur një poster i periudhës së komunizmit, ku rreshtohen tre “roje” të popullit, një ushtar, një marinar, një pilot, të cilët duken si klone me rroba të ndryshme.

166610917_2890422831201310_5021089861761133333_n

E më tej brendia, që nis me endjen e një filli historik, për të cilin njohuritë tona kanë qenë tepër të mangëta. Materiali i marrë në analizë zë fill që në krye të shekullit, në sprovat e para e disi naive, për të vijuar me monarkinë, fashizmin, nazizmin e në fund, periudha më e gjerë: ajo e diktaturës komuniste.

Autori nuk bën thjesht një paraqitje panoramike të çdo periudhe, por krahason tema, figura, simbole, tekste, na jep informacion mbi teknikat dhe autorët, shumë syresh mbetën anonimë apo u harruan, të tjerë qenë emra të njohur si Safo Marko, Ksenofon Dilo, Zef Shoshi etj.

Nuk i kursen notat ironike që e bëjnë librin të këndshëm për t’u lexuar jo vetëm për studiuesit e zhanrit, por edhe politologë, studentë e kushdo që ka kuriozitet për të ditur më shumë jo vetëm mbi posterin në territorin shqiptar, por edhe mbi propagandën.

PROMOVIMI

167298087_2890422804534646_652928943929115786_n

“Posteri Shqiptar-Një histori e shkurtër e imazhit të propagandës” u promovua dje në Ministrinë e Kulturës. Duke falënderuar autorin që kërkimin e tij shumëvjeçar dhe imazhet e koleksionit të tij privat i ndau me publikun, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u ndal te rëndësia e këtij libri, i cili shkon përtej imazhit.

“Kur përmendet fjala propagandë, të gjithëve në mënyrë të menjëhershme na shkon mendja te regjimi komunist, por ashtu si ky libër na rrëfen, kjo periudhë nuk është veçse një segment në historinë e këtij fenomeni, ndaj edhe ky botim merr një vlerë të dyfishtë, jo thjesht sepse na zbulon ca imazhe, që nuk e kemi ndeshur më parë, pjesë koleksionesh private, apo ‘fshehur’ në arkiva të ndryshme, por sepse përmes posterit zbulon historinë njëshekullore të propagandës në Shqipëri.

Publikimi i imazheve nuk është një qëllim në vetvete, por kthehet në dëshminë sesi politika e ka shfrytëzuar këtë zhanër si mjet propagande dhe ajo që është interesante dhe mendoj thelbësore në këtë libër-album, është migrimi i temave dhe imazheve nga një regjim në tjetrin, se si ato janë përvetësuar nga regjimet pasardhëse dhe thjesht kanë ndryshuar personazhet apo janë sofistikuar me kalimin e viteve”, thotë Margariti, teksa thekson faktin se çdo regjim është përpjekur të zhdukë gjurmët e pararendësit, ndonëse i ka përvetësuar mjetet e shprehjes.

Sipas studiuesit Rubens Shima, libri është një punë kërkimore disavjeçare rreth posterit të propagandës në Shqipërinë e shekullit XX.

“Fatkeqësisht, posterat kanë pasur një jetëgjatësi shumë të shkurtër, shumë prej tyre kanë humbur përgjithmonë bashkë me ideologjitë që i frymëzuan ata, një pjesë e mirë e tyre janë asgjësuar si pasojë e ndryshimeve të herëpashershme të koniunkturave politike të regjimit diktatorial, duke i bëre ata të panevojshëm.

Premisa e këtij libri është analizimi i ikonologjisë, traditës së imazhit që gjendet pas një posteri, si edhe pikasja e ndryshimeve të ndodhura në këtë traditë, të ardhura si pasojë e ndryshimeve ideologjike në Shqipërinë e shekullit XX”, thotë ai.

Ky prezantim libri u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi me gazetarët mbi etikën, estetikën, gjuhët e reja bashkëkohore, që kanë zëvendësuar prodhimet e tipografive.

LIBRI

167174253_2890422744534652_8361145909580128516_n

Siç sqaron edhe autori, libri trajton fillesat e posterit në Shqipëri si një model komunikimi masiv, si edhe evoluimin e tij në sistemin e informacionit. “Pavarësisht se fokus kryesor hulumtimi në këtë libër është posteri i propagandës gjatë regjimit diktatorial, historiku i këtij zhanri piktorik në Shqipëri është shumë më i hershëm.

Ndaj, një paraqitje në kronologji historike e posterit të propagandës na ndihmon të zbulojmë dhe kuptojmë konceptimin, zhvillimin e formës dhe ndikimin që pati ky zhanër mbi publikun, për të cilin ishte krijuar”, thotë Shima.

Sipas tij, pothuajse i tërë koleksioni i posterave të përdorur në këtë libër është i panjohur dhe i pabotuar më parë. Libri përmban 250 ilustrime posterash nga vitet 1905–1990, të cilat gjenden në koleksione të ndryshme private, brenda dhe jashtë vendit, në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin Qendror Shtetëror.

“Posterat e përzgjedhur për botim janë shembuj të shkëlqyer të këtij zhanri të veçantë piktorik, këtij mediumi masiv që synonte të përhapte dhe indoktrinonte njerëzit me ideologjitë e ndryshme të shekullit të XX”, thotë ai.

Parë nga një distancë prej disa dekadash, çka të krijon mundësinë për të analizuar në mënyrë të ftohtë, autori heq paralelet mes periudhave, se si nisin e shfrytëzohen simbole kombëtare, se si krijohen stereotipa me imazhe kafshësh, se si kafshët “grabitqare” përfaqësojnë gjithnjë “armikun”, se si edhe kafshët janë ndarë në “të mira” e të “këqija”: ariu, ujku, merimanga janë gjithnjë “armiqtë”, veçse armiku ndërron gjithnjë kostum, herë është amerikan e herë sovjetik.

Por më së shumti autori ndalet te “replikimi”, përdorimi i imazhit të Skënderbeut nga të gjitha regjimet. Kanë dashur të jenë “shokë” me të, që nga Princ Vidi, te Mbreti Zog, Viktor Emanueli, Duçja e Enver Hoxha.

Të gjithë me një qëllim: legjitimitetin e “fronit”, pushtetit, vijimësisë. Për lehtësi studimi, por edhe për të kuptuar më mirë tendencat që gjallonin në periudha të ndryshme, teksti është i ndarë në disa nënndarje. “Posteri i fillimshekullit XX, 1900–1928”, i cili kryesisht trajton riimagjinimin e figurës së Heroit Kombëtar, Skënderbeut, simboleve dhe emblemave të tij.

“Posteri gjatë monarkisë, 1928-1938”, i cili, veç përhapjes së imazhit të autorizuar të sovranit, shfaq edhe elemente të kulturës perëndimore, si posteri i joshjes reklamuese apo thënë ndryshe posteri komercial.

“Posteri gjatë fashizmit, 1939-1943”, periudhë gjatë së cilës, sipas autorit, “krijohen edhe konstruksionet e para propagandistike apo njohur ndryshe si klishetë e paraqitjes; ushtari fashist që mbron dhe sakrifikohet për lavdinë e ‘Romës së re’, fshatari në fusha të begata, portreti i Duçes e kështu me radhë. Në këtë kohë, posteri vihet plotësisht në shërbim të politikës, me qëllim përhapjen e ideologjisë fashiste dhe imazhit mburravec të fuqisë ushtarake italiane”.

“Posteri i viteve 1943–1944”, ku autori ndalet në mënyrë të veçantë, pasi sipas Shimës është një periudhë e pastudiuar dhe e pashfaqur më parë.

“Në këto vite, forcat rivale që synonin pushtetin e pasluftës përdorin me efikasitet posterin politik apo thënë ndryshe posterin agjitativ, duke portretizuar anasjelltas imazhin negative të armikut. Antibolshevizmi është një konstante në tematikën e posterit të këtyre viteve”. Periudha e fundit dhe më e gjata është “Posteri i propagandës gjatë regjimit diktatorial, 1945–1990”.

“Krijimi i shtetit të ri, rikrijimi i historisë, simboleve, festave, zhvendosjet politike, të ndodhura në këtë epokë, si edhe ndikimi jugosllav, por mbi të gjitha ai sovjetik dhe kinez, lanë gjurmë në zhvillimin e formave të posterit në Shqipëri. Imazhet e këtyre viteve janë të populluar me fshatarë, ushtarë, punëtorë, të rinj në poza teatrale, të pamoshë, që betohen për besnikëri ndaj kauzës komuniste dhe bindje absolute ndaj udhëheqësit dhe partisë”, shprehet autori.

“Fare pak janë ruajtur nga posterat e dikurshëm fytyrat e lumtura të pikturuara me ngjyra të ndezura të fshatarëve, punëtorëve, intelektualëve dhe studentëve janë zbërdhulur tok me imazhin androgjin të ‘njeriut të ri’ dhe peizazhin  panoramik të arritjeve të Shqipërisë socialiste.

Sot, era dixhitale nuk ka më nevojë për tipografi, për afishime në hapësirat publike, për piktorin, për zejen e posterit; televizioni, fotografia dixhitale, rrjetet sociale janë ‘toka e re’ e betejave propagandistike”, na thotë Rubens Shima, duke lënë gjithsesi një derë të hapur për të hulumtuar më tej në këtë tokë, të vjetër e të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura