Nga kush do ta mbrojë Hungarinë Kryeministri i saj?

Apr 20, 2018 | 11:57
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Zgjedhjet e fundit në Hungari i sollën pesëdhjetekatër vjeçarit Viktor Orban mandatin e tretë për kryeministër. Partia e tij, Fidesz, do të ketë 134 vende në Parlament nga 199 të numrit të përgjithshëm të tij. Ajo siguron kështu dy të tretat e vendeve në Parlament, duke lënë shumë prapa nacionalistët e Jobbik, të cilët morën 20 për qind të votave apo socialistët me rreth 11 për qind.

Pas tetë vjetësh rresht si kryeministër, pa folur që në këtë karrige ka qenë dhe më parë, në vitet 1998-2002, Viktor Orban do të jetë sërish në krye të ekzekutivit. Protestat e dy ditëve më parë të mijëra përfaqësuesve të opozitës për të kërkuar rinumërimin e votave të zgjedhjeve, me slogane si “Viktator”, emri i shndërruar i kryeministrit dhe që pritet të vijojnë në fund të kësaj jave, nuk e zbehin aspak fitoren e Orbanit. Aq më tepër kur mendon që përballë ka një opozitë thuajse të çorientuar dhe me një të majtë gati të shkrirë.

Socialistët vetëm emrin kanë të tillë. Partia “Koalicioni Demokratik”, ardhur prej tyre, duke pasur në krye ish-Kryeministrin Ferenc Gyurcany, të qeverisë socialiste liberale të viteve 2004-2009, të zhytur në korrupsion, ka kohë që ndëshkohet me të drejtë, së toku me partitë aleate nga votuesit hungarezë. Ndaj, me pamjen e triumfatorit, shoqëruar nga retorika e njohur e tij, Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u përsëriti zgjedhësve se, dhe më tej po i jepet mundë- sia “të mbrojë Hungarinë”.

Por, në të vërtetë, nga kush kërcënohet Hungaria që Orban kërkon ta mbrojë atë? Nga politikat e imigracionit, nga integrimi në Bashkimin Europian, nga pikëpamjet e këtij të fundit që nuk janë në një gjatësi vale me ato të kryeministrit hungarez, lidhur me politikat e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për botën? Pikëpyetjet janë të qarta tashmë përballë fizionomisë së njohur të tij, duke iu paraprirë liderëve populistë të së djathtës ekstreme në vende të ndryshme, për të parë te kjo fushatë zgjedhore, që sapo përfundoi, mundësitë e aplikimit të saj në vendet e tyre.

Të ndalemi më konkretisht. Me Bashkimin Europian, jo rrallë marrëdhëniet e Viktor Orbanit kanë qenë të tensionuara, edhe pse hungarezët, me referendumin në vitin 2004, vendosën për anëtarësimin e tyre në BE. Qëndrimi i hungarezëve ndaj imigracionit është i njohur. Madje, ky u bë dhe strumbullari i fushatës së tanishme zgjedhore të kreut të Fidesz, duke e rritur dhe më tej nervozizmin e BEsë, që i ka parë këto si lajthitje dhe që rrezikojnë seriozisht demokracinë në vend.

Hungaria me Orbanin, sikurse dihet, ngriti gardhe me tela me gjemba në kufijtë e saj, rreth tre vjet më parë për të mos hyrë imigrantët. Ish- aktivisti liberal i tri dekadave të shkuara, Viktor Orban, që fliste hapur kundër mureve, u shndërrua në kryeithtar të tyre, tani një drejtues autoritar për një shtet të fuqishëm që komandon çdo gjë, me një pushtet të përqendruar në duart e veta. Bashkimi Europian, edhe pas kësaj ka ushqyer shpresat në dobë- simin e pozitave të Kryeministrit hungarez, e nxitur kjo dhe nga fakti që skandale korrupsioni kanë qenë të pranishme te Fidesz, por edhe te miqtë e tij. Këto skandale, Fidesz dhe kreu i saj, i kanë interpretuar ndryshe si “sulme ndaj kombit hungarez dhe vetë kryeministrit”.

Për fat të keq, në këtë rrugë janë bërë aleatë të tyre dhe shumë media. Fushata zgjedhore në Hungari e rriti praninë e çështjes së imigracionit, në emër gjithnjë të mbrojtjes së vendit nga të huajt, që kërcënojnë sigurinë e Hungarisë dhe identitetin e saj kristian. Dhe e tërë kjo- kundër BEsë, OKB-së, që nga ana e tyre mbrojnë të drejtat e njeriut, shoqërinë civile, lirinë e medias etj. Sipas ksenofobisë së Orbanit, Brukseli “do që të përziejë popullsinë e Europës, të zëvendësojë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të jetesës”.

Apo, siç përforcon shefin e tij, ministri i Jashtëm, hungarezët e konsiderojnë si vlerë kombëtare faktin që prej mijëra vjetësh jetojnë në Pellgun e Karpateve, në pjesën qendrore të Europës, si një shoqëri homogjene hungareze e krishterë. Këto qëndrime, çuditërisht, sikurse u pa dhe në këto zgjedhje, e kanë rritur pra, numrin e përkrahësve të Viktorit kryeministër, që opozita e pagëzon si Viktator.

Kësaj i ka shërbyer dhe zhurma antisorosiane, siç ka ndodhur dhe më parë në Maqedoni, ku Nikola Gruevski akuzonte sorosistët si njerëz, që i shërbenin minimit të bashkimit kombëtar dhe shoqërinë civile e etiketonte si shtrigë për t’i bërë gjëmën vendit. Në Hungari pritet që në muajin maj Parlamenti të miratojë një paketë ligjesh të reja që kufizojnë veprimtarinë e shoqatave në përkrahje të emigrantëve.

Kjo zhurmë është prezente dhe në Serbi, Rumani e gjetkë, për të justifikuar gjithashtu me të prapësitë që lidhen me korrupsionin e politikanëve, krimin shtetëror, me padrejtësitë në tërësi. Theksojmë ndërkohë që, partitë tradicionale në Europë përgjithësisht janë në krizë. Populistët, sikurse partia e Orbanit, kërkojnë të përfitojnë në këto situata për të ngjitur më shumë te njerëzit. Këta të fundit, të tërhequr nga retorika e vazhdueshme e tyre, duke i parë si më të pëlqyeshmit e aspiratave të veta, i afrohen më tepër modelit të liderit të fortë.

Nga liderë si Orbani, gazeta “The Guardian” sheh rreziqet që vinë prej tyre, nga “shfrytëzimi i paskrupullt që i bëjnë opinionit publik”. Cila do të jetë e nesërmja e marrëdhënieve të Hungarisë me Bashkimin Europian, si bashkim i demokracive dhe vlerave? Një gjë është e qartë: Nuk mund të jesh dhe shtet anëtar i BE-së dhe t’i qëndrosh larg apo qoftë të shohësh me bisht të syrit ruajtjen e këtyre vlerave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura