Nga konkurenca, te çështjet e ndjeshme që ka hetuar. Pse ia vunë zjarrin lokalit të punonjësit të Prokurorisë

May 27, 2018 | 10:14
SHPËRNDAJE

SHENGJIN/ ELVIS HILA/ Një lokal veror me konstrukt prej druri, që ishte në përdorim të një oficeri të Policisë Gjyqësore është djegur në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Ngjarja ndodhi në zonën bregdetare të Kunes në Shëngjin, duke u shkrumbuar plotësisht. Policia është njoftuar për ngjarjen që ndodhi rreth orës 04:00, ndërsa zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur për të penguar djegien e plotë, pasi gjithçka është shkrumbuar vetëm në pak minuta. Policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje, por pa saktësuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme ose jo.

lokali-djegur lezhe

Objekti rezulton në pronësi të shtetasit G. Ç., i cili ka marrë lejen e nevojshme për ndërtimin e lokalit me konstrukt druri në institucionin përkatës. Por, sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ky lokal veror është përdorur vazhdimisht nga oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Lezhë, me iniciale S.C., i cili po, sipas këtyre informacioneve, është mik i ngushtë i pronarit që e ka me letra këtë objekt.

Dyshimet e para janë për një zjarrvënie të qëllimshme për çështje konkurrence. Objekti ishte ndërtuar një muaj më parë, vetëm pak metra larg detit, ndonëse ajo ka funksionuar me të njëjtin konstrukt edhe vite më parë. Kjo dyshohet se nuk është pritur mirë nga subjektet e tjera, por, deri më tani, nuk ka ende të dhëna për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje që i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare pronarit të saj.

Policia është përqendruar, veç pistës së konkurrencës, edhe tek një zjarrvënie të qëllimshme për shkak të detyrës së oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Lezhës.

Kjo, për faktin, se ai rezulton se ka hetuar disa çështje sensitive në këtë qark dhe nuk përjashtohet dyshimi se ndokush ta ketë kryer këtë akt në shenjë hakmarrjeje ndaj tij. Gjasat, sipas Policisë, që zjarri të ketë rënë në mënyrë aksidentale nga ndonjë shkëndijë elektrike, janë shumë të vogla.

Tashmë, blutë janë përqendruar në një zjarrvënie të qëllimshme pikërisht në dy pistat e mësipërme, konkurrenca dhe për shkak të detyrës së oficerit të OPGJ-së. Policia e Lezhës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka qenë e kujdesshme në deklaratën e saj zyrtare, duke dhënë informacion vetëm për djegien dhe asnjë detaj më shumë apo dyshimeve mbi shkaqet e rënies së këtij zjarri. Pronari që rezulton i tillë në dokumentacion dhe dy persona të tjerë, mes të cilëve, sipas burimeve, edhe vetë oficeri i OPGJ-së janë marrë në pyetje rreth djegies së këtij lokali veror në Kune të Shëngjinit.

Blutë nuk japin detaje lidhur me deklaratën e tyre dhe as dyshimet që ata kanë ngritur për grupin e hetimit. “Më datë 26.05.2018, rreth orës 04:30 është marrë njoftim se në Kune – Shëngjin në Lezhë, ka rënë zjarr në një lokal veror me konstrukt druri, në pronësi të shtetasit G.Ç.. Për pasojë, ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhej në njoftimin e dhënë dje për këtë ngjarje nga Policia e Lezhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura