Nga komunizmi në demokraci, konferencë për tranzicionin

Dec 21, 2015 | 10:35
SHPËRNDAJE

Konferenca shkencore për tranzicionin shqiptar, për sfidat në art, ruajtjen e siteve arkeologjike, por edhe ekspozita e promovime librash. “Ditët e Albanologjisë” do të jetë një ndër aktivitetet përmbyllëse kulturore për vitin 2015. Ashtu siç është kthyer në traditë tashmë.

Nga protestat e studentëve në vitin 1990
Nga protestat e studentëve në vitin 1990
Qendra e Studimeve Albanologjike organizon për të gjashtin vit “Ditët e Albanologjisë”, si kurorëzim i punës kërkimore shkencore të kërkuesve, bashkëpunëtorëve dhe doktorantëve të QSA-së, në përbërje të së cilës janë Instituti i Arkeologjisë, i Historisë, i Gjuhësisë e Letërsisë dhe ai i Antropologjisë Kulturore e Studimit të Artit.

Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen një sërë konferencash, që do të parashtrojnë arritjet më të fundit në lëmë të arkeologjisë, historisë e letërsisë. Kështu, sot, në ditën e parë të këtij aktiviteti do të promovohen veprat e botuara nga QSA-ja gjatë vitit 2015, si dhe do të paraqiten numrat e fundit të revistave shkencore, si “Iliria”, “Candavia”, Studime historike”, “Studime filologjike”, “Studime për artin”, “Kultura popullore”.

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar do të mbahet konferenca “Roli parësor i kërkimit shkencor në mbrojtjen dhe valorizimin e siteve arkeologjike”, gjatë së cilës do të kumtojnë specialistë të fushës, si Luan Përzhita, Ilirian Gjipali, Adrian Anastasi, Bashkim Lahi etj.

E ngjeshur me aktivitete do të jetë dita e dytë, gjatë së cilës do të hapet ekspozita “Argjendaria” me objekte prej argjendi, si stoli, armë etj. Më tej do të vijojnë konferencat, ajo doktorate “Arti si sfidë: kërkimet e reja të artistëve shqiptarë si sfidë ndaj klisheve, skemave dhe tabuve”, si dhe konferenca shkencore “Polemikat letrare”, gjatë së cilës do të referojnë studiuesit Laura Smaqi, Shaban Sinani, Klara Kodra, Genciana Abazi, Virion Graçi etj.

Një interes të veçantë paraqet konferenca shkencore e Institutit të Historisë: “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”, në të cilën do të referojnë historianët Ana Lalaj, Hamit Kaba, Sonila Boçi etj. Ndërsa dita e fundit i është dedikuar një figure të shquar të dialektologjisë shqipe, gjuhëtarit Jorgji Gjinari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura