Nga kërcimi ikonik i Dua Lipës me Gashin te yjet botërore dhe qëllimi i festivalit- Gjithçka që duhet të dini për “Sunny Hill”

Jun 14, 2022 | 22:42
SHPËRNDAJE

PANORAMA PLUS/ Kudo po flitet për “Sunny Hill Festival”, por mund të ketë njerëz që nuk dinë shumë gjëra rrreth tij. Nëse jeni një prej tyre, keni hapur artikullin e duhur.

-Kush e organizon dhe çfarë qëllimi ka Festivali?

Sunny Hill është festival që organizohet nga Dua Lipa dhe i ati i saj, Dukagjin Lipa.  Të ardhurat e fituara nga biletat e shitura shkojnë për “Sunny Hill Foundation”, fondacioni që u themelua rreth 5 vite më parë. Ceremonia hapëse e tij u organizua përmes koncertit që Dua mbajti në Prishtinë më 9 gusht asokohe ku premtoi se gjithë të ardhurat do të shkonin për bamirësi. Në gusht të vitit 2018, Sunny Hill Foundation dhuroi 100,000 euro për bamirësi, evente kulturore dhe shkolla të muzikës në Kosovë. Vjet, në konferencën për shtyp para festivalit, Dua Lipa u shpreh se do të dhurohen 150,000 euro për të ndërtuar Sunny Hill Academy – një qendër e re e artit dhe inovacionit.

-Pse ka këtë emër?

Prindërit e Duas, Dukagjini dhe Anesa janë rritur në lagjen “Kodra e Dielli” në Prishtinë, që në anglisht përkthehet “Sunny Hill”. Dua e ka bërë edhe tatuazh këtë emër. “Thjesht lagjja që prindërit e mi u rritën në Kosovë. ‘Sunny Hill’ u bë emri i fondacionit tonë dhe më pas emri i festivalit tonë. Ai ka një kuptim të veçantë për mua”, -ka thënë Dua.

-Kur dhe ku është mbajtur?

Edicioni i parë i festivalit u zhvillua më 10 deri më 12 gusht 2018 në ‘Parkun Kombëtar Gërmia’ në Prishtinë. Dua kryesonte listën e këngëtarëve dhe babai i saj gjithashtu performoi me grupin e tij, ODA.

Edicioni i dytë i ‘Sunny Hill Festival’ u mbajt më 2, 3 dhe 4 gusht 2019 po ashtu në ‘Parkun Gërmia’.  E planifikuar të zhvillohet çdo vit, edicioni i vitit 2020 u anulua për shkak të pandemisë COVID-19.

Këtë vit, “Sunny Hill Festival” do mbahet në Tiranë për herë të parë.

-Cilët kanë qenë artistët ndërkombëtarë që kanë performuar?

Dua Lipa ia ka dalë të sjellë në Prishtinë disa prej emrave më në zë në botë, ku sigurisht fronin e mban Miley Cyrus. Ylli amerikan ndezi Prishtinën për disa minuta në 2019. “Ndihem e nderuar që jam në Sunny Hill Festival dhe festoj me mikeshën time, Dua Lipën,”– shkroi Miley në rrjetet sociale ku ndiqet nga disa qindra miliona njerëz, teksa ajo dhuroi 25,000 euro për ndërtimin e një akademie muzikore në Prishtinë.

Në listë nuk mund të mos përmendim dy DJ: Martin Garrix(2018) dhe Calvin Harris(2019). Dy artistët kanë bashkëpunuar të dy me Duan dhe nuk mund t’i thoshin “Jo” asaj. Jemi mësuar t’i shohim të mbushin stadiume, të ngjiten në skenën e Grammy, etj., por Garrix dhe Calvin i falën dy super performnca, energji dhe vëmendje Festivalit.

 

Pjesë e Festivalit kanë qenë edhe artistët me origjinë shqiptare si Gashi, Njomza apo Action Bronson, emri i vërtetë i të cilit është Ariyan Arslani. Deri tani dy mungesa që kanë marrë vëmendje ka qenë Rita Ora dhe Bebe Rexha.

-Çfarë i ka sjellë Kosovës “Sunny Hill Festival”

Edicionet e kaluara kanë qenë të mrekullueshme, duke marrë madje edhe vëmendjen e tabloideve të huaja si: New York Times, The Guardian, Vogue, MTV, BBC, Reuters dhe dhjetëra media tjera. Kjo padyshim ka shërbyer si pronovim shumë i mirë që i është bërë Kosovës edhe nga artistët ndërkombëtarë të ftuar. Sipas asaj që deklaroi sot Dukagjin Lipa vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit ka qenë rreth 23 milionë euro si dobi direkte për imazhin e shtetit, mbi 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit si dhe promovim i vlerave më të mira të kulturës.

-Kryefjala gjithmonë Dua Lipa

Kushdo që të vijë, këdo nga artistët shqiptarë të sjellë Dua ajo do mbetet ylli i festivalit dhe një nga më të preferuarat e shqiptarëve. Kush nuk e mban mend kërcimin e saj nën ritmet e valles së Shotës me Gashin teksa mbante flamurin kuqezi në duar. Një moment krenarie për të gjithë.

Një tjetër fakt interesant është se në dy edicione të Festivalit, Dua ka sjellë dy të dashurit e saj, Isaac Carew dhe Anwar Hadid. Ajo u ka treguar atyre vendin ku është rritur, veshjet dhe ushqimet tradicionale, kulturën. Dhe të dy e kanë pasqyruar në rrjetet e tyre sociale. A do e sjellë Dua këtë herë yllin e “Elite” Aron Piper? Mbetet për tu parë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura