Nga kamerat te shitësit e misrave, Artan Hoxha: Si e kontrollojnë territorin bandat kriminale në Elbasan

Apr 6, 2021 | 22:07
SHPËRNDAJE

Gazetari Artan Hoxha thotë se grupet kriminale në Elbasan kanë një sistem të fortë informacioni duke nisur që nga shitësit e misrave dhe kamarierët që mbajnë radio policie e deri te monitorimi i territorit me sistem kamerash.

artanhoxha

“Nga historia që i kam ndjekur më ka bërë përshtypje që kanë një sistem shumë të fortë informacioni, patrullimi dhe kontrolli të territorit. E kontrollojnë me informatorë. Kam parë njerëz duke shitur misra por në xhep kanë radio policie që e përdorin për komunikim të brendshëm. Ka kamarierë ose shitës që janë informatorë. Ka mbikëqyrje të territorit me sistem kamerash. Prandaj kur policia shkon është e vështirë t’iu gjenden prova materiale”, deklaroi Artan Hoxha në ABC.

Ai e përshkruan Elbasanin si një nyje e rëndësishme strategjike ku kalojnë degëzimet e linjës së heroinës.

“Zhvillimet në Elbasan janë beteja mes grupeve kriminale për të marrë nën kontroll qytetin. Elbasani është një nyje e rëndësishme strategjike. Kalojnë korridoret tokësore të trafikut të lëndëve narkotike. Aty kalojnë degëzimet të linjës së heroinës nga Afganistani, Turqia. Kalojnë të gjitha rrugët kryesore që e lidhin pjesën perëndimore me atë lindore të Shqipërisë. Pozicioni që ka Elbasani si një kryqëzim shumë i rëndësishëm i linjave të trafikut.

Burimi kryesor i të ardhurave në Elbasan, nuk është Elbasani si qytet por trafiku jashtë Shqipërisë. Ata kontrollojnë jetën ekonomike dhe atë politike. Vitet e fundit janë ekspozuar më shumë. Ata e kanë blerë sistemin e drejtësisë dhe jo më kot ajo shprehja e kryeministrit Edi Rama kur nisi ajo e KÇK-së që kriminelët e Elbasanit hyjnë me pranga dhe dalin me duar në xhepa”, shprehet Artan Hoxha.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura