“Nga kafja me miqtë te breshëria e plumbave”, zbardhen dëshmitë për vrasjen e ish-policit. Shokët: Ndiqej prej ditësh nga …

Oct 11, 2019 | 21:49
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Arben Bilali ishte në konflikt dhe ruhej, kështu kanë deklaruar në Polici miqtë e ish-policit të vrarë në një atentat në janar të këtij viti pranë banesës së tij.

bilali

Duke iu referuar një vendimi të Gjykatës, ku janë zbardhur dëshmitë e të afërmve dhe personave që mund të kishin dijeni, tregohet i gjithë itinerari i lëvizjeve të Bilalit pak orë para vrasjes, ndërsa sipas dëshmitarit okular të ngjarjes, personat që kanë qëlluar në drejtim të tij nuk kanë zbritur në asnjë moment nga makina dhe kanë nisur të qëllojnë vetëm pak minuta pasi viktima ka zbritur. A.Çali ka qenë personi, i cili ka kaluar më të momentet e fundit dhe ka treguar se e ka telefonuar për të pirë kafe dhe pasi kanë rregulluar makinën e tij, janë kthyer për në banesë.

Çali, në dëshminë e tij, shton se nga tronditja nuk ka arritur të fiksojë numrin e targës së makinës, por vetëm llojin e saj. Policia ka marrë dëshminë e disa personave, ndër ta edhe një tjetër miku të Bilalit, i cili tregon për rastin e 4 ditëve para vrasjes, kur ka dyshuar se atë e kanë ndjekur disa makina.

Shtetasi G.H., ka thënë para hetuesve se kjo ka ndodhur pasi ai ka lënë në banesën e tij Arben Bilalin dhe është larguar për të shkuar në një lokal. Një makinë “Smart” dhe një tjetër “Benz”, i kanë bërë lëvizje të çuditshme në rrugë dhe ai ka nxituar, pasi kishte pasur dyshime se personat e ndiqnin, pasi mendonin se në makinë ishte viktima. “Në kthim, pranë ATSH-së, Gentiani ka vënë re vrapimin e një djali të ri në drejtim të urës ‘Ali Demi’, person për të cilin ai ka dyshuar se po ndiqte atë.

Gentiani ka ecur me shumë shpejtësi, nga frika se mos këta persona e ndjekin atë ose kanë menduar se në automjetin e Gentianit ndodhej edhe viktima. Gentiani e ka ditur që Arbeni ka pasur probleme, pasi disa vite më parë i kanë vrarë dhe dy vëllezër, por nuk e di saktësisht se më kë persona i ka pasur problemet”, shkruhet në vendim. Pak orë pas ngjarjes është marrë edhe dëshmia e Albert Xhabaftit.

Duke iu referuar vendimit, Prokuroria dyshon që shtetasi Arben Bilali “mund të jetë vrarë nga personat e fisit Xhabafti në Tiranë, për gjakmarrje”. Për këtë është marrë dëshmia e të riut, i cili ka mohuar ngjarjen dhe ka treguar se ka qenë në drekë me disa miqtë e tij në momentin që ka ndodhur ngjarja. Më tej, Albert Xhabafti ka thënë se Arben Bilalin e ka parë vetëm një herë në vitin 1992 dhe nuk e ka takuar më në jetën e tij.

DËSHMITË

“Ditën e ngjarjes, më datë 30.01.2019, Arben Çali ka deklaruar se ka telefonuar viktimën dhe i ka thënë për të pirë kafe. Ata janë takuar pranë banesës së viktimës, ku ky i fundit ka hipur në makinën e Çalit në vend të parë, ndërsa Çali drejtonte makinën për të dalë te pallati me shigjeta. Në vendin e quajtur karburant “Kastrati”, Çali ka parkuar makinën së bashku me viktimën, mbrapa pallatit ku ndodhet lokal “Le Caffe”. Pasi kanë parkuar, kanë shkuar të dy brenda në lokal, ku kanë ndenjur rreth një orë, pra, deri rreth orës 12:30. Në tavolinë kanë qenë vetëm Çali dhe viktima. Më pas, gjatë kohës që kanë qenë në kafe, Çali i ka thënë viktimës se i ishte ndezur një llambë në kroskot.

Viktima i ka thënë se njihte një elektroaut afër shtëpisë së tij dhe mund të shkonin dhe ta shihte një herë ai. Janë ngritur, kanë marrë makinën pas pallatit ku kishin parkuar dhe kanë shkuar direkt t servisi. Ata kanë qëndruar në këmbë te servisi e në këtë moment ka ardhur një kushëri i viktimës, konkretisht shtetasi Ç.S., i cili i ka ftuar për kafe te një lokal. Të tre kanë shkuar te lokali, janë ulur në verandë jashtë dhe kanë ndenjur aty rreth 20 minuta. Më pas është rregulluar makina dhe kanë hipur të dy në makinë për të ikur. Në momentin që viktima ka zbritur, Çali është nisur dhe në këtë moment ka dëgjuar disa të shtëna arme në breshëri.

vendi-ku-ndodhi-vrasja-e-ish-policit-Arben-Bilali-copy

Në këtë kohë ka ndaluar makinën dhe ka parë në pasqyrë një automjet ‘Mercedes Benz’, tipi CLS, vit prodhimi 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me katër dyer. Ky automjet kishte ndaluar dhe nga ana e majtë e tij, kanë qëlluar vazhdimisht me breshëri pa zbritur nga makina në drejtim të viktimës. Çali ka parë vetëm që po qëllohej nga ana e majtë, pra nga shoferi ose nga pasagjeri i majtë, pra, pas shoferit.

Çali thekson se nga makina nuk ka zbritur asnjë person. Pasi qëlluan me breshëri automatiku viktimën, automjeti është larguar me shpejtësi në drejtim të ‘Komunës së Parisit’. Çali sqaron se ai nuk ka arritur ta fiksojë targën e mjetit me shkronjat dhe numrat e saj, pasi është shokuar për momentin. Pasi është larguar makina, ai ka shkuar te viktima dhe aty pranë tij ka ardhur një grua, e cila e ka ndihmuar për ta futur në makinë. Më pas e ka marrë në makinë dhe e ka dërguar në Spitalin Ushtarak”.

ALBERT XHABAFTI

“Ditën e ngjarjes, në orën 10:00, Alberti Xhabafti thotë se është zgjuar dhe ka hipur në makinën ‘Toyota’, tipi ‘Land Cryiser’, ngjyrë kafe e hapur dhe ka shkuar te Bashkia Vorë për t’u paraqitur për shërbimin e provës, pasi ai është i dënuar me punë në interes publik, në Ndërmarrjen e Gjelbërimit në Bashkinë Vorë. Pasi ka mbaruar procedurën në Bashkinë Vorë, ka dalë dhe ka shkuar në një bar kafe ‘Bar Teo’, që ndodhet ngjitur me godinën e Bashkisë Vorë. Aty ka pirë kafe me disa shokë të tij, konkretisht me shtetasit E.D., J.D., A.V., Ben Bobi (punonjës Policie), më pas i ka ardhur djali i hallës, A.D., me një shok të tij, Amarildo. Që aty janë ngritur siç ishin dhe kanë shkuar për të ngrënë drekë së bashku me shokët e tij në qendër të Vorës, te restorant ‘Xhibaks’.

Te restoranti, Alberti nuk ka shkuar me automjetin që përdor, por ka shkuar me automjetin që ka ardhur djali i hallës, A.D., me sa i kujtohet, duhet të jetë BMW tipi X5, ngjyrë e hapur. Aty, Alberti ka ndenjur deri në momentin që ka ardhur Policia rreth orës 15:30, ku iu kanë bërë kontroll të gjithëve. Më pas e kanë pyetur se ku e kishte makinën dhe ai, së bashku me policët, u ka treguar makinën e lartpërmendur ku kanë bërë kontrollin e pas kontrollit të makinës e kanë dërguar në banesën e tij, ku kanë ushtruar kontroll edhe në banesë. Alberti ka deklaruar më tej se shtetasin Arben Bilali e ka parë një herë në jetën e tij në vitin 1992 ose 1993, pasi këtë person ata e kanë pasur banor të lagjes kur kanë banuar në Selitë Tiranë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura