Nga Kadare te Tom Kuka, fituesit e çmimeve kombëtare të Letërsisë për 2018-ën

Jan 23, 2020 | 11:24
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Ministria e Kulturës ndau mbrëmjen e djeshme Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018.cmim3

Kryetarja e jurisë, Alda Bardhyli, që në krye të ceremonisë së ndarjes së gjashtë çmimeve, për romanin më të mirë, Tregimin më të mirë, Librin më të mirë për fëmijë, Eseistikën më të mirë, Përkthimin dhe Tregimin më të mirë, u shpreh se vlerësimet janë bërë pas leximit të 650 veprave letrare. Kjo, sipas saj, e bën që juria e këtyre çmimeve, të jetë juria më me fat, sepse ka mundësinë që të shijojë kënaqësinë e leximit.demi

Ndërsa vet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në fjalën e saj citoi Stendalin, duke thënë se: “Një libër i mirë është një ngjarje në jetën time”. Ndërsa e cilësoi ndarjen e katre çmimeve si një moment të shumëpritur për lexuesit. Çmimi kombëtar për romanin 2018 iu dha Tom Kukës (Enkel Demi) me veprën “Gurët e vetmisë” nën motivacionin “Për qasjen që i bën historisë përmes gjuhës dhe vokacionin e thellë të karaktereve, përmes së cilëve rindërton historinë e një shekulli më parë”.

Gazetari-shkrimtar Enkel Demi, që vjen te lexuesi nën pseudonimin “Tom Kuka”, rrëfeu edhe arsyen se përse shkruan: “Shkruaja dikur për babanë. Por ai u nda nga jeta dhe për shumë vjet kam shkruar për një të vdekur. Aq sa në një moment të jetës, vendosa që të shkruaj për të gjallët, për fëmijët e mi, që falë zotit kam se çfarë t’iu lë kur të shkojë te babai. Shkruaj për gruan, për hallën, por në fund fare, shkruaj që ju të më lexoni”.cmim1

Çmimi kombëtar për “Tregimin” për vitin 2018 iu dha Roland Gjozës me veprën “Për shkak të vajzave nga Parisi” me motivacionin “Sjell risi në tregimin shqiptar me një galeri personazhesh komplekse me karakter e psikologji të tjera, modern e pan-perëndimore, gjuhë të pasur poetike plot lirizëm, me njësi frazeologjike dhe leksione në funksion të një artikulimi të thellë artistik, motive të qëmtuara në arealin shoqëror bashkëkohor dhe përtej atij shqiptar”.

Shkrimtari Roland Gjoza mes emocioneve dhe habisë për këtë vlerësim, u shpreh se: “Shqipëria nuk eksporton politikë, as ekonomi, por eksporton dy vlera të mëdha, bashkëjetesën fetare dhe Ismail Kadarenë”. Çmimi kombëtar për poezinë, për vitin 2018, iu dha Havzi Nelës, 30 vjet pas vdekjes së tij, për botimin “Vepra e plotë” me motivacionin “Poetit tragjik, të varurit të fundit në perandorinë komuniste, për vargjet epike, përmes së cilave na evokon kujtesën pasurinë dhe ndjeshmërinë e gjuhës”.cmim

Çmimi kombëtar për “Eseistiken” për vitin 2018 iu dha Ismail Kadaresë për veprën “Kur sunduesit grinden” me motivacionin “Kur sunduesit grinden” e Ismail Kadaresë ngre lart eseistiken dhe studimet shqipe në nivele ndërkombëtare me stilin, kulturën dhe qasjen universalizuese. Kadare arrin të sjellë shkëlqyer një analizë integruese të raportit mes pushtetit dhe shkrimtarëve.elva

Çmimi kombëtar për “Letërsinë për të rinj dhe fëmijë” për vitin 2018 iu dha Mimoza Hafizit për veprën “Pika trëndafil” me motivacionin “Për gjuhën përmes së cilës ndërton historinë e fanta-shkencës, një gjini shumë pak e lëvruar nga letrat tona”. Pas marrjes së çmimit autorja e librit, fizikantja Mimoza Hafizi, teksa shprehu falënderimet e saj shtoi se personazhet që sjell në librin e saj, edhe pse merren me shkencë punën e tyre e krahasoi me atë të shkrimtarëve, sepse kanë si qëllim që të bëjnë jetën e njeriut më të thjeshtë.mimoza

Çmimi kombëtar për “Përkthimin” për vitin 2018 iu dha Luan Topçiut për veprën e Linda Maria Baros “Shtëpia me brisqe rroje” me motivacionin “Për përkthimet e arrira artistikisht, me gjuhë të begatë e frymë, për veprat e përzgjedhura që kanë pasuruar letrat ndërsjelltazi, botën e librave me libra nga bota”. Juria e këtij viti u kryesua nga Alda Bardhyli, ndërsa anëtarët e tjerë ishin studiuesja Brikena Çabej, studiuesja Dhurata Shehri, shkrimtarët Visar Zhiti dhe Riza Braholli.cmim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura