Nga kabinat pa banjo te VIP-at e Bllokut e turistet lindore, si bëhej plazh para viteve ‘90 te “Iliria”

Aug 13, 2018 | 17:04
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

Shumë pranë Tiranës, plazhi i Durrësit ka qenë gjithnjë pika më e “nxehtë” e verës. Vendalinj, kryeqytetas, udhëheqësit e Byrosë Politike e deri te turistët lindorë, mblidheshin të gjithë aty për të larguar vapën para viteve ’90.

Pamje e sektorit të plazhit të "Ilirisë"
Pamje e sektorit
të plazhit të “Ilirisë”

Me një shtrirje të gjerë plazhi i Durrësit kishte disa pika të preferuar, një prej të cilave, që frekuentohet edhe sot, ishte “Iliria”. Nëse do të shkosh sot në plazh, në sektorin “Iliria”, pak ka mbetur nga ajo kohë. Me një emër mitik, ky sektor është i katërti në radhë pas “Teutës”, “Apolonisë” e “Hekurudhës”. Një zonë rreth 200 metra bregdet, “Iliria” ishte plazh popullor, kryesisht për kryeqytetasit, ndryshe nga “Teuta” e “Apolonia”, që shfrytëzoheshin edhe për pushues nga qytetet e tjera.

Një pushuese duke mbushur ujë në çesmën e përbashkët të plazhit
Një pushuese duke mbushur ujë në çesmën e përbashkët të plazhit

Hekurudha mbetej qendra e preferencës me “Breshkën”, pistën dhe “Adriatikun”, ku qëndronin të huajt. Zona e “Ilirisë” fillonte me kampin e punëtorëve, një ndërtesë trekatëshe nga lindja, në krah të rrugës automobilistike e destinuar vetëm për punonjësit e dalluar, e ngjitur me të, “godina e kuadrove”.

Ndërsa veri-jug ajo kufizohej nga dy rrugë paralele, rreth 150 metra larg njëra-tjetrës dhe në hapësirën midis tyre, në formë kuadrati, ishte blloku i kabinave për popullsinë. “Ilirinë” e bënte të njohur edhe afërsia me “Bllokun”, ku qëndronte udhëheqja, me të cilën e ndante formalisht një rrethim me tela dhe ushtarët që me armë në gatishmëri për kontrolluar gjithçka. Pastaj vinte stacioni i Plepave, ku merrte kthesën autobusi i linjës Durrës-Plepa, dy konvaleshenca, ajo e Ministrisë së Brendshme dhe Mbrojtjes, e midis tyre kampi i pionierëve. Të preferuara te “Iliria” ishin edhe ato pak vila të rezervuara për një elitë të zgjedhur, pasi kishin kushte më të mira se kabinat prej dërrase apo tulle.

KABINAT PREJ DËRRASE PËR POPULLSINË

Nuk ka shqiptar që të mos ketë kaluar një ditë, një dyjavor, apo një fundjavë në kabinat e famshme të plazheve shqiptare. Dikur kabina njëditore, pastaj 15-ditore, që e siguroje me autorizim nga vendi i punës. Te “Iliria”, blloku kryesor i kabinave është ndërtuar në mesvitet ’60 dhe ato ishin prej dërrase e muri. Kabina të siguronte çadrën e plazhit (150 lekë), dy krevate, dyshekë e mbulesa.

Qëndrimi në rërë me çadra të improvizuara
Qëndrimi në rërë me
çadra të improvizuara

Ndërsa për çelësin duhej të paguaje 150 lekë si parapagim, në rast se e humbisje, shumë, të cilën merrje kur e dorëzoje. Vite më vonë do gjeje edhe një furnelë vajguri të Gjirokastrës dhe për këtë arsye duhej të merrje një bidon vajguri me vete. Kabinat prej dërrase njëkatëshe ishin në disa rreshta horizontalë e vertikalë, në kurriz të njëra-tjetrës me pak shkallë dhe kushtonin 2800 deri në 3500 lekë. Një radhë me kabina, të vetme dhe tejet të kërkuara ishin ato në rërë, me pamje nga deti, ngjitur me “Bllokun”. Një tjetër ishte krah të njërës nga rrugët paralele, me kurriz nga “Blloku” ku qëndronin vetëm familjet e punonjësve, shoqëruesve të udhëheqjes.

EDHE ÇADRAT ME AUTORIZIM, RADHË PËR NË BANJË E UJIN E PIJSHËM

Ngjitur me kabinat pranë rrugës automobilistike ishte një shesh platformë betoni, ku deri në një farë kohe janë vendosur çadrat portative të mëdha, të ngritura nga administrata e plazheve ku qëndronin familjarë, sportistë, etj.. Edhe këto jepeshin me autorizim sipas një planifikimi nga qendrat e punës, etj..

Ndarja me tela e blloqe betoni midis "Ilirisë" e zonës së "Bllokut"
Ndarja me tela e blloqe betoni
midis “Ilirisë” e zonës së “Bllokut”

Duke qenë se kabinat, çadrat ishin pa banjë, pranë tyre funksiononte një WC e madhe publike, e rrumbullakët për burra e gra, e vetme në të gjithë zonën e në shumë raste krijohej radhë. Uji, i cili mungonte vazhdimisht, pasi furnizimi me ujë të pijshëm i kabinave apo i zonës ishte i pamundur. Për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në pika të caktuara të tij ishin vendosur disa çezma të improvizuara-ambulante, ku në pafundësi shihje burra, gra, fëmijë në radhë me bidonë në dorë. Në mëngjes, pushuesit me peshqirin në krahë nxitonin drejt çezmave për të kryer shërbimet personale. Në lindje, buzë rrugës, ishte edhe stacioni tradicional i autobusit, ndërsa shtëpitë me dhomat e çamëve, ishin pak larg, përtej shinave.

ME TALLON EDHE NË PLAZH

Talloni i famshëm i ka shoqëruar qytetarët edhe gjatë pushimeve. Te “Iliria”, në rrugën paralele pranë “Bllokut”, ndodhej dyqani i bukës, ai tavapjekës dhe një Ushqimore-Bulmet, i ngjashëm me një market të vogël e gjatë periudhës dyjavore për banorët e kabinave apo çadrave, nga administrata e plazhit jepej një tallon, me të cilin tek ky market, sipas listës emërore të pushuesve, garantohej një racion mish apo pulë, djathë, një shishe vaji, vezë, etj..

Te “Iliria” nuk kishte rajon policie, as farmaci, as qendër zëri, as ambulancë apo shërbim ambulator, pasi ato ishin përqendruara e vendosur te Hekurudha. Edhe kinemaja verore e vetme përgjatë zonës së plazhit, ishte matanë rrugës midis Hekurudhës e “Ilirisë”, ndërsa Postë Telegraf-Telefon ndodhej ngjitur me Pallatin e Bujqësisë. (Janë vitet kur ministritë apo dikasteret e rëndësishme orientohen të ndërtojnë pallate në plazh për punonjësit e tyre). Ndërkohë, një ndër vilat dykatëshe të “Ilirisë”, përdorej edhe nga Sigurimi për të survejuar grupet me turistë ose ato marksiste-leniniste, kur vinin në atë sektor.

PISTA E VALLËZIMIT DHE DASHURIVE FSHEHURAZI ME VAJZAT E HUAJA

Kanë qenë të vendosura përballë njëra-tjetrës, vetëm rëra i ndante, nga lindja Partiçeri-Restorant “Iliria” dhe nga perëndimi pista. E para kishte fluks të madh gjatë gjithë ditës, punohej me shërbim të dyfishtë, pra, si pastiçeri e vetme në atë zonë ku shërbehej edhe me rroba banje, ku mund të merrje jo vetëm kafe turke, por edhe fërnet, ponç, konjak, si dhe pije freskuese, arançiata, deri te Vap-ik, etj..

Radha krijohej kur banakierja me një lopatë druri nxirrte akulloren që prodhonte “Cantabriga” italiane, e cila kushtonte 5 lekë një kupë dhe 10 lekë dy kupa. Përballë ishte restoranti, me tavolina brenda e jashtë. Aty ishte vendosur një tabelë ku shkruhej “Nuk lejohet me rroba banje” dhe kamerierët nuk të shërbenin. Çdo ditë në drekë apo mbrëmje shihje njerëz në këmbë në pritje për një tavolinë, më shumë në fundjavë, kur pushues “extra” zbarkonin nga Tirana.

Po kështu edhe pista, ku paradite shërbej me kostume banje, por jo në drekë apo darkë. Si ajo e Hekurudhës, të dyja ishin në ujë, por pista e “Ilirisë” ishte më e gjatë dhe futej me thellë në det. Ndonëse me sipërfaqe të vogël, ajo frekuentohej e kishte klientët e saj, madje edhe nga ata që uleshin në mëngjes dhe aty qëndronin gjithë ditën pa lëvizur, deri kur mbyllej në mesnatë. Të dyja kishin orkestër, ku edhe kërcehej.

Ndonëse jo vendi i dashurive të bujshme, ajo pistë është shfrytëzuar edhe për dashuritë e fshehta me vajzat e huaja gjermano-lindore, që për t’iu shmangur ndjekjeve të Sigurimit, largoheshin nga “Adriatiku” dhe vinin te “Iliria”, si pikëtakimi midis tyre e të rinjve shqiptarë. Në dimër, këto mjedise, nga mungesa e pushuesve ishin të shkreta dhe në to fëmijë luanin futboll, ose me patina. Për mirëmbajtjen e kabinave tyre përkujdesej zyra me punonjësit administratës së plazhit, pasi çdo sektor kishte një të tillë.

TRAMPOLINA DHE ME NOT “DERI TE FUÇIA”

Dalja sa më shpejt në rërë, hapja me dorë e gropës për të vendosur çadrën sa më afër detit, ishte një ritual i përditshëm dhe që e kryente një pjesëtar i familjes. Qëndrimi në rërë ishte pa shezlongë, apo me mjete moderne si sot. Një basme apo diçka tjetër përdorej për t’u ulur, shtrirë e vendosur ushqimin, kur dreka e marrë nga shtëpia konsumohej në çadër për pushuesit ditorë.

(Në raste të tjera, shfrytëzoheshin hijet e plepave përreth). Të veçanta ishin çadrat e diellit e improvizuar me çarçafë, që lidheshin në katër kulmet e shkopinjve të ngulura në rërë. Dita kalohej, duke luajtur me letra, si 5×4, spathi, xing, shah, etj.. Çdo sektor kishte trampolinën e tij, pastaj vinin fuçia e parë, që lejohej të shkoje me not dhe e dyta vetëm për varkat ditore me qira, me lopata, që merreshin te Hekurudha e që kontrolloheshin nëse kaloje këtë kufizim. Si mjete notimi përdoreshin dhe kamerdare makinash, apo nga ato që shiteshin në ato pak dyqane të zonës.

Shumë pushues, kryesisht ata durrsakë, për të mos i marrë me vete në vajtje-ardhjet ditore, çadrat i linin te një byrektore apo kabinat me të njohur. Në qershor e shtator kishte pak pushues, më shumë vinin nga rrethet, pasi ishte më e lehtë të siguroje një kabinë apo fletë kampi. Pikërisht në këtë periudhë ajo ka qenë e shfrytëzuar e pëlqyer edhe nga sportistë, kryesisht të “17 Nëntorit”, që gjatë muajit qershor vinin e qëndronin nga çadrat, pastaj në kabinat e zakonshme, deri kur klubi mori në administrim një vilë, ish-ndërtesën e Policisë për sistemimin veror të sportistëve të tij.

BLLOKU, NDARJA E DETYRUAR ME TELA

I ngjashëm me atë të Tiranës, një e tillë ka qenë ajo pas “Ilirisë”, ku qëndronin familjet e Byrosë Politike. E njohur si Stabilimenti, në ato fillime aty kanë qenë dy rreshta në formë “U”-je, me kabina njëkatëshe prej druri e pak mur, të ndërtuara të shfrytëzuara nga ushtarakët italianë, që i lanë kur u larguan. Aty pranë, një lokal i vogël dhe disa vila, që më pas u transformuan për qeveritarët.

“Blloku”, fillimisht ka qenë një zonë e vogël, pastaj u zmadhua dhe mori tjetër pamje. U rrethua dhe ka qenë i frekuentuar nga Enver Hoxha, pasi e kishte afër Tiranës dhe ishte territor i pastër, larg zhurmës apo fluksit të lëvizjeve masive, pasi në atë zonë totalisht të izoluar askush nuk mund të futej pa autorizim. Nga jashtë, ajo hapësirë gjigante ku mbizotëronte një gjelbërim i madh dukej e shkretë dhe pa frymë njeriu.

Blloku me “Ilrinë” ndahej me tela jo të lartë, ushtarin që bënte shërbim, deri edhe hapësirën detare. Kthesa e xhiros, kryhej disa metra para telave, që vazhdonin rreth 20 metra në det. Duke qenë se fëmijët e udhëheqjes e frekuentonin xhiron, qëndrimin dhe miqësitë te “Breshka”, për të dalë nga “Blloku” kalonin telin rrethues, duke u futur në ujë pak mbi gjurin.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura