Nga Italia në Izrael, Turqi dhe Rumani, çështja shqiptare në optikën e diplomatit! Dervishi: Pse duhet spostuar vëmendja nga ndjenjat nacionaliste

May 30, 2022 | 11:14
SHPËRNDAJE

DAshnor Dervishi-RAjoni-RAma

NGA DASHNOR DERVISHI

Duke shërbyer kryesisht në vendet fqinje dhe të rajonit tonë: Itali, Turqi, Rumani, Greqi, etj., kam nxjerrë përfundimin se fuqitë e mëdha, si në Perëndim edhe në Lindje, në vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me vendin tonë duket sikur shqetësohen më shumë për marrëdhëniet tona me vendet fqinje dhe qëndrimin ndaj çështjes shqiptare në rajon; ashtu sikurse edhe në marrëdhëniet tona me çdo vend, të madh apo të vogël, ne i kemi vlerësuar nga qëndrimet që ata kanë për Kosovën në veçanti, duke nënkuptuar çështjen shqiptare në tërësi.

Para viteve ‘90, pavarësisht shkaqeve ideologjike që propagandoheshin, prishja e PPSH-së, si me Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe me Kinën, kishin në bazën e tyre edhe kundërshtitë për ndryshime të qëndrimeve tona në marrëdhëniet me Jugosllavinë (kupto Kosovën), të cilat u shoqëruan me kushtëzimin e ndihmave, me kërkesat për qëndrime më liberale, me sugjerime konkrete preferenciale për ndryshime në lidershipin e vendit etj.

Fundi i viteve ‘80 (1988-1992) më gjeti në Itali; ishte koha e ndryshimeve të mëdha kur Luftës së Ftohtë po i vinte fundi. Vija e ndarjes midis dy blloqeve politiko-ushtarake e para viteve ‘90 u zhvendos nga Adriatiku në Detin e Zi dhe trevat shqiptare u gjendën gjeografikisht në brendësi të bllokut politik, ushtarak dhe të sistemit shoqëror, në të cilin natyrshëm u takonte të ishin. Në politikën e jashtme italiane, Shqipëria zinte një vend të veçantë, duke mbetur një “dimension gjeografik” i përhershëm. Roli i Italisë, për të ndihmuar dhe kontrolluar gradualitetin e proceseve demokratizuese dhe hapjen e Shqipërisë ndaj Perëndimit, nuk mund të mos ndikohej nga faktorët që lidheshin me zhvillimet në Jugosllavi.

Ndërsa në skemat perëndimore ishte skicuar ndarja e ish-republikave jugosllave, ende nuk ishte e qartë e ardhmja e Kosovës, që me statusin si krahinë autonome, mund të dilte jashtë kontrollit, për shkak të lëvizjeve të para të shqiptarëve në Kosovë, që në fakt ishin fillesat e shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Nga ana tjetër, italianët i trembeshin ndonjë destabilizimi të brendshëm në Shqipëri dhe rrezikut që ky mbartte për t’u shtrirë në Kosovë.

Fillimi i viteve ‘90, me protestat në Kosovë e gjeti Italinë në mëdyshje për qëndrimet që duhej të mbante, duke krijuar vonesa në krahasim me dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve dhe me qëndrimet pararojë të SHBA-ve. Ndërsa SHBA-të mbështesnin “alternativën” kosovare, Italia nuk ishte ende e gatshme për këtë. Në Itali, ngjarjet në Kosovë, dhe në përgjithësi çështja kosovare, shihej kryesisht nën këndvështrimin e interesave slloveno-kroate. Rreziqet afatgjata që po kanosnin Jugosllavinë prej shpërbërjes së saj, Italia i kaloi me njëfarë heshtjeje, në shkëmbim të kënaqësive të momentit, që po merrte nga disa lëshime të Jugosllavisë në lidhje me problemet e vjetra të zonave kufitare dhe të minoritetit italian.

Italia mendonte se qetësia e Serbisë realizohej nëpërmjet mbajtjes së Kosovës nën klauzolën serbe, duke u kufizuar vetëm te të drejtat e njeriut për shqiptarët, brenda një autonomie të ngjashme me atë të Alto Adige-s. Në shtator 1991, pas shpalljes nga Kuvendi i Kosovës të sovranitetit të Republikës së Kosovës, një delegacion i partive politike të shqiptarëve mbërriti në Itali, i ftuar nga Vatikani. Kryesohej nga Ibrahim Rugova dhe përbëhej nga: kryetari i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, akademiku Mark Krasniqi; kryetari e Shoqatës “Nënë Tereza”, Belush Gjergji; nënkryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane, Nik Gjeloshi. Kryeministri Andreotti gjeti rastin të takohej i pari me delegacionin kosovar dhe të deklaronte se Kosova, si njësi federale e ish-Jugosllavisë, duhej të kishte sovranitetin e vet.

Duke shprehur qëndrimin e qeverisë italiane ndaj kësaj çështjeje delikate, si një pjesë e rëndësishme e krizës 10-vjeçare të Jugosllavisë, Andreotti i sugjeroi Komunitetit Evropian, KSBE-së dhe SHBA-ve, që në kuadrin e përkrahjes së pavarësisë së popujve të Jugosllavisë, të mbështesnin edhe atë të popullit shqiptar në Kosovë. Ne ndiqnim me kujdes çdo lëvizje, duke u takuar me përfaqësuesit kosovarë që vinin në Romë ilegalisht, pa u ekspozuar hapur, pasi në atë kohë kjo gjë konsiderohej si ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Përveç kësaj, një nga temat më të preferuara të propagandës antikosovare ishte destabilizimi i rajonit nga rreziku i “Shqipërisë së Madhe”. Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë më gjetën në Izrael.

Të ndjeshëm ndaj spastrimeve etnike dhe gjenocidit, opinioni izraelit u rreshtua i pari në mbështetje të popullit shqiptar të Kosovës, duke dënuar me ashpërsi dhunën e ushtruar nga regjimi serb i Milosheviçit. Me gjithë lidhjet e vjetra tradicionale midis Izraelit dhe Serbisë, ky opinion u ngrit i tëri në këmbë, pa dallim moshe apo prejardhje, pa dallim fetar apo bindjeje politike. Por ndryshe nga solidariteti dhe mbështetja në aspektin human, në aspektin politik mbizotëroi qëndrimi neutral. Kriza në Kosovë nxiti një debat të gjerë në opinionin vendas.

Pati mendime që, bombardimet kundër Serbisë të interpretoheshin si një korrigjim i politikës agresive të Izraelit ndaj të drejtave të Palestinës dhe zonave të pushtuara arabe. Qarqet konservatore bënë edhe krahasime të UÇK-së së Kosovës me OÇP-në e Palestinës, duke theksuar rrezikun islamist apo separatist në Ballkan. Ministri i Jashtëm, Ariel Sharon, në mënyrë të vazhdueshme nuk u shpreh qartazi në dënimin e Milosheviçit apo të Serbisë si përgjegjës të dhunës dhe shmangu mbështetjen për NATO-n. Sharon shprehu “parashikimet e tij për një destabilizim global që mund të rezultonte në krijimin e një blloku të madh të shteteve islamike në Evropë, përfshirë Shqipërinë, që mund të shërbente si një vatër e terrorizmit ekstrem islamik”.

Administrata e Klintonit shprehte zemërim për këto qëndrime. Sipas Uashingtonit, komentet e Sharonit e rreshtonin atë në të njëjtën linjë me Irakun, Sirinë dhe Hezbollahët, që ishin kundër bombardimeve të NATO-s. Më 9 prill 1999, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, mbërriti në Jerusalem për të shprehur pakënaqësinë e SHBA-ve. Në takimin me Sharon, ajo jo vetëm kundërshtoi qëndrimet aspak miqësore të tij, por edhe e qetësoi, duke sqaruar se interesat gjeostrategjike amerikane në Ballkan, nuk kishin asnjë simetri me ato në Lindjen e Mesme; për të mos thënë se ato ishin komplemetare me njëra-tjetrën. Ndërmjet rrezikut të dyndjes islamike në Evropë nëpërmjet Kosovës dhe argumentit amerikan të rrezikut rus për të dalë në Mesdhe nëpërmjet Adriatikut, zuri vend kjo e dyta.

Pas shumë debatesh, Knesseti adoptoi tri rezoluta të papajtueshme me njëra tjetrën që: shprehnin shqetësimet për refugjatët e Kosovës; mbështesnin përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik; dhe i bëhej thirrje qeverisë, që të mbante qëndrim neutral në konfliktin ballkanik. Nëpërmjet manifestimeve të mëdha në Tel Aviv, Eilat, Nazareth (zonë me popullsi arabe) etj., jo vetëm u shpreh solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës, por u mblodhën edhe ndihma të shumta, që u dërguan në Shqipëri e Kosovë në formën e vlerave materiale, monetare dhe vullnetarë. Në sheshin kryesor “Ben Gurion” të Tel Avivit u bë një manifestim i madh, ku u mblodhën mbi 40 mijë vetë.

Ishte hera e parë që opinioni publik në Izrael pati një sensibilizim gjithëpërfshirës, qysh mbas Luftës së “6 ditëve” të vitit 1967. Ndërsa në Nazareth u mblodhën mbi 30 mijë vetë. Përkrahja dhe solidariteti përfshiu edhe diasporën hebraike, sidomos atë në SHBA, të cilët i shoqëruan ndihmat deri në Tiranë, ku bënë edhe takime me refugjatët kosovarë. Në territorin e Maqedonisë, në kufi me Kosovën, u ngrit një nga spitalet më të mëdhenj ushtarakë, ndërkohë që u vendos që të sistemoheshin në Izrael mbi 200 kosovarë, për një periudhë prej 6 muajsh. Më 12 prill, në Tel Aviv mbërriti grupi i parë prej 104 refugjatësh nga Kosova. Në aeroportin “Ben Gurion” kishte dalë për të pritur refugjatët edhe Kryeministri Benyamin Netanyahu. Në pritje të mbërritjes së avionit, pata një bisedë interesante me kryeministrin Netanyahu. Ai më shpjegoi se refugjatët do të sistemoheshin në dy kibutze të Izraelit dhe parashikohej që të qëndronin atje rreth 6 muaj.

Në fakt, sqaroi ai, bombardimet parashikohen të mbarojnë brenda tre muajsh, por refugjatët do të qëndrojnë edhe 3 muaj të tjerë, për të pritur që çdo gjë të jetë e siguruar dhe e sistemuar në atdhe. “Në tre muaj çdo gjë duhet të përfundojë me Serbinë, shtoi ai, sepse brenda vitit parashikohen ngjarje edhe në Indonezi dhe Korenë e Veriut”. Më ka mbetur në mend edhe një pyetje e Netanyahut, nëse Shqipëria merrte ndonjë kompensim apo shpërblim për vënien në dispozicion të aeroporteve dhe gjithçkaje tjetër në mbështetje të operacioneve ushtarake në territorin tonë. Jo, i thashë, i surprizuar, kjo bëhet për popullin shqiptar të Kosovës, për kombin shqiptar. Në vitin 2001 kalova nga Izraeli në Turqi.

Qëndrimi i Turqisë ndaj krizës së Kosovës u ndikua nga një sërë arsyesh, por mbi të gjitha nga qëndrimi i saj ndaj çështjes kurde. Përkrahja e Turqisë ndaj çështjes kosovare dhe pavarësisë së saj, do të krijonte paralele me dhënien e të drejtave për popullsinë kurde të Turqisë dhe për krijimin e një shteti të tyre; ndaj, fillimisht Turqia mbajti qëndrime të rezervuara, duke u mjaftuar vetëm me përmbushjen e detyrimeve të saj si anëtare e NATO-s. Turqia kishte dy zyra përfaqësimi në Kosovë, përveç pranisë së saj ushtarake në kuadër të KFOR-it. Zyrtarisht dhe publikisht ajo përshëndeste përparimet graduale në Kosovë, ndërkohë që u kushtonte vëmendje të veçantë shqetësimeve që vinin nga pakicat myslimane, ato me ngjyrë etj., që konsideroheshin si të mbështetura nga Turqia.

Ky fakt zuri vend edhe në axhendën e diplomacisë turke. Tradicionalisht, shqiptarët e Kosovës e kishin parë pakicën turke si oportuniste dhe kolaboracioniste të regjimit serb. Sipas burimeve turke, kjo vinte për shkak të nacionalizmit shqiptar kosovar, që, sipas tyre, ishte një nga nacionalizmat e fortë të Ballkanit. Vetëm mbas një takimi midis Bernard Kouchner dhe ministrit të Jashtëm turk, Ismail Cem, në Ankara ku u ra dakord që turqishtja të njihej si gjuhë zyrtare dhe të përdorej edhe në formularët e zgjedhjeve, bëri që pjesëtarët e pakicës turke të merrnin pjesë në zgjedhjet e 29 tetorit në Kosovë.

Qëndrimet e Turqisë filluan të pësojnë ndryshime mbas operacioneve të NATO-s edhe në sajë të pranisë së rreth 1.000 trupave turke në KFOR (të përqendruara në zonat e banuara kryesisht me pakica turke, në Prizren, Mamushë dhe Dragash). Gjatë kësaj periudhe edhe shumica e udhëheqësve shqiptarë filluan të prononcohen në përkrahje të të drejtave të minoritetit turk. Në janar të vitit 2001 filloi në Maqedoni konflikti i armatosur ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë për më shumë të drejta për popullsinë shqiptare të Maqedonisë, si popullsi shtetformuese. E shqetësuar nga ky konflikt, Ankaraja u shpejtua t’i emërtonte si “terroristë” pjesëmarrësit shqiptarë të revoltës dhe duke parë rrezikun e ndikimeve të jashtme, u tregua e gatshme të ndihmonte nga afër qeverinë maqedonase.

Por më vonë, mbas demonstrimit të qetësisë evropiane dhe asaj amerikane ndaj këtyre ngjarjeve dhe sidomos mbas sulmeve të ekstremistëve maqedonas kundër pasurive të turqve etnikë të Maqedonisë, kryesisht në Manastir, MPJ e Turqisë i tërhoqi vëmendjen autoriteteve maqedonase për përmbajtje dhe marrjen e masave për mbrojtjen e pakicave. Në vijim, Turqia filloi të ngrejë zërin për nevojën e një pranie paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s në Maqedoni, ndërkohë që në opinionin publik turk kërkohej që krahas të drejtave të shqiptarëve, të kërkoheshin edhe të drejtat e turqve të Maqedonisë dhe në përgjithësi të drejtat e myslimanëve. Në takimet me palën turke kërkesa jonë e përhershme ka qenë që Turqia të luante një rol më aktiv në rajon dhe jemi shprehur të kënaqur që ushtarët turq gjendeshin në Kosovë. Turqia mbetet një vend i madh dhe fuqi rajonale.

Për shkak të së kaluarës së saj në Ballkan, ka një rëndësi strategjike. Në përcaktimin e politikës së jashtme të vendit tonë, Turqinë e shohim si vendin më pranë nesh në rajon. Shpallja e shtetit të Kosovës më gjeti në Rumani (2006- 2010). Qëndrimi zyrtar i Rumanisë ka qenë dhe mbetet kundër pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim që ka edhe mbështetjen e opinionit në vend, është i indoktrinuar jo vetëm nga politika e vjetër nacional-komuniste, por edhe nga një traditë tashmë e kthyer në model. Një nga arsyet e qëndrimit rumun, ishte edhe paralelizmi që hiqej me çështjen e Transnistrias dhe krijimit të shtetit rumunofon të Moldavisë, si dhe problemet me pakicat hungareze në Transilvani.

Çdo qëndrim i lidershipit rumun pro pavarësisë së Kosovës do të konsiderohej një risk për ta. Qëndrimi i vendosur kundër çështjes kosovare është i motivuar edhe nga marrëdhëniet tradicionale të fqinjësisë së mirë me Serbinë. Ky qëndrim u shoqërua me një veprimtari shumë aktive në mbështetje të politikës serbe, deri në thyerje të embargos evropiane në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë ushtarake. Ekziston edhe një “mit” në mentalitetin kolektiv rumun, që aleatët e Rumanisë gjatë historisë kanë qenë “Serbia dhe Deti i Zi”. Më 25 maj 2006 i dorëzova letrat kredenciale Presidentit të vendit, Trajan Basescu.

Zakonisht paraqitja e kredencialeve nga ambasadorët te presidenti i vendit është më shumë një ceremoni protokollare, që shoqërohet me mesazhe pozitive. Por, për habinë time, Presidenti Basescu mezi priti që të më theksonte qëndrimin e tij të pandryshueshëm, se Rumania ka qenë dhe do të jetë e prerë në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Mbeta disi i befasuar, megjithatë duke e kaluar me pak humor, i thashë se në jetë asnjëherë nuk mund të themi “kurrë”, e aq më shumë në politikë, por pavarësisht nga kjo, si ambasador i Shqipërisë, ndoqa protokollin, duke përcjellë mesazhet miqësore të Presidentit shqiptar për popullin rumun dhe për atë personalisht.

Qëndrimin e tij, Presidenti rumun e personalizoi aq shumë, saqë e shprehte vend e pa vend në çdo takim, brenda e jashtë vendit, si pjesë të axhendës së tij politike, duke deklaruar se “sa të jetë ai president, Rumania nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Por Rumania shprehej njëkohësisht edhe për unitetin e BE-së. Ajo pranoi pjesëmarrjen e saj në misionin e BE-së dhe dërgimin e 175 trupave ushtarakë në Kosovë. Prania e trupave rumune në Kosovë mbartte një ngarkesë dhe paragjykim nga të dyja palët, si nga rumunët ashtu edhe nga popullsia e Kosovës. Siç dihet, më 10 shkurt 2007, gjatë një manifestimi popullor në Prishtinë, forcat e policisë ndërkombëtare ndërhynë për të qetësuar gjendjen. Në përbërje të këtyre forcave ishin edhe rreth 11 xhandarë rumunë, të cilët gjatë ndërhyrjes përdorën dhunë, duke shkaktuar dy viktima nga radhët e protestuesve kosovarë.

Ngjarjet në Serbi dhe Kosovë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u vendosën në epiqendër të lajmeve dhe analizave nga masmediat e Rumanisë. Në këtë fushatë vihej re një qëndrim jo vetëm konservator kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe një frymë antishqiptare në tërësi, që ndonjëherë i kalonte caqet e informacionit real, duke kaluar herë pas here edhe në dezinformime, apo në fyerje emocionale me tendenca të tepruara. Ambasada jonë u aktivizua në maksimumin e saj, për të realizuar takime me zyrtarë të lartë të shtetit rumun, me trupin diplomatik, e sidomos me vetë përfaqësuesit kryesorë të gazetave e televizioneve më të mëdha të vendit.

Shqetësimin për agresivitetin ndaj çështjes shqiptare e konsultova edhe me miqtë tanë të ambasadës amerikane në Bukuresht, të cilët i shikonin me më shumë qetësi e realizëm ngjarjet. Ata nuk i shqetësonte edhe aq shumë qëndrimi “kundër” i Rumanisë ndaj Kosovës, sepse e shikonin atë si të përkohshëm. Për ata, shqetësim kryesor ishte që Rumania të pranonte vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në territorin e saj dhe, duke qenë në prag të Samitit të NATO-s në Bukuresht, për amerikanët, në atë fazë, ishte shumë i rëndësishëm moskundërshtimi nga ana e saj për ftesën që parashikohej të merrte Shqipëria për anëtarësimin në NATO.

Në këto zhvillime, nuk mund të qëndronte mënjanë as Kisha. Patriarkia Rumune përkrahu të drejtën e ortodoksëve serbë të Kosovës, që të manifestonin në mënyrë të lirë besimin dhe të mbronin vendet e shenjta. Më 10 dhjetor 2007, mora një takim me Patriarkun e Kishës Ortodokse të Rumanisë Daniel Ciobotea. At Danieli më la përshtypjen e një fetari mjaft erudit, me një botëkuptim të gjerë dhe tolerant. Ndër të tjera, ai theksoi faktin se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të Ballkanit dhe se “sllavët kanë ardhur shumë më vonë”. Duke shprehur keqardhje dhe admirim për rezistencën ndaj presioneve të huaja, por edhe ndaj regjimeve të brendshme, ai gjeti rastin të krahasonte shpirtin paqësor dhe tolerant të popullit tonë me atë të “rezistencës rumune ndaj sllavëve rusë, që sillen si fuqi e madhe politike edhe në fushën shpirtërore”. Patriarku theksoi faktin se integrimi i popullit shqiptar në familjen evropiane do të ishte vetëm një vlerë e shtuar për vetë Evropën.

Pavarësisht se kam shërbyer në sisteme të ndryshme shoqërore dhe me shumë qeveri, tre konkluzione të rëndësishme dalin: interesat strategjike të vendit mbeten të njëjta në themelet e politikës së jashtme të çdo vendi; diplomati në shërbim të këtyre interesave mbetet një misionar; zyrtarisht kam përfaqësuar shtetin shqiptar, por në gjithë veprimtarinë time, ashtu si gjithë diplomatët e tjerë shqiptarë, ka qenë e mbetet përfaqësimi i interesave të kombit shqiptar, të trevave dhe popullsisë shqiptare kudo ku ata ndodhen.

Duke u bazuar në eksperiencën e punës në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Rajonin (2002- 2006) në libër pasqyrohen shumë problematika që lidhen me zhvillimet dhe dinamikat jo vetëm në real-politikën, por edhe në formulimin e koncepteve dhe të vizioneve për të ardhmen. Drejtoria mbulonte marrëdhëniet dypalëshe me vendet e rajonit, kishte një drejtori të veçantë për Kosovën dhe një tjetër për Nismat Rajonale. Shpërbërja e Jugosllavisë, konfliktet e njëpasnjëshme në pjesët e mbetura dhe të formuara prej saj, si dhe ripozicionimi i gjeo-strategjik i trevave shqiptare, u pasqyrua edhe në pagëzimin me një emërtim të ri, atë të “Ballkanit Perëndimor”.

Ky entitet i ri gjeo-politik, si pjesë e rajonit të “Evropës Juglindore” tashmë ka zëvendësuar emrin historik “Ballkan”, i konceptuar jo vetëm si një realitet gjeografik, por edhe që mbart një pjesë të mirë të “problemeve ballkanike”: çështjen shqiptare dhe raportet e saj me sllavët dhe ortodoksinë ballkanike, çështjen maqedonase dhe atë boshnjake. Nga 6 vende që përfshihen në BP, 4 janë me popullsi shqipfolëse që jetojnë në treva shqiptare. Parë kjo thjesht në kuadrin e procesit të integrimit, statusi i tyre ndahet në tre nivele të ndryshme; qytetarëve shqiptarë në Kosovë nuk u lejohet të qarkullojnë në zonën Shengen; në Shqipëri e Maqedoni presin konferencën e parë të hapjes së negociatave; në Mal të Zi janë në prag të aderimit në BE.

Pra raportet e Ballkanit Perëndimor me BE-në reduktohen nga njëra anë me raportet e BE-së me trevat shqiptare dhe shqipfolëse, dhe nga ana tjetër me raportet e BE-së me Serbinë sllave, që për vetë zhvillimet historike është e ndërthurur me Evropën Perëndimore. Kjo situatë mban peng edhe Ballkanin Perëndimor. Për sa i takon Bosnjë Hercegovinës, me sa duket e ardhmja e saj është ende e panjohur. Nëse sot vendet e BP do të ishin anëtare të BE, votat e tre kryeministrave shqipfolës do të kishin të njëjtën vlerë me votat e kryeministrave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të marra së bashku.

Integrimi në BE nuk është një zgjedhje nga ana jonë. Ne nuk kemi alternativë tjetër. Si një vend i vogël, ende në nevojë për të plotësuar të ardhurat e buxhetit të shtetit për disa sektorë të rëndësishëm me ndihma nga partnerët tanë strategjikë; me një sistem demokratik të brishtë, ku forca e çdo maxhorance qeverisëse varet nga ndihmat që vijnë nga jashtë dhe mbështetja politike e aleatëve potencialë, Shqipëria do ta kishte të vështirë të luante rolin e protagonizmit me ide e veprime gjeneruese.

Këtë rol e kryen më së miri Turqia, me një popullsi 100% myslimane, por me një shtet të fuqishëm e funksional, gjë që i jep të drejtën edhe të kërcënojë Europën sa herë që i preken interesat e saj. Një kontribut të fuqishëm që mund të japë vendi ynë për t’u faktorizuar në kancelarite Perëndimore është lufta e vendosur e shtetit shqiptar kundër terrorizmit dhe trafiqeve ilegale. Historikisht nëpër territorin e vendit tonë kalon rruga e vjetër

EGNATIA që u përdor nga Romakët për të shkuar drejt Lindjes. Tani, kjo trase po përdoret në kahe të kundërt nga trafiqet ilegale dhe emigrantët e Lindjes së Mesme. Ishte ky një nga shqetësimet e MPJ të Izraelit, Sharon, që e ngriti me të të madhe dhe iu kundërvu bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbështetje të myslimanëve të Bosnjës e të Kosovës.

Në rajonin e Evropës Juglindore dhe Qendrore, veprojnë 6 nisma rajonale, të iniciuara dhe të mbështetura nga fuqi të ndryshme me peshë e me interesa për këtë rajon. Mendoj se një nga më të rëndësishmet është ajo e CEFTA-s, që u nënshkrua 15 vjet më parë, në prill 2006, në Bukuresht. Nëpërmjet CEFTA-s u krijua një kornizë e bashkëpunimit tregtar rajonal, drejt krijimit të një zone të tregtisë së lirë midis vendeve në tranzicion, kryesisht pjesë e Ballkanit Perëndimor.

Si një marrëveshje që mbështetet në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Evropian, bashkëpunimi ekonomik rajonal nëpërmjet CEFTA-s u pa si mënyra më e mirë për të mobilizuar mjetet ekonomike dhe stabilizimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Serbi. Në rrugën e vështirë drejt BE-së, ndryshimet e 30 viteve të fundit i kanë evidentuar shqiptarët dhe trevat e tyre si aleatin më të sigurt e të besuar për Perëndimin: ndërkohë që janë një barrierë ndaj dyndjeve nga veriu drejt brigjeve të Mesdheut, shërbejnë si një korridor i sigurt për rrugët e kalimit të naftës dhe gazit nga Kaspiku në Adriatik. Ndërtimi i TAP-it, jo vetëm që e vërteton këtë, por na ka futur kështu nën ombrellën e hapësirave të sigurta të NATO-s dhe SHBA-ve.

Çdo “kërcënim” me rrezikun e mbushjes së boshllëkut me praninë e financimeve, investimeve apo influencës së ndonjë fuqie tjetër nuk ka vend dhe nuk besoj se merret seriozisht. Rasti i Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë e tregon këtë gjë më së miri. Gjithsesi me sa duket, për çështjen shqiptare nuk ka ende një projekt përfundimtar. Kosova dhe balancat shqiptaro – sllave në Rajon mbeten edhe sfida e fundit brenda hapësirave të Evropës gjeografike edhe për disa vite në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Mbetet i hapur problemi nëse Ballkani Perëndimor do të përfshihet në familjen evropiane me vendime politike, apo do të ndiqet skema e zbutjes graduale nëpërmjet përafrimit të parametrave ekonomikë, duke spostuar vëmendjen nga ndjenjat nacionaliste, në dëshirën për të jetuar më mirë. (*Fjala e mbajtur në takimin e organizuar në Universitetin Shtetëror të Prishtinës, në prani të trupit akademik dhe të ftuar të tjerë nga universitetet private të Kosovës. Fjala është bazuar kryesisht në veprimtarinë e ambasadorit Dervishi në disa vende të rajonit, duke u përqendruar në ngjarjet e Kosovës, trevave shqiptare në rajon, problemeve të Ballkanit Perëndimor dhe raportet e këtij të fundit me proceset e integrimit evropian.

Shënimet e nxjerra nga dy librat, botuar kohët e fundit me kujtimet e ambasadorit Dervishi, duket sikur kanë të bëjnë me të shkuarën, por me një lexim të kujdesshëm vihet re se ato janë më se aktuale dhe shpjegojnë disa nga ngërçet dhe hezitimet që kanë qeveritë dhe institucionet e rëndësishme vendimmarrëse për të përfshirë vendet e BP në familjen evropiane si anëtare me të drejta të plota.)

© Panorama.al

Te lidhura