Nga internimi deri në Parlament, deputeti i Tropojës: Njohjet e mia me Berishën e Bashën. Përkrah Ramës për…

Aug 22, 2017 | 11:27
SHPËRNDAJE

Isuf Çelaj ka lindur në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. Origjina e tij vjen nga trojet shqiptare matanë kufirit, në Vuthaj, të krahinës së Plavës dhe Gucisë, zonë kjo e njohur për patriotizmin ndër vite. Z.Çelaj tregon për “Gazeta Shqiptare” për dëbimin e familjes nga Mali i Zi, vendosjen në Malësinë e Gjakovës, burgosjen e të atit gjatë diktaturës komuniste, internimin në kampet e përqendrimit në jug të vendit, rikthimin në vendlindje dhe lidhjet e para me PD-në. Më 25 qershor është i mandatuari i banorëve të Tropojës drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ai flet për njohjet me Sali Berishën, ndikimin e tij gjithmonë te vota djathtas e tropojanëve, punën disavjeçare në të njëjtin institucion me Lulzim Bashën dhe se si nuk do të ngurrojë të ecë përkrah me kryeministrin socialist Edi Rama për hir të zgjidhjes së kërkesave që kanë banorët e Malësisë së Gjakovës.

18952552_117065775554767_1515797009432723542_n

Çelaj, çfarë ju shtyu që të bëheni pjesë e politikës, konkretisht PD-së?

Angazhimi im në politikë, dhe konkretisht te PD-ja, ka zanafillën e vet që me lindjen e pluralizmit në dhjetor ’90 e janar ’91 në qytetin e Bajram Currit. Në vazhdim kam mbështetur të djathtën, nisur edhe nga origjina e familjes sime, pasi bëjmë pjesë në familjet e persekutuara nga regjimi komunist, duke qenë pjesë e grupit për ngritjen e strukturave për themelimin e degës së PD-së për Tropojën. Sot i kujtoj me shumë respekt për punën e bërë dhe sakrificat e guximin e treguar në atë periudhë miqtë e mi, si kryetarin e parë të PD-së së rrethit, mësuesin tim të tetëvjeçares, z. Rasim Hasani, dhe intelektualët e tjerë si Hysen Osmanaj, Jakup Hoxha, Aleksandër Biberi, Sabah Jemishta, Halil Mala (Gjongecaj), Osman Islamaj, Hysni Hoxha, Rame Dunisha, Xhevdet Mehmeti, Ali Metaliaj, Sherif Hasandoci, Hasan Ponari, Muzli Dardha, Hasan Vatoci etj., ku për momentin nuk po më kujtohen emrat, pasi presionet e kërcënimet që na bëheshin nga elementet e partisë-shtet ishin të shumta.

Ju vini nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, por kush është në të vërtetë Isuf Çelaj?

Kam kryer arsimin e mesëm në Tropojë dhe Universitetin Bujqësor të Kamzës në Tiranë me rezultate të larta, ku në përfundim të studimeve, dekanati i fakultetit kërkoi të më mbanin asistent-pedagog, por për arsye biografie nuk arrita të qëndroja. Kam punuar katër vite në Kooperativën e Margegajve si mjek veteriner, pastaj në vitet ’92-’95 si asistent-pedagog në UB Kamëz. Më pas kam punuar në Ministrinë e Rendit deri në vitin ’98. Jam diplomuar si jurist në Universitetin Shtetëror të Tiranës pranë Fakultetit të Drejtë- sisë. Nga viti ’98 deri në shtator 2005 kam punuar në sektorin privat. Kurse nga viti 2005-tetor 2013 kam punuar në Ministrinë e Brendshme si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse e Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, detyra të cilat jam munduar t’i kryej me korrektësi dhe integritet moral në respekt të ligjit, por edhe të njerëzve, pa bërë asnjë dallim politik apo partiak, të majtë apo të djathtë. Siç ju thashë më sipër, lidhja ime me të djathtën është e kahershme. Familja ime është me origjinë nga Vuthaj, fshat në trojet etnike shqiptare të krahinës së Plavës e Gucisë e një nga trevat më patriotike shqiptare, ku edhe kanë dhanë jetën në luftë me forcat serbo-malazeze në mbrojtje të këtyre trojeve. Kemi qenë shtëpi e madhe e me emër në zonë (Shtë- pia e Çelës së Vuthajve) me prona (livadhe, kullota, pyje e bjeshkë) e me numër të madh tufash me bagëti (dele, lopë, kuaj), edhe andej kufirit në Vuthaj, edhe këtej kufirit, nga ana shqiptare, në pjesën e Ceremit në Vranicë e Markofcë. Pra, nisur nga kjo origjinë, lidhja ime me të djathtën ka qenë krejt e natyrshme, shtuar kësaj faktin se babai im, Zenel Çelaj ka qenë i internuar nga regjimi i kaluar në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet ’51-’53 dhe në burg, në hetuesi speciale për rreth dy vite, ku pastaj në vitin ’58 deri në vitin ’66 e gjithë familja ime është internuar për arsye politike në kampet e internimit të Lushnjës, si në Savër, Plug, Gradishtë e Çermë, ku edhe kam lindur.

Çfarë do të thotë për ju të përfaqësosh popullin e Tropojës në Kuvendin e Shqipërisë?

Të përfaqësosh popullin e Malësisë së Gjakovës në tempullin më të lartë të demokracisë siç është Kuvendi i Shqipërisë është nder e krenari, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe, pasi hallet dhe problematikat në këtë zonë janë të shumta dhe ndjenja e përgjegjësisë për të bërë diçka më mirë për ata njerëz fisnikë e krenarë është shumë e madhe për mua!

PD-ja akuzon mazhorancën qeverisëse se më 25 qershor bleu votat e shqiptarëve. A u vu re një gjë e tillë edhe në zonën tuaj elektorale dhe përse nuk ‘shiten’ tropojanët, por historikisht votojnë PD-në?

Të them të drejtën, në formimin tim as që mund të perceptohet shkuarja në parlament si deputet me vota të blera. Me keqardhje e them se ky fenomen ka lulëzuar në këto dy-tre palë zgjedhjet e fundit në Shqipëri, gjenezën e të cilit duhet ta shohim në nivelin e moralit që kanë forcat politike si dhe në njerëzit e figurat që ata zgjedhin për t’ia paraqitur elektoratit që t’i përfaqë- sojnë, ku tendencat e këtij fenomeni u vërejtën edhe në qarkun e Kukësit. Por me një ndryshim, se te malësorët e Malësisë së Gjakovës, sekserët e blerjes së votave nuk arritën që të dominojnë, pasi malësorët janë njerëz fisnikë dhe me shumë dinjitet e krenari, dhe sado të varfër që të jenë ata nuk shiten e nuk blihen. Cilësi këto që unë ua kam evidentuar me shumë respekt në çdo takim elektoral që kam pasur me ta gjatë fushatës. Gjatë punës sime si parlamentar do të luftoj me çdo mjet për dhënien fund njëherë e mirë këtij fenomeni denigrues për shoqërinë tonë dhe frenues i rrugës sonë drejt Europës ku duam të shkojmë sa më parë, pasi është e paimagjinueshme që njerëzit të shesin fatin e të ardhmes së fëmijëve e familjarëve për një thes miell. Kështu që kjo histori dhe ky veprim kriminal duhet të marrë fund njëherë e mirë!

Sa ka ndikuar emri i Sali Berishës ndër vite te vota djathtas e tropojanëve?

Ky ndikim ka qenë, është edhe do të jetë evident edhe në të ardhmen, pasi me emrin e z. Berisha, punën dhe veprën e tij lidhet historia e ndryshimeve epokale të Shqipërisë, me rrëzimin e një prej diktaturave më të egra në Europë, lindjen e pluralizmit e zhvillimin e demokracisë. Populli i Malë- sisë së Gjakovës ndihet krenar për të. Po ashtu Tropoja është vendlindja e Azem Hajdarit, heroit të demokracisë, udhëheqësit të Lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, ku me veprën e tij bëri të jemi krenarë, dhe kjo ka ndikimin e vet në votimin djathtas në vite të popullit të Tropojës.

Cilat janë njohjet tuaja me ish-liderin historik të PD-së Berisha?

Njohjet e mia me z. Berisha janë pas viteve ’91, nisur nga ato aq angazhime sa kam pasur në strukturat e PD-së si dhe në pozicionet e punës që kam kryer në Ministrinë e Brendshme, por jo se kam lidhje farefisnore me të apo lidhje të tjera. Z. Berisha mbetet për mua një lider i padiskutueshëm, politikani më punëtor dhe i guximshëm në Shqipëri, ku nën drejtimin e tij PD-ja bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në KE, anëtarë- simin në NATO, liberalizimin e vizave e lëvizjen e lirë të shqiptarëve në EU, ndërtimin e veprës më të madhe për të gjithë kombin, atë të autostradës që bashkon Kosovën me Shqipërinë, të ashtuquajturës Rruga e Kombit, si dhe ndërtimin e një infrastrukture rrugore moderne për të gjithë vendin etj.

Po me kreun aktual të PD-së, z. Lulzim Basha, cilat janë njohjet tuaja?

Me z. Basha jam njohur në vitin 2005, pas afrimit të tij te struktura e KOP-it dhe zgjedhja e tij deputet e ministër. Kam punuar me z. Basha kur ai ka drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kam qenë një ndër bashkëpunëtorët e tij të afërt, që gjatë asaj periudhe është bërë i mundur plotësimi i angazhimeve të MB në kuadrin e realizimit me sukses të procesit të liberalizimit të vizave, ku z. Basha ka kontributin e vet të pamohueshëm. Pastaj në vazhdimësi, raportet e mia me z. Basha kanë qenë e janë korrekte në marrëdhëniet si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe si Koordinator i ngarkuar në Degët 1 e 2 të PD-së në Tiranë, e sot si deputet i Tropojës.

Lajmin e plotë në Gsh.al

http://www.gsh.al/2017/08/22/nga-internimi-deri-te-salla-e-parlamentit-flet-deputeti-i-tropojes-ja-njohjet-e-mia-me-berishen-dhe-bashen-perkrah-rames-per/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura