Nga interneti falas për studentët tek masat mbrojtëse për stafin mjekësor, propozimet e PD për COVID-19

Mar 13, 2020 | 19:56
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot nga qeveria që të shpërndajë ndihma për familjet në nevojë në mënyrë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre duke mos rrezikuar kështu edhe infektimin nga koronavirusi i ri COVOD-19. 

basha

Sipas kreut të selisë blu rreth 80% e familjeve shqiptare jetojnë me të ardhura minimale. Pamundësia ekonomike nuk i jep mundësi këtyre familjeve që të sigurojnë ushqimet bazike për të mbijetuar.

Po ashtu pas nismës së Ministrisë së Arsimit për të vazhduar leksionet “online”, Basha kërkon internet falas për nxënësit dhe studentët.

“I bëj thirrje qeverisë të marrë të gjitha masat për t’u mundësuar familjeve në nevojë dhe në pamundësi gjërat më të domosdoshme për të kaluar këtë krizë dhe për të ruajtur shëndetin duke mundësuar që asnjë familje mos të mbetet pa ushqim dhe mjete higjenike. 

Ju bëj thirrje kompanive celulare të sigurojnë akses pa pagesë në internet për fëmijët dhe studentët që në javët në vazhdim do të zhvillojnë online procesin mësimor. Ky kontribut për mësimin online të fëmijëve, do të ishte shumë i çmuar dhe i vlerësuar”, propozon Basha.

Një ditë më parë kreu i selisë blu i bëri thirrje kryeministrit që të rishoh buxhetin për vitin 2020 me qëllim rritjen e buxhetit për Ministrinë e Shëndetsisë për të blerë pajisje mbrojtëse për stafin mjeksor dhe sete testesh për pacientët që dyshohet se janë të prekur nga COVID-19.

“Alokimin e fondeve të nevojshme në përballimin e kostove për testimet për personat që mund të jenë prekur nga COVID -19 dhe për trajtimin e të sëmurëve, numri i të cilëve është rritur që nga momenti i zbulimit të ‘pacientit 0’ dhe pritet të rritet dita-ditës. Nuk duhet të ketë mungesë fondesh për të blerë të gjitha pajisjet, kitet e nevojshme testuese dhe aparaturat për trajtim, sepse koha nuk pret, koha kushton jetë! Rritjen e fondeve në buxhet për mbrojtjen shëndetësore në tërësi. Rritjen e fondeve në buxhet për mbrojtjen sociale, sidomos ndaj atyre të moshës së tretë”, propozoi PD të enjten.

Masat e ndërmarra deri tani nga qeveria për të bllokuar shpërndarjen e koronavirusit pritet të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë e bizneseve.

Për të zvogëluar sa më shumë dëmin ekonomik të bizneseve kreu i selisë blu tha se qeveria duhet të marrë në konsideratë pasojat ekonomike dhe sociale, ndaj ai propozoi pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithe konsumatorët, si bizneset dhe familjet.

“Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (dhe shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse). Përjashtimin nga tatim-fitimi për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj për të gjitha subjektet në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur, me qëllim përballimin e plotë të ‘2-muaj’ kosto të pagave të punonjësve dhe ambjenteve të marra paraprakisht me qera për zhvillimin e aktivitetit. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur. Përjashtim nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.  Mbështetje me fokus të veçantë për sektorët prioritare dhe sektorët me vulnerabël, siç janë; sektori i turizmit apo sektori fason, apo call center” propozoi Basha ditët e para që shqipëroi rastin e të prekurve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura