Nga influenca ruse, ekstremizmi e roli në Ballkan… Argumentet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e bazës së NATO-s në Shqipëri

Aug 5, 2018 | 22:49
SHPËRNDAJE

Kërkesa nga autoritet shqiptare drejtuar NATO-s për ndërtimin e një baze ushtarake të Aleancës së Atlantikut në Shqipëri, nuk bëhet për herë të parë. Faktin e ka pranuar ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në Prill të këtij viti, gjatë së cilës ka treguar edhe argumentet që i ka dhënë sekretarit amerikan të Mbrojtjes James Mattis, gjatë takimit me të në Pentagon. Takim që është zhvilluar para se ministrja të jepte intervistën.

“Kërkesa jonë, kërkesa e ministrisë së mbrojtjes në takimin me sekretarin Mattis vjen edhe si rezultat i faktit që NATO sot nuk ka kapacitete të saj në Ballkanin perëndimor. Duke pasur këtë parasysh, duke patur parasysh edhe rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan, bëmë një kërkesë për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, qofshin këto baza ushtarake, apo kapacitete ajrore, detare e tokësore si mundësi për të ofruar një garanci për NATO-n dhe për SHBA-të për të përballur sfida që vijnë nga Lindja dhe nga jugu”, shprehej ministrja.

Pyetjes “kjo duhet për t’u bërë ballë rreziqeve që vijnë nga Rusia”, ministrja iu përgjigj:

“Pa diskutim, nga Rusia edhe nga jugu, që kanë të bëjnë me influencën ruse, apo që kanë të bëjnë me ekstremizmin fetar, që ne i kemi parë përmes influencës së vet në Ballkanin perëndimor. Nga ana tjetër, një mundësi, një kapacitet i shtuar i NATO-s apo i SHBA-ve në rajon do të sillte një standard tjetër për ata sektorë të ekonomisë, infrastrukturës.

Ndoshta këto nuk janë çështje për t’u biseduar dhe eksploruar në një studio televizive, por është e vërtetë ajo që ju thashë pak më parë: influenca ruse në rritje, pra, rreziqet që vijnë nga lindja, por edhe rreziqet që vijnë nga jugu përmes ekstremizmit fetar, apo përmes aktorëve të tjerë joqeveritarë, të cilët përpiqen të destabilizojnë rajonin në funksion të interesave të tyre. Këto janë çështje të sigurisë, që bashkë me aleatët ne i konsiderojmë; ka për t’u marrë seriozisht, ka për të mos u marrë seriozisht.

Por kërkesa ime ka të bëjë me faktin që një prani e NATO-s ose e SHBA-ve për Ballkanin perëndimor unë besoj që në këtë moment do të ishte shumë e domosdoshme. Janë rrethanat që diktojnë vendime dhe nëse rrethanat janë të tilla, që kërcënimet dhe sfidat që vijnë nga lindja dhe nga jugu janë të tilla për të na diktuar këtë vendim unë shpresoj që ata do ta konsideronin me seriozitet”.

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri me dije se lajmin së Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, e që do jetë në Shqipëri.

Duke e cilësuar “një lajm shumë të mirë”, Rama u shpreh:

“Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për

furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky Investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standart të ri për Forcat tona të Armatosura.

Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit.

Paralelisht, po zhvillohen diskutime direkte me partnerin tonë strategjik, SHBA, për modernizimin e mëtejsh kapaciteteve ajrore shqiptare. Së shpejti, pritet qe vendimet e përbashkëta të këtyre diskutimeve do të shkojnë për miratimin e Kongresit Amerikan”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura