Nga idhulli tek eksperienca me Kombëtaren, rrëfehet talenti i Shpresave: Ju tregoj objektivin tim

Apr 8, 2021 | 11:08
SHPËRNDAJE

Armelindo Mema është një nga talentet më premtues shqiptar të momentit, teksa sulmuesi 18-vjeçar i cili aktivizohet me QPR-në e cila militon në Championship-in anglez është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren shqiptare U-19 muajin e kaluar me trajner Armando Cungun, nga ku vlen të theksohet se talenti i QPR-së është aktivizuar edhe në grupmoshat e tjera të kombëtareve. Së fundmi Mema ka folur për rubrikën “Talenti Shqiptar” në “FSHF.org”, ai shprehet se ndihet shumë mirë me fanellën kuqezi dhe nuk e fsheh kënaqësinë e të qenit pjesë e ekipeve kombëtare:

ARMELINDO MEMA

Eksperienca me Kombëtaren U-19 – “Marrëdhënia ime me lojtarët dhe me trajnerin në ekipin Kombëtar U-19 është e shkëlqyer. Shkoj mirë me të gjithë shokët e skuadrës. Mund të them se atmosfera është pozitive dhe puna që bëhet është shumë profesionale. Gjithashtu, më kanë pritur shumë mirë që të gjithë dhe më kanë bërë të ndihem si në shtëpi.”

Momenti më i bukur me Kombëtaren – “Momenti më i bukur për mua me fanellën e Shqipërisë ishte ai kur luajta në miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut U-18 në prill të vitit 2019 në stadiumin e Librazhdit. Arrita të shënoj golin e vetëm të takimit në minutat e fundit dhe falë atij goli ne fituam me rezultatin 1-0. Të festoja me skuadrën, tifozët dhe familjarët e mi në stadium ishte një ndjesi fantastike.”

Objektivi – “Objektivi im është që të bëhem një futbollist gjithmonë e më i mirë si edhe të transferohem në një klub të madh në një prej kampionateve më të rëndësishme në Europë. Gjithashtu, synoj që të përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë në turnetë ndërkombëtare dhe të luaj sa më shumë ndeshje me fanellën kuqezi.”

Idhulli – “Idhulli im në futboll është Kristiano Ronaldo. Kur isha i vogël ndiqja shumë ndeshje të Mançester Junajtid dhe duke parë këtë kampion në fushë u bëra edhe tifoz i skuadrës së madhe angleze. Përkushtimi ndaj futbollit dhe puna e palodhur e Ronaldos janë një frymëzim i madh për mua.”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura