Nga hetimi për Tahirin, te zënkat me Ramën, Donald Lu: Çfarë më pëlqen te Kryeministri

Sep 13, 2018 | 23:01
SHPËRNDAJE

Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu ka treguar se gjatë kohës që ka bashkëpunuar me Kryeministrin Rama është zënë shpesh herë më të, por ka vlerësuar se ai në disa raste ka arritur ta bindë.

“S’kam qenë dakord me Edi Ramën thuajse për çdo çështje që ka arritur në tryezën e tij dhe tryezën time. Ajo që më pëlqen është që Edi Ramës i pëlqen një debat i mirë. Zihemi për shumë gjëra. E pranoj para jush se ka pasur shpesh raste kur më ka bindur për qëndrimin e tij.”, ka thënë Lu.

Ambasadori foli edhe për kërcënimet ndaj politikanëve, teksa u shpreh se amerikanët nuk kërcënojnë, por ofrojnë ujdi të pa refuzushme.

“Ne amerikanët nuk na pëlqen të kërcënojmë njerëz por na pëlqen t’u ofrojmë një ujdi që nuk mund ta refuzojnë”, ka thënë ai.

 

Qeveria ishte shumë mbështetëse kur flitej për reformën në drejtësi. Ka ndonjë person specifik për të falënderuar?

Ambasadori Lu: Po, mendoj që ndonjë historian do të hartojë një histori shumë të plotë të atyre ditëve deri tek marrëveshja. Dhe nëse historian do të isha unë, mendoj do ishin disa persona specifikë që bënë më shumë se kushdo tjetër. Ju i njihni shumë nga këta emra, por janë: Fatmir Xhafaj, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha. Nëse do më duhej të përmendja gjashtë personat më përgjegjës, këto do ishin votat e mia.

Pati ndonjë kërcënim ato ditë? Kërcënuat ndokënd?

Ambasadori Lu: Jo, ne amerikanët nuk na pëlqen të kërcënojmë njerëz por na pëlqen t’u ofrojmë një ujdi që nuk mund ta refuzojnë.

Pra, i ofruat ndokujt një ujdi që nuk e refuzonin dot ato ditë?

Ambasadori Lu: U përpoqëm t’i ndihmonim për të kuptuar vlerën e arritjes së një kompromisi. Kjo duhej. Jo sipas mënyrës sime, jo sipas Romanës, por një rrugë përpara që demokratët, LSI dhe socialistët të mund ta pranonin dhe ia dolëm në fund. E patë dramën e momenteve të fundit të asaj reforme kur ishim ulur në hollin e kuvendit, nuk e denim nëse komisioni që po hartonte hollësitë në ligj, nëse në fakt do arrinin të mbaronin fjalët e sakta për të cilat kishin rënë dakord udhëheqësit në parim. Ishte çmenduri atë natë.

Kujtoj kur erdhi Sekretari Kerry këtu. E cituam në atë kohë, në televizionin ku punoja, që…

Ambasadori Lu: …ishte kanal tjetër ama…

Po…ishte një kanal tjetër, një jetë tjetër. Në atë takim me zyrtarë të partive në qeveri, përmendi se të gjitha partitë politike duhet ta mbështesnin reformën, dhe tha, nuk flas këtu për organizatat kriminale. A ndodhi kjo? E tha vërtet këtë?

Ambasadori Lu: Jam kaq…

Ia përmendët këtë një politikani të caktuar në zyrën e tij disa muaj përpara?

Ambasadori Lu: Jam shumë i interesuar t’ju dëgjoj ta thoni këtë sepse nuk kam ide për çfarë po flisni. Është plotësisht lajm i rremë. Unë kurrë nuk kam thënë …

Jo, nuk është lajm. Po pyes, nuk është lajm.

Ambasadori Lu: Epo, është thashethem atëherë sepse nuk e kam thënë kurrë. John Kerry, çdo çast të ditës nuk e tha. Po ashtu nuk pati ndonjë tryezë me parti politike në qeveri, ndaj s’e di…

Po, me Majkon, Ramën, Ylli Manjanin, e kujtoni takimin në zyrën e Kryeministrit?

Ambasadori Lu: Pati një takim me ta, i cili ishte një takim me Kryeministrin, ku kishte ftuar persona nga brenda qeverisë. Nuk e tha kurrë këtë, Sokol. Isha aty gjatë gjithë takimit. Po dëgjoja shqip dhe anglisht dhe nuk e tha kurrë.

Mirë, atëherë kemi një ‘jo.’

Ambasadori Lu: Kemi një ‘jo,’ një ‘jo’ të vendosur.

Gjatë tre vjet e tetë muajve keni qenë shumë kritik ndaj qeverisë si dhe zyrtarëve specifikë, zyrtarëve të lartë të qeverisë. Atëherë pse kjo nuk e ka ndalur një pjesë të medias dhe faktorëve politikë këtu që t’ju etiketojnë si person që mbështet Edi Ramën?
Ambasadori Lu: Nuk mendoj se është surprizë për ju dhe ndonjë nga shikuesit tuaj se s’kam qenë dakord me Edi Ramën thuajse për çdo çështje që ka arritur në tryezën e tij dhe tryezën time. Ajo që më pëlqen është që Edi Ramës i pëlqen një debat i mirë. Zihemi për shumë gjëra. E pranoj para jush se ka pasur shpesh raste kur më ka bindur për qëndrimin e tij. Ka pasur pak raste kur e kam lëvizur unë atë nga pozicioni pakëz, por në fund, është dikush që është gati të kërkojë zgjidhje krijuese. Kërkon mënyra krijuese për të dalë nga problemet dhe më pëlqen edhe që është gjithnjë gati të flasë me opozitën. Dhe kjo nuk ka qenë gjithmonë e vërtetë në Shqipëri.

E vërtetë. Saimir Tahiri.

Ambasadori Lu: Po.

Ende pret gjyqin por duket nga fjalët tuaja se e keni marrë vendimin, që është fajtor, pse?

Ambasadori Lu: Nuk jam dakord për këtë. Nuk e kemi paragjykuar Saimir Tahirin. Ajo që kam thënë dhe do e përsëris është se shumë shqiptarë, dhe unë, mendojmë se ka prova reale që i sheh në media çdo herë që del kjo çështje, për manipulim politik të çështjes. Tani, ne besojmë, Qeveria e SHBA beson se kjo çështje është mjaftueshëm e rëndësishme sa meriton të vendoset në gjykatë nga një gjykatës që ka kaluar vetingun, sipas provave, dhe jo sipas presionit politik. Këtë kërkojmë. Mbështesim përpjekjet që kjo të shkojë përpara në mënyrë transparente. Z. Tahiri ishte ministër kur këto krime pretendohen të jenë kryer. Është logjike të mendohet se kjo çështje në fakt mund të jetë një nga të parat që do të gjykohet në një gjykatë të SPAK, nga gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar vetingun. Kjo është diçka që do ta mbështesnim fort.

Vijon

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura