Nga heqje patentash, bllokim mjeti te gjobat për këmbësorët e tregtarët, ç’ndodhi 24 orët e fundit (VIDEO)

Mar 28, 2020 | 12:08
SHPËRNDAJE

rt

Policia e Shtetit bën me dije se në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjobë 10.000 lekë, 71 shtetas, të cilët ishin duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 34 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 24 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura