Nga gjyqtarët te prokurorët e sëmurë, si shtyhen seancat për ish-zyrtarët e lartë

Jan 18, 2022 | 14:48
SHPËRNDAJE

Vijojnë të shtyhen seancat ndaj Saimir Tahirit. Për më pak se dy javë, gjyqi u shty dy herë dhe, për këtë, shkak janë bërë prokurorët e kësaj çështjeje. Ditën e djeshme Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ta shtynte sërish seancën për shkak se dy prokurorët e çështjes kishin njoftuar se janë të infektuar me Covid dhe se nuk mund të ishin të pranishëm.

tahir

Përfaqësuesit e akuzës në këtë rast janë Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Seanca e parë, në fakt, u njoftua në datën 5 janar, por u shty për shkak se gjyqtari Florian Kalaja kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen. Ai mori çështjen në dorë pas dorëheqjes së gjyqtares Daniela Shirka një ditë para seancës.

Shirka ishte e treta gjyqtare qe tërhiqej nga çështja penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, me argumentin se është në papajtueshmëri. Gjithashtu, më herët u mësua se vendosi të jepte dorëheqje edhe Miliana Muça dhe Ilirjan Olldashi.

KTHIMI I ÇËSHTJES

Në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim te një trupë tjetër e kësaj Gjykate, me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje të shumta procedurale. Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit të Posaçëm për rigjykim të Tahirit. Ndërkohë, mbrojtësi ligjor i ish-ministrit, Maks Haxhia, kërkoi prishjen e vendimit për shkak të shkeljes së procedurave dhe shqyrtimin e dosjes në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Por kjo, sipas tij, duhej të shqyrtohej nga një trupë tjetër gjykuese. Në këto kushte, Gjykata e Lartë duhej të vendoste që ose të rikthente hetimet në pikën zero, ose të rikthejë çështjen në Apel dhe të gjykohej nga një trupë e re.

Pas shqyrtimit, trupa gjyqësore vendosi që të rikthehej në Apel, nga ku u pretendua se do të merrej një vendim përfundimtar. Fillimisht Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove, ndërsa më vonë Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish-ministri bëri rekurs.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura