Nga gjykatat te taksat e tenderët, ja pse ankohen investitorët amerikanë

May 4, 2016 | 8:22
SHPËRNDAJE

Kur flitet për marrëdhëniet mes Shqipërisë e SHBA-ve, pakkush mendon për aspektin ekonomik. Perceptimi masiv në Shqipëri është marrëdhënia diplomatike dhe ushtarake. Shqipëria është sot vendi më proamerikan në Europë, por nga ana tjetër ndoshta vendi me më pak investime amerikane.

Zv.ambasadori amerikan ne Tirane, Daviz Muniz
Zv.ambasadori amerikan ne Tirane, Daviz Muniz

Në një intervistë për “Panorama”, zv.ambasadori amerikan në Tiranë i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Sipas David Muniz, marrëdhënia ekonomike SHBAShqipëri nuk është aq energjike, sa do të donin të dyja palët.

Por cilat janë arsyet pse sipërmarrësit amerikanë nuk po zgjedhin Shqipërinë? E para, ndoshta edhe për klimën politike aktuale, është Reforma në Drejtësi. Muniz liston në intervistë se është pikërisht korrupsioni në gjykata i pari problem që largon investimet amerikane nga Shqipëria. Por ka edhe të tjera: pronat, taksat, tenderët dhe shumë procedura të tjera administrative kanë krijuar një klimë jo fort të pranueshme për investitorët përtej Atlantikut.

Por ajo që është më thelbësore, është largimi i atyre pak investitorëve që kanë pranuar tregun shqiptar. Shqipëria së fundi po shikon nga Lindja e Largët, duke ftuar direkt apo indirekt në privatizime dhe punë publike firma kineze. Përgjigja e Muniz është e qartë:

“Edhe pse mund të jetë gjë e mirë që kompanitë kineze po investojnë në Shqipëri, do të sugjeroja që qeveria të shohë mirë se pse dy kompani madhore të Amerikës së Veriut po përpiqen të largohen nga vendi, në vend që të zgjerojnë praninë e tyre këtu në Shqipëri”. Për amerikanët, çështja e “Panama Papers” ka një rëndësi të veçantë.

Muniz përgjigjet: Nëse autoritetet shqiptare kërkojnë ndihmën e qeverisë së SHBA-ve për të identifikuar veprimtari të paligjshme nga shtetas shqiptarë që lidhen në njëfarë mënyre me Shtetet e Bashkuara – për shembull, duke u përpjekur të fshehin asetet atje – ne kemi qenë dhe do të jemi të lumtur të japim ndihmë.

Shqipërinë e ka vizituar Presidenti Bush dhe disa nga sekretarët e shtetit. Së fundmi, Kryeministri Rama takoi Presidentin Obama dhe zv.presidentin Biden. Në deklaratat e shtypit për takimet është folur vetëm për bashkëpunim diplomatik dhe ushtarak në kuadër të NATO-s. Kjo lloj marrëdhënieje, vetëm diplomatike, vjen si pasojë e mungesës së kërkesave nga qeveria apo bizneset shqiptare, apo ka ndonjë arsye tjetër që ekonomia është një temë që nuk preket në këto takime?

Së pari do të thosha që marrëdhënia jonë nuk kufizohet vetëm në planin diplomatik dhe politik, edhe pse hera-herës mund të duket kështu. Siç e dini, në angazhime të nivelit të lartë dhe në mesazhet publike që vijnë nga këto angazhime, prirja është që fokusi të vihet te pikat kryesore strategjike. Çështjet që përmendët – bashkëpunimi diplomatik dhe ushtarak – janë vërtet në majën më të lartë të axhendës sonë. Kjo nuk do të thotë që nuk diskutohen edhe çështje të tjera. Megjithatë, pyetja juaj lidhur me ekonominë është shumë e mençur. Marrëdhënia ekonomike SHBA-Shqipëri nuk është aq energjike, sa do të donin të dyja palët, për një numër arsyesh, disa prej të cilave nuk mund t’i kontrollojmë. Për shembull, sfidat globale dhe rajonale ekonomike që vazhdojnë, çmimi i ulët i naftës, si dhe faktorë të tjerë e kufizojnë interesin e investitorëve amerikanë për të shqyrtuar mundësitë në Shqipëri. Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që janë më të lehtë për t’u ndryshuar dhe ndikuar. Mund të them që janë disa hapa që, nëse do të ndërmerreshin, mund ta përmirësonin klimën e investimeve – ne e dimë që qeveria është duke shqyrtuar mënyrat se si ta bëjë këtë. Po ashtu, dua të shtoj se, në mendimin tim, Shqipëria ka potencial shumë të madh. Është një pyetje që ma bëjnë shpesh shqiptarët, të cilët hera-herës nuk e shohin potencialin që ka vendi i tyre për zhvillim ekonomik. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, si dhe dalja në det janë avantazhe të jashtëzakonshme. Shqipëria ka burime natyrore, përfshi potencialisht sasi shumë domethënëse nafte dhe gazi, të cilat aktualisht janë larg zhvillimit maksimal. Po në sektorin e energjisë, përparimi i bërë me TAP është një tjetër histori tjetër pozitive e rëndësishme. Klima është e favorshme dhe toka është shumë e pasur – këtu mund të rritet thuajse çdo gjë në mënyrë të suksesshme. Forca shqiptare e punës ka një përqindje të lartë punëtorësh shumëgjuhësh që janë në dispozicion me kosto relativisht të ulët, krahasuar me të tjera vende europiane. Shqiptarët përgjithësisht kanë predispozitë të favorshme ndaj vizitorëve të huaj, gjë e cila bashkë me faktorë të tjerë, krijon potencial të madh për turistët. Është edhe diaspora e konsiderueshme që ka para për të investuar. Dhe të gjitha këto në një vend me rreth tre milionë banorë. Së fundi – dhe kjo është ndoshta diçka tek e cila shqiptarët nuk përqendrohen dhe aq, sepse nuk ka qenë asnjëherë problem këtu – vendi juaj nuk ka në shpinë barrën e atyre çështjeve nga të cilat vuajnë shumë vende të ish-Jugosllavisë dhe, për rrjedhojë, është më i lirë si aktor ekonomik në këtë rajon. Të gjitha këto janë shumë pozitive, por sigurisht që ka nevojë të punohet për ta ndihmuar Shqipërinë të arrijë potencialin e vet të lartë.

A ka një shkëputje mes dimensionit politik dhe atij ekonomik që SHBA-të synojnë në Shqipëri? Për ta bërë më të thjeshtë, në rast se diskutohet për marrëdhëniet me Gjermaninë, Italinë apo edhe Japoninë e largët, menjëherë flitet për financimet deri në miliarda që ata kanë dhënë për Shqipërinë. Ndërkohë që mënyra e vetme me të cilën perceptohet ndikimi amerikan është ai politik.

Nuk do thosha se ka një shkëputje, por sigurisht që ka një nivel të ndryshëm intensiteti midis anëve politike dhe ekonomike të marrëdhënies sonë, dhe kjo është pasojë e një sjelljeje ekonomike normale. Gjermania është gjeografikisht shumë më pranë Shqipërisë dhe rajonit dhe për pasojë, kompanitë gjermane shohin një gamë më të gjerë mundësish këtu – të cilat kanë më shumë logjikë biznesi – sesa kompanitë amerikane. Kjo është edhe më e vërtetë për kompanitë italiane, duke pasur parasysh marrëdhënien e gjatë dhe të mirëzhvilluar ekonomike midis Italisë dhe Shqipërisë, si dhe afërsinë fizike. Të njëjtat lloj investimesh që mund të ndjekin kompanitë nga këto vende – prodhime të lehta, shërbime etj. – thjesht nuk kanë aq shumë logjikë biznesi për kompanitë amerikane, sepse nuk ofrojnë të njëjtin potencial. Ajo që shpesh shikohet nga kompanitë amerikane këtu është investimi potencial në shërbime dhe ndoshta eksport i mallrave të konsumit. Megjithatë, e juaja është ende një ekonomi e vogël dhe në zhvillim, kështu që potenciali i fitimit për kompanitë amerikane është edhe më i kufizuar.

Pse nuk ka dhe pse po ikin të paktët investitorët amerikanë? (Deklarata e kreut të Dhomës Amerikane: Një miliarder amerikan po ikën nga Shqipëria si pasojë e mosbashkëpunimit me “Albpetrol”). A keni ju si ambasadë ankesa, apo kërkesa, të ngelura në letër nga investitorë amerikanë, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë bashkëpunim me autoritetet vendëse për të realizuar investimin e tyre?

Sigurisht kemi disa shqetësime mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me sistemin ligjor. Ju nuk do të habiteshit nëse them se kemi shumë ankesa nga investitorë lidhur me zbatueshmërinë e kontratave dhe korrupsionin në sistemin e gjykatave. Kjo është një pikë e rëndësishme. Gjatë vitit të kaluar kemi shpenzuar një sasi të konsiderueshme kohe, duke folur për çështjen e Reformës në Drejtësi dhe se sa e rëndësishme do të jetë kjo reformë për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë penale – Reforma në Drejtësi do të jetë kritike për të përmirësuar klimën e investimeve. Nuk jemi i vetmi mision në Shqipëri që kemi shqetësime për mënyrën se si trajtohen investitorët në sistemin e gjykatave. Mund t’ju them që qeveria është plotësisht në dijeni të përfitimeve të reformës për ekonominë. Lidhur me shqetësimet për sistemin gjyqësor, kompanitë nga SHBA-të, po ashtu ngrenë rregullisht shqetësime lidhur me korrupsionin në Shqipëri. Sipas ligjit të SHBA-ve, nënshtetasit apo kompanitë amerikane që japin rryshfet për një zyrtar publik mund të gjobiten ose të përfundojnë në burg. Kompanitë tona e marrin shumë seriozisht këtë, ndaj kur një vend renditet rregullisht në radhët më të fundit në Europë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, kjo patjetër i tremb investimet nga SHBA. Kur flasim për zbatimin e kontratave, një aspekt shumë i rëndësishëm, është nevoja për të respektuar arbitrazhin ndërkombëtar. Shumë kompani ndërkombëtare zgjedhin ta përfshijnë arbitrazhin në kontratat e tyre dhe çfarëdo shenje se një qeveri mund të mos e respektonte një proces të tillë, merret shumë seriozisht (dhe negativisht) nga tregjet ndërkombëtare. E lidhur me këtë është edhe një çështje që njihet mirë – të drejtat e pronës. E dimë që kjo është një prioritet i lartë, por mund të them se shumë investitorë të mundshëm shqyrtojnë të drejtën e pronës dhe duan të jenë të sigurt që do të jenë në gjendje të zotërojnë pronë pa ndonjë komplikim apo sfidë ligjore. Kjo është veçanërisht problematike për industrinë e turizmit. Zbatimi i legjislacionit për taksat ka qenë një shqetësim për kompanitë amerikane, të cilat përgjithësisht përpiqen të respektojnë ligjin dhe të paguajnë taksat. Në të kaluarën, disa na janë ankuar se shumë prej konkurentëve të tyre nuk i paguanin taksat. Siç e dini, kemi qenë shumë të inkurajuar nga programi i drejtuar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve për të rritur nivelin e raportimit dhe zbatimit të detyrimeve tatimore dhe për të bërë që disa nga evazorët më të mëdhenj të fillojnë të paguajnë. Ne e mbështesim këtë program me asistencën e ekspertëve të ofruar nëpërmjet USAID- it dhe nxisim qeverinë ta vazhdojë këtë program, deri sa të gjitha kompanitë shqiptare të respektojnë ligjet për taksat. Po ashtu, kemi dëgjuar shqetësime nga investitorët edhe për ndryshime të paparashikueshme në rregullore dhe rregulla. Për ta bërë më të lehtë që bizneset të respektojnë rregullat, ne kemi nxitur qeverinë të pakësojë ritmin e ndryshimeve të rregulloreve dhe të angazhohet në dialog me komunitetin e biznesit, përpara se të bëjë çfarëdo ndryshimi. Edhe procesi i tenderimit publik gjeneron shumë ankesa nga kompanitë amerikane. Ne rregullisht nxisim tenderë të ndershëm dhe transparentë me udhëzime që të gjithë tenderuesit i kuptojnë paraprakisht.

Për shkak të së kaluarës komuniste dhe të koniunkturave diplomatike (Shqipëria është anëtare e re e NATO-s), në Shqipëri ka një perceptim që për sektorët strategjikë, para interesit financiar, duhet të vendoset interesi diplomatik. E kam fjalën për ekspansionin kinez në Ballkan, por edhe në Shqipëri. Janë të paktën dy kompani të mëdha kineze që janë në tratativa për të blerë aksionet e Aeroportit të vetëm të Rinasit dhe kompanisë më të madhe të naftës “Bankers”. Si e shikon ambasada këtë zhvillim?

Në përgjithësi mendojmë se investimet amerikane sjellin me vete edhe një paketë të caktuar standardesh të larta të etikës së biznesit dhe asaj ligjore. Kjo është e vërtetë edhe për investitorë nga disa vende të tjera. Është me rëndësi që të ketë një sistem rregullator që funksionon mirë, për të siguruar që investimet bëhen brenda ligjit dhe që të jenë me përfitim për investitorin, por edhe për vendin pritës. Edhe pse mund të jetë gjë e mirë që kompanitë kineze po investojnë në Shqipëri, do të sugjeroja që qeveria të shohë mirë se pse dy kompani madhore të Amerikës së Veriut po përpiqen të largohen nga vendi, në vend që të zgjerojnë praninë e tyre këtu në Shqipëri.

Së fundmi, në media po debatohet fort për “Panama Papers”. Në raportet e gazetarëve investigativë ndërkombëtarë janë zbuluar dokumente për dy kompani shqiptare dhe të paktën 22 aksionerë që kanë paratë në zona “offshore”. A ka ambasada të dhëna për aktivitete joligjore të kompanive shqiptare apo politikanëve ose zyrtarëve të lartë, që kanë lidhje me to?

Sigurisht, veprimtaritë e paligjshme në përgjithësi janë çështje me interes të madh për publikun shqiptar, ashtu si duhet të jenë. Siç jeni në dijeni, qëllimi ynë kryesor këtu është të përfaqësojmë dhe çojmë përpara interesat e SHBA-ve. Për aq sa ndonjë kompani apo individ në Shqipëri mund të përbëjë kërcënim për interesat amerikane, nëpërmjet veprimtarish të paligjshme apo sjelljeje penale, ne kemi interes të mësojmë për to dhe të përgjigjemi si duhet. Nëse autoritetet shqiptare kërkojnë ndihmën e qeverisë së SHBA-ve për të identifikuar veprimtari të paligjshme nga shtetas shqiptarë që lidhen në njëfarë mënyre me Shtetet e Bashkuara – për shembull, duke u përpjekur të fshehin asetet atje – ne kemi qenë dhe do të jemi të lumtur të japim ndihmë. Sidomos, duke qenë se jemi aleatë, Shtetet e Bashkuara duan që Shqipëria të ketë një demokraci dhe ekonomi sa më të fortë dhe energjike.

REDI GJUZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura