Nga Gërdeci në Gërdec

Sep 26, 2020 | 18:12
SHPËRNDAJE

ELISA SPIROPALI

elisa spiropali

Si e keni ndërment të hyni në tempullin e qeverisjes ju shakaxhinjtë e politikës?

Nga dera?

E pamundur të hyni nga dera. Nuk hyni dot nga dera. Edhe vet e dini. Keni bërë aq prapësira sa shqiptarët nuk do ua hapin derën. Ju e keni harruar pushtetin me vota. Pushteti me vota iu ka harruar juve.

Por ju nuk epeni! Ju që nuk e merrni dot pushtetin me vota dhe nuk hyni dot në pushtet nga dera, pra, ju që pushtetin nuk e meritoni, ju që pa llokma pushteti ju dhemb koka, ju rritet temperatura, ju kap xerxeleja, një ide se nga doni të hyni në tempullin e pushtetit, e keni.

Nga dritarja?

Nuk duket ide e keqe për humbësa! Por halli është se dritaret e pushtetit janë po aq të dukshme sa edhe dera. Njerëzit janë aq të mllefosur me ju sa nuk do ju lënë të hyni nga dritarja. Nuk do ju japin as aq vota sa duhen për të hyrë nga dritarja.

Nga oxhaku?

S’është çudi që ndonjë mëndjendrituri prej jush, nga ata që ju i keni me tepricë, t’i ketë lindur ideja e ngjitjes natën fshehtas mbi çati. Pastaj të zbrisni me litar nga oxhaku. Por oxhaku është i ngushtë, mund t’ju merret fryma. Për më tepër oxhaku nuk e nxë të gjithë lukuninë tuaj. Oxhaku është edhe plot me blozë. Kur të zbrisni mbi vatër do ju djegë zjarri, do jeni mysafirë të përcëlluar, të paftuar, të nxirë. Punë që s’bëhet. Nga oxhaku që i ngjan Kalit të Trojës, është hile që nuk ecën. Harrojeni. Të squtin që ua ka dhënë këtë ide linçojeni në televizionin e ri dhe të zi si oxhak me blozë pa asnjë transparence, që e keni ngritur me pare Gërdeci, domethënë me pare gjaku. Cilësojeni “kolonë e pestë e Edi Ramës në radhët tona” budallain maskara që ju dha idenë e marrjes së pushtetit nga oxhaku. Do ju besojnë fanatikët, besnikët, militantët tuaj që i keni stërvitur duke i rrahur me vaj e me uthull për një kohë të gjatë me klishera komuniste.

S’është çudi t’ju ketë vajtur mendja ta merrni pushtetin si në romanet e Kadaresë. Duke hedhur nga jashtë kërma për ta pushtuar tempullin e pushtetit me coftina dhe yxhyme si turqit kështjellat tona? Me topa balte? Me intriga orientale? Me rrena të mëdha e të vogla? Me pijanecë virtualë?

Do ishte e kotë. Do dështonit me sukses. Votuesit e sotëm shqiptarë nuk janë mesjetarë. Mesjetarë jeni ju.

Me bombardim të tempullit?

E provuat para ca muajsh. S’ju ndezi. Ju paralajmëruan se do ju shpallin organizatë terroriste. Po e përsëritët, nuk do merren gjithë kohën me ju. Të dytën herë nuk ju paralajmërojnë.

Ndoshta doni të vini në pushtet si Selam Musai që e zuri topin nga grika me gunë përmbi tela. Ose si Vojo Kushi që e pushtoi tankun duke i hedhur një granatë brenda. Kot e keni. As njëri as tjetri, dhe të tjerë si ata të dy, nuk janë tuajt.

O zotërinj pa zotnillëk! E vetmja rrugë e juaja drejt pushtetit është ajo që keni nisur. Rruga e zvarrisjes. Llagëmet. Gjirizat. Rruga e miut.

Thirrini mendjes o të uruar. Të vini në pushtet ju duhen qindra-mijëra vota. Shqipëria nuk ka qindra-mijëra shejtan-budallenj, që të pranojnë t’ua blini votat me pare gjaku dhe me gënjeshtra.

Gjithsesi ju ca vota do i merrni. Por jo aq sa ju duhen për të hyrë në pushtet nga dera. As aq sa ju duhen për të na hequr frikën se mund të mbetemi në pushtet 20 mandate dhe 40 legjislatura. Shumë më pak. Ju do merrni aq vota sa meritoni. Aq sa u duhen krerëve tuaj të futen në parlament që të sigurojnë imunitet parlamentar për t’u ruajtur nga të papriturat që presin tek dera.

Nuk do merrni asnjë votë më tepër se sa duhen për t’i çuar opozitarët idealistë nga humbja në humbje dhe opozitën e kriminalizuar nga Gërdeci në Gërdec.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura