Nga fusha në stol, rrëfehet ish-kapiteni i Kukësit: Roli i zv.trajnerit më i vështirë

Apr 3, 2018 | 20:18
SHPËRNDAJE

Rrahman Hallaçi ka marrë ndoshta nga vendimet më të vështira në jetën e tij gjatë muajit janar, kur vendosi që të tërhiqej nga futbolli i luajtur në moshën 34-vjeçare. Por, impenjimi i tij me skuadrën e vendlindjes nuk u shkëput, pasi ai mori pozicionin e zv.trajnerit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hallaçi ka folur për punën e re që ka në klub, objektivat si dhe dënimin e Skënderbeut nga UEFA.

rrahman hallaci

Rrahman keni arritur të përshtateni në pozicionin e ri të zv.trajnerit?

Pas lënies së futbollit e kisha pak të vështirë fillimin, pasi është normale sepse kalimi nga fusha e blertë në pankinë ka një ndryshim të madh në çdo aspekt, megjithatë po përshtatem çdo ditë e më shumë në rolin e ri.

Sa e vështirë ishte të merrnit vendimin për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur?

Ishte vendim që e mora së bashku me drejtuesit dhe sidomos me presidentin Gjici, të cilin e falënderoj për çdo gjë të mirë që ka bërë për ekipin e Kukësit dhe natyrisht dhe për mua personalisht. Ishte vendim i vështirë, por jam i lumtur që dhe karrierën e trajnerit e nisa në ekipin ku nisa të mësoj futbollin.

A është i vështirë një kalim i tillë dhe cilat janë ndryshimet?

Si futbollist ka më shumë lodhje fizike, gjatë gjithë javës duhet të jesh i kujdesshëm me ushqimin, regjimin, por kuptohet, të luash futboll është ndjesi e veçantë, më shumë kënaqësi. Para se të bëhesha trajner mendoja se ky rol do të ishte i thjeshtë, por realiteti tregoi të kundërtën madje mund të them se është më vështirë sesa të luash futboll, në pankinë ka shumë përgjegjësi dhe emocion.

Çfarë ndryshimesh ka ekipi nga dy fazat e para, kur ju ishit kapiten në fushë?

Ne fazat e para nuk shkuam ashtu si duhet dhe lojtarët ishin po këta që janë tani afërsisht. Ndryshimi është se trajneri që ishte nuk arriti dot të harmonizonte grupin dhe të përshtatej me frymën e ekipit, por dhe ai bëri një punë të mirë.

Në momentin që erdhi Pakult, unë kam biseduar me të duke i shpjeguar se ekipi është pak i rënduar nga ana psikologjike. Më bëri përshtypje se në një kohë të shkurtër skuadra ndryshoi totalisht dhe lojtarët ishin më të lirshëm në fushë, pra trajneri përmirësoi anën psikologjike. Tani Kukësi ka dhe një filozofi tjetër loje në përputhje me këto elemente që kemi.

hallaci bakaj

Ecuria ka qenë e mirë, por cilat janë objektivat tuaja si staf teknik?

Falë përkushtimit maksimal të të gjithëve kemi marrë rezultate të mira dhe objektivat tona janë vendi i dytë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Mendoni se me fitoren e arritur ndaj Flamurtarit, keni siguruar vendin e dytë?

Ishte një fitore shumë e vështirë me një kundërshtar direkt për Europën. Zhvilluam një ndeshje të madhe me përmbysje rezultati, që na e shtoi edhe më shumë kënaqësinë, ndërsa vendi i dytë nuk mendoj se ende është i yni, pasi ka dhe shumë ndeshje, madje duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përqendruar në objektivin që kemi.

Jeni gjithashtu në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku luani ndaj Laçit. Si e shihni këtë përballje?

Si gjithmonë me Laçin janë ndeshje shumë të bukura dhe të vështira njëkohë- sisht. Kemi besim që do dalim me kokën lart nga Laçi. Po kalojmë një moment të mirë që do dimë ta mbajmë.

Do të synoni kualifikimin që në ndeshjen e parë?

Ne shkojmë në Laç për të fituar dhe i kemi të gjitha premisat për këtë.

Kujt i druheni më shumë në këtë përballje?

Nuk i druhemi asnjë gjëje dhe ju premtoj që do jetë një sfidë dinjitoze dhe “fair play”, të fitojë kush e meriton.

Një vit më parë Skënderbeu ju akuzoi se fituat kampionatin me pa të drejtë, ndërkohë që ata janë dënuar për trukime nga UEFA me 10 vite. Kukësi mendon tani për pjesëmarrje në Champions?

Uroj që Skënderbeu mos të dënohet. Do jetë një gjë shumë e keqe për futbollin në Shqipëri. Nuk kemi dhe nuk kemi pasur asgjë me Skënderbeun, thjesht janë emocionet e ndeshjeve dhe ndonjëherë i kalojmë ato.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura