Nga Fuat Çela i verbër te Shkurte Pal Vata, ç’thoshte Enveri në Dibër për tërmetin e ’67-ës: Po ne ku i kemi sytë…?

Dec 3, 2019 | 8:33
SHPËRNDAJE

Vetëm pak ditë pas tërmetit të fortë që shkaktoi 12 viktima dhe 171 të plagosur si dhe mijra shtëpi të rrëzuara në rrethet e Dibrës dhe Librazhdit, Enver Hoxha mbajti nje fjale te gjate në mitingun e madh të Peshkopisë, më 16 dhjetor të vitit 1967  ku dëmet ishin edhe më të mëdha.termet-2

Si i propagandonte udhëheqësi komunist Heronjtë e Punës Socialiste, si: Shkurte Pal Vata, Adem Reka, Fuat Çela, Pjetër Lleshi, Muhamet Shehu, Myrteza Kepi, etj, për të mobilizuar masat e popullit në punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara brenda muajit dhjetor të vitit 1967 siç kishte vendosur Komiteti Qëndror i PPSH-së dhe për të marrë 50 kuintalë grurë nga 40 që ishte zotimi…

NE PUNE E NE LUFTË NE DUHET TE MESOHEMI TA ORGANIZOJMË PUNËN GJITHNJË E MË MIRE NË MENYRE KRIJUESE.

Fjala e mbajtur në Peshkopi, në mbledhjen e përbashkët të kuadrove të Partisë, të pushtetit dhe të organizatave shoqërore të rretheve të Dibrës dhe të Librazhdit

 e1f00effd4028e04e696d048d521dc75

16 dhjetor 1967

Të dashura shoqe dhe shokë, vëllezër dhe motra të rretheve të Dibrës e të Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë, Më lejoni që, në emër të Komitetit Qendror, të Këshillit të Ministrave, të shokëve që ndodhen sot këtu në Peshkopi dhe personalisht timin, pas vizitës së shkurtër që bëmë në krahinat e dëmtuara nga tërmeti, në të dy rrethet tuaja, t’ju sjell përshëndetjet më revolucionare të Partisë dhe të të gjithë popullit tonë. Më lejoni, gjithashtu, t’ju them se në gjithë vendin tonë, pas fatkeqësisë që ndod

hi në këto dy rrethe, u ngritën në këmbë kudo, i madh e i vogël, për arsye se vija e Partisë sonë, lufta e saj heroike i ka lidhur njerëzit ngushtë me njëri-tjetrin, popullin tonë e ka bërë të mendojë, të luftojë dhe të ndiejë si një trup i vetëm, të mendojë, të ndiejë dhe të luftojë si revolucionar i lavdishëm.

Prandaj ishte e natyrshme që dhimbja, kur ngjau kjo fatkeqësi në rrethet tuaja, të ishte e madhe në të gjithë vendin, por krahas dhimbjes e solidaritetit vëllazëror socialist dhe njëkohësisht me të u manifestua menjëherë edhe ndjenja e fortë e papërkuljes përpara çdo vështirësie e sakrifice dhe i gjithë populli, Partia dhe pushteti u ngritën në këmbë dhe morën vendime historike revolucionare të papara kurrë ndonjëherë në të kaluarën, me një efektivitet të tillë saqë kjo fatkeqësi kaq e madhe po bëhet e mundshme të kapërcehet dhe do të kapërcehet brenda një kohe shumë të shkurtër. Të gjithë u hidhëruam, mbi të gjitha për atë që në rrethet tuaja pati 12 të vrarë dhe 171 të plagosur. Për ne, për gjithë popullin dhe Partinë tonë kjo ishte humbja më e madhe, pasi njeriu në socializëm është gjëja më e çmuar, por hidhërimit e dhimbjes së madhe që na pruri kjo fatkeqësi e rëndë e natyrës, ne duhej t’u vinim përballë trimërinë, guximin e papërkulshmërinë e shqiptarëve. Dhe kështu ngjau. Të gjithë na shqetësonte, gjithashtu, në radhë të parë çështja se po vinte dimri, prandaj medoemos duhej të merreshin masa që njerëzit e familjeve të dëmtuara të futeshin sa më parë dhe në një kohë rekord brenda nëpër shtëpi të ngrohta dhe për zhdukjen e shkatërimeve. Ne nuk na shqetësonte aspak problemi i furnizimit të materialeve, bile për këtë as që menduam fare, sepse kjo ishte një çështje e padiskutueshme përpara heroizmit të popullit të Dibrës, të Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë. Dhe ja, shoqe dhe shokë, ky qëllim i lartë i Partisë, kjo dëshirë e zjarrtë e popullit, për sigurimin e kushteve normale të strehimit të motrave e vëllezërve të dëmtuar, sot është gati duke u realizuar dhe së shpejti të gjithë pa përjashtim do të futen në shtëpitë e tyre të reja dhe më të mira.

Ne dëgjuam sot këtu raportet e shokëve kryetarë të komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve të Dibrës e të Librazhdit, në të cilat u vu në dukje se shkatërrimet nga tërmeti në këto dy rrethe nuk ishin të vogla, përkundrazi, shumë të mëdha. Por fryma e lartë patriotike, ideologjike dhe politike e masave tona punonjëse, forca e madhe organizative e Partisë dhe e shtetit tonë, organizimi në vend i forcave nga ana e komiteteve të Partisë dhe e komiteteve ekzekutive të të dy rretheve tuaja, bënë që punimet e meremetimit e të ndërtimit që nga themeli të të gjitha ndërtesave të dëmtuara ose krejt të rrëzuara, të ecin çdo ditë me një vrull të pandalshëm dhe, sikurse u raportua këtu, të përfundojnë përpara afateve të vendosura nga Këshilli i Ministrave. I gjithë populli shqiptar, shoqe dhe shokë, do të gëzohet dhe do ta konsiderojë si një nga sihariqet më të mëdha njoftimin tuaj përfundimtar mbi realizimin e plotë të punimeve. Prandaj të gjithë ju, së bashku me masat kooperativiste të rretheve të Dibrës e të Librazhdit dhe vullnetarët e ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, që i jeni përveshur me kaq zell punës për të kapërcyer sa më parë pasojat e rënda të tërmetit, mendoni për tërë popullin tonë, i cili pret me padurim të madh lajmin për realizimin përpara afatit të kësaj detyre të madhe, duke plotësuar kështu dëshirën e tij të zjarrtë.

Punoni pa u lodhur, shoqe dhe shokë, ditë e natë, si një trup i vetëm, për të zhdukur përgjithmonë pasojat e rënda, të përkohshme të kësaj fatkeqësie, në mënyrë që, kudo ku pati dëme, jeta së shpejti të rifillojë normalisht, e gëzuar dhe plot punë të frytshme për realizimin e planeve. Ne që erdhëm këtu, në këto momente të jashtëzakonshme, u prekëm me të vërtetë shumë nga ndjenjat e larta patriotike të popullsisë së këtyre dy rretheve. Këto ndjenja të zjarrta nuk mund të përshkruhen vetëm me pak fjalë që mund të them sot këtu. Nuk mund të përshkruhen ndjenjat e mirënjohjes së pafund për Partinë e pushtetin popullor, që gufonin nga zemrat e grave dhe të kooperativistëve, që takuam kudo ku shkuam. Ajo që ka rëndësi më të madhe është se çdonjëri, me të cilin u poqëm, asnjë qime nuk e ndiente veten të shkëputur nga Partia.

Për cilindo Partia dhe vetja e tij ishin bërë një. Ky është ai unitet i madh i çeliktë që Partia ka rrënjosur në popull, prandaj edhe uniteti i popullit rreth Partisë sonë të lavdishme është i pathyeshëm. Ky unitet shfaqet çdo ditë me të gjithë madhështinë e tij, por në mënyrë të dukshme ai u shfaq sidomos në këto momente të vështira që kaloi popullsia e Dibrës dhe e Librazhdit. Pikërisht në këto momente të jashtëzakonshme ky unitet arriti kulmin e vet, u shprehën edhe një herë më fort se kurrë dashuria dhe mirënjohja e thellë e popullit tonë për Partinë e tij të shtrenjtë, për pushtetin e tij popullor, për diktaturën e proletariatit. Për fatkeqësinë që na ngjau mund që edhe lot na kanë shkuar, pasi nuk i mbanim dot, se të tilla ishin shprehjet e ndjenjave fisnike të këtij populli trim e të guximshëm, i cili në këto momente të vështira tregoi forcën e karakterit të vet të lartë, ai i tregoi Partisë çfarë mundësish kolosale fsheh në gjirin e tij, ç’vepra madhështore është në gjendje të ngrejë ai nën udhëheqjen e drejtë të Partisë, me forcat dhe vullnetin e tij të çeliktë, me mendjen e tij të qartë, me duart e tij të mrekullueshme. Partia duhet të nxjerrë mësime të mëdha nga këto momente, mësime politike, ideologjike, organizative, të nxjerrë mësime nga organizimi i punës dhe nga lufta për ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve të dëmtuara, me qëllim që ta përmirësojë më tej punën saj, për të ecur kurdoherë e më mirë përpara.

Këtë që na ngjau, shoqe dhe shokë, le të mos e quajmë më një fatkeqësi, por një provë të madhe për Partinë dhe për pushtetin, për gjithë popullin tonë. Prova nëpër të cilën kaluam në këto momente vërtetoi forcën e vijës së drejtë politike të Partisë sonë, forcën e marksizëm-leninizmit, të ideologjisë sonë të lavdishme, të cilën Partia po na e mëson neve dhe popullit, çdo ditë, në punë dhe në luftë, gjatë betejave të mëdha revolucionare. Ajo vërtetoi gjithashtu, shpirtin luftarak, sulmues e vetëmohues, si dhe forcën madhe organizative të Partisë dhe të pushtetit tonë popullor. Ajo ishte një provë gjatë së cilës njerëzit do të tregonin e do të vërtetonin në jetë zotësitë e tyre për ato që kishin mësuar në jetë, në punë, nëpër shkolla, zotësi që vërtetohen çdo ditë dhe çdo orë në punë dhe në luftë. Por këtë herë ato u vërtetuan në një moment të jashtëzakonshëm që kërkonte zgjuarsi, shpejtësi të madhe në marrjen e vendimeve, njëkohësisht zotësi dhe vetëmohim të madh.

Për të gjitha këto, vëllezër dhe motra, kjo fatkeqësi ishte një provë e madhe, ishte një hallkë e zinxhirit të vrullit të madh revolucionar që ka ngritur më këmbë gjithë Shqipërinë, ishte prova e shkëlqimit të vijës së drejtë të Partisë sonë që ka ngritur peshë zemrat e gjithë popullit, të çdo njeriu tonë, të madh e të vogël, të të rinjve dhe të pleqve. Sigurisht, ne nuk e dëshironim të na ndodhte ky tërmet, por ishte jashtë mundësive tona për ta ndaluar. Ai na solli shumë të këqija, por në të njëjtën kohë, na solli edhe të mirat që përmendëm më lart, të cilat nuk mund të vlerësohen as me miliona, as me miliarda. Cilësitë e larta që ka kalitur Partia te njerëzit tanë, cilësi këto që duken e zhvillohen në të gjithë madhështinë e tyre çdo orë, çdo ditë, çdo muaj e çdo vit, janë të paçmueshme.

Ato mobilizojnë të gjitha energjitë e popullit për rritjen e prodhimit dhe krijimin e bollëkut, për ngritjen e madhe morale, politike, ideologjike te njerëzit tanë që po transformojnë e do ta transformojnë gjithnjë e më shumë vendin tonë, po përforcojnë e po zhvillojnë me një vrull gjithnjë më të madh fitoret e revolucionit tonë socialist në të gjitha fushat. Prandaj, vëllezër dhe motra të Dibrës dhe të Librazhdit, kjo fatkeqësi qoftë e shkuar dhe e harruar nga pikëpamja psikologjike. Ndërsa nga pikëpamja materiale, sikurse morët sot këtu vetë zotime, mobilizohuni me të gjitha forcat që ndërtesat e rrënuara apo të dëmtuara të ndërtohen diku më 20, diku më 25, më 27 ose 28 dhjetor, por kurdoherë përpara afatit që parashikohet në vendimin e Qeverisë. Dhe unë kam besim të plotë se me masat që kemi marrë ato do të përfundohen me siguri para fundit të këtij muaji dhe të dëmtuarit, si dhe i gjithë populli ynë, do të ndiejnë një kënaqësi të thellë, atyre do t’u rriten pa masë forcat, të cilat në të ardhmen ne duhet t’i shfrytëzojmë kurdoherë për të mirën e vendit. E para, këto momente ne duhet t’i shfrytkzojmë politikisht. Çdo ditë në vendin tonë ka shembuj të shumtë konkretë heroizmi e vetëmohimi të paparë, me të cilët mund të ilustrohet në mënyrë të shkëlqyer vija e Partisë sonë.

Dhe duke i lidhur të gjithë këta shembuj me vijën e drejtë politike të Partisë, duke i parë ata gjithmonë në prizmin politik, ne do të jemi të sigurt se këto akte heroizmi, zotësie dhe force nuk mund të venë dëm dhe as të dobësohen, përkundrazi, do të qindfishohen. E dyta, këto momente ne duhet t’i shfrytëzojmë edhe ideologjikisht. Partia gjithnjë na ka mësuar se ideologjia jonë marksiste-leniniste nuk është e pakuptueshme për masat. Përkundrazi, ajo është e kuptueshme, e kapshme nga çdo njeri, me shkollë ose pa shkollë. Por Partia duhet të punojë vazhdimisht që ideologjinë marksiste-leniniste t’ua bëjë të kuptueshme masave, duke e ilustruar atë me vetë veprat e popullit shqiptar, të udhëhequr nga Partia dhe për 167 këtë ajo i ka të gjitha mundësitë, bile sot këto mundësi mund të themi se janë shumë të mëdha. Kanë qenë pikërisht shembujt e luftës dhe të heroizmit, kanë qenë realizimet dhe iniciativat e mrekuIlueshme, guximi i madh dhe fryma e lartë e vetëmohimit të masave ato që frymëzuan dhe i bënë mësuesit tanë të mëdhenj, Marksin, Engelsin, Leninin dhe Stalinin, që të sintetizojnë teorinë tonë socialiste, e cila lind nga lëvizja krijuese revolucionare e proletariatit, e masave popullore. Në rast se njerëzit e Partisë çdo akt, çdo vepër, kolektive apo individuale, të klasës punëtore, të fshatarësisë punonjëse dhe të inteligjencies sonë, çdo sakrificë që bëjnë heronjtë tanë të punës dhe të luftës për ndërtimin e socializmit dinë (dhe ata duhet të dinë e të mësojnë) t’ia referojnë teorisë, atëherë nuk do të ketë njeri që të mos e kuptojë dhe të mos e zotërojë marksizëm-leninizmin, atëherë të gjithë do të thonë se kjo teori që na udhëheq nuk është edhe aq e vështirë. Në fakt, te ne çdo veprim ndriçohet nga teoria jonë, Partia jonë atë, marksizëm-leninizmin, ka për flamur.

Prandaj nga më i vogli gjer te më plaku, të gjithë qytetarët e Republikës sonë Popullore, që shprehen me kaq zjarr për Partinë dhe për zbatimin e vijës së saj në jetë, që ngrenë ndërtesa, hapin toka të reja, ndërtojnë kanale dhe hidrocentrale etj., etj., edhe në qoftë se nuk dinë të bëjnë teori, edhe në qoftë se nuk dinë të flasin (ashtu sikur u duk për shokun Kamber Shevroja i cili pavarësisht se nuk di të flasë me fjalë të bukura, ai i di mirë ligjet e ndërtimit të urave dhe të rrugëve dhe zbaton kështu si duhet mësimet e Partisë), kur punojnë, kur ndërtojnë gjithë këto vepra të mëdha, e zbatojnë si duhet në jetë këtë teori të lavdishme të Partisë sonë.

Tani neve na del një detyrë e madhe, ta futim akoma më me forcë ideologjinë e Partisë sonë në masat e gjera të popullit. Nuk mjafton vetëm të kemi disa qindra specialistë teoricienë. Ata nuk kanë vlerë në qoftë se teorinë nuk ua mësojnë masave, të gjithë njerëzve, edhe në praktikë, sepse socializmi është ajo forcë e madhe politike dhe ideologjike që vë në lëvizje masat punonjëse. Teoria nuk ka kuptim pa praktikën revolucionare të masave, prandaj Partia jonë, Parti me të vërtetë revolucionare marksiste-leniniste, në mënyrë konsekuente dhe kurdoherë në ngjitje, i vë në lëvizje masat tona qindramijëshe, të gjithë vrullin, deri te fëmijët që kanë fituar konceptet e para të jetës, pa përmendur këtu punën e madhe që keni bërë ju, shokë komunistë. Këtë nuk e them që të na rritet mendja, sepse edhe ne kemi gabime, të cilat popullit asnjëherë nuk ia kemi fshehur. Kush i shikon punët drejt në sy, pranon se njeriu që punon, edhe gabon.

Por, pavarësisht nga këto, realizimet në vendin tonë janë kolosale, populli shikon çdo ditë në jetë ç’forcë e madhe është Partia, dhe kur themi Partia, me këtë kuptojmë të gjithë komunistët nga të cilët ajo përbëhet. Puna e madhe e Partisë, puna e madhe e komunistëve vërtetohet çdo ditë në jetë. Janë komunistët ata që e kanë frymëzuar, që e kanë ngritur popullin politikisht e ideologjikisht, prandaj ky është bërë tanimë si një dragua i pamposhtur dhe realizon rne ndërgjegje të lartë, me besim të madh e zgjuarsi të rrallë atë që i thotë Partia. E gjithë kjo, pra, është vepra e Partisë, e komunistëve. Le ta shohim veprën e Partisë në zhvillimin e saj. Vështirësi të shumta e të mëdha kemi pasur në fillim, por ato i kapërcyem me sukses njërën pas tjetrës dhe tani jemi kalitur, kemi fituar një përvojë të madhe dhe po ecim gjithnjë përpara.

Si pasojë, edhe rezultatet e arritura janë të mëdha, të pakrahasueshme me të kaluarën. Nesër ato do të jenë akoma edhe më të mëdha. E treta, ne duhet të shfrytëzojmë në maksimum edhe përvojën e madhe në organizimin e punës që fituam nga kjo provë e madhe. Mos vallë deri tani ne nuk dinim të organizonim punën? Sigurisht, ne dinim. Ne kemi organizuar punë të mëdha, por duhet të kemi parasysh se organizimi i përsosur është vështirë të arrihet. Në punë e në luftë ne duhet të mësohemi ta organizojmë punën gjithnjë më mirë në mënyrë krijuese, sipas kushteve e rrethanave që na paraqiten. Kështu ndodhi kohët e fundit edhe në rrethet tuaja.

Organizatat e Partisë dhe organet shtetërore te ju krijuan menjëherë, pas tërmetit, në çdo fshat të prekur, shtabe për drejtimin e punëve për normalizimin e jetës së popullit të dëmtuar; ato morën të gjitha masat e nevojshme për zhdukjen e pasojave të tërmetit dhe fituan nga kjo një përvojë të madhe organizative në kushte të jashtëzakonshme e të vështira natyrore. Nga kjo përvojë duhet të nxjerrim mësim të gjithë ne, shteti, Këshilli i Ministrave, ministritë. Kjo përvojë e nxjerrë gjatë një muaji është e tillë që, në kushte normale, nuk mund të fitohej as në tre vjet dhe do të na ndihmojë në të ardhmen aq shumë sa tani është vështirë të mendohet.

Po si do të na ndihmojë? Në realizimin e planeve tona ekonomike. Ne kemi tani planin ekonomik pesëvjeçar që vendosi Kongresi i 5-të i Partisë, pas të cilit shpërtheu një entuziazëm i madh në Parti e në popull për realizimin e tij. Masat punonjëse morën zotime që janë duke i konkretizuar dhe po i kthejnë në të mira materiale. Ne sot po vëmë re se si po tejkalohen këto zotime dhe si po merren të tjera të reja, akoma më të guximshme, që jo më shumë se para pesë vjetësh, do të na dukeshin fantastike po t’i dëgjonim, ndërsa tani ato janë bërë si diçka e zakonshme dhe po luajnë një rol të madh për realizimin e detyrave të planit pesëvjeçar në industri, në bujqësi e në shumë drejtime të tjera qysh gjatë viteve 1968-1969.

Ku qëndron kjo forcë e madhe, që i bën të mundura të tilla realizime? Janë pikërisht puna e Partisë për revolucionarizimin e mëtejshëm të mendjes së njerëzve, fryma e lartë politike e vijës së saj për të krijuar të mira materiale, zbatimi i porosive të saj për të vënë politikën në plan të parë, që ngritën peshë në këmbë gjithë Shqipërinë. Kjo shpjegon edhe faktin që kur në hekurudhë ra Shkurte Pal Vata, u ngrit i madh e i vogël në të gjithë vendin, njerëzit nuk mund të përmbaheshin, as në fabrika, as në kooperativa, as në shkolla. Me qindra e mijëra letra e telegrame i kanë ardhur e vazhdojnë t’i vijnë Komitetit Qendror, kolektivat nuk shprehin në këto letra e telegrame vetëm dëshirën për të shkuar në aksion, shumë prej tyre, duke u nisur për atje, ia kanë dërguar ato Komitetit Qendror në rrugë e sipër, duke njoftuar se me iniciativën e tyre dhe pa pritur përgjigje ishin nisur dhe po marshonin drejt hekurudhës për të punuar vullnetarisht, duke i vënë kështu shtetin dhe Partinë para një fakti të kryer.

Kjo masë e madhe njerëzish, e ngritur peshë nga shembulli i një vajze të re 15-vjeçare, tregon se sa lart, me ç’frymë e hov revolucionar i kuptojnë politikisht njerëzit e Shqipërisë së re problemet e ndërtimit të socializmit. I verbri Fuat Çela, me ndërgjegjen e tij të lartë në punë, elektrizoi dhe mobilizoi gjithë punonjësit, dhe sidomos rininë tonë. Gjithsecili filloi të mendonte se ç’duhej të bënte kur Fuat Çela pa sy kryen pa u përkulur gjithë ato punë. E frymëzuar nga jeta dhe puna e tij, u ngrit peshë e gjithë Shqipëria.

I verbri na mësoi kështu të tërëve të shkundemi e të themi: «Kur Fuati pa sy vepron kështu, po ne që i kemi sytë?». Te ne po ndodh tani ajo që na mësojnë Lenini dhe Stalini, që çdo komunist në mbrëmje po i bën vetes pyetjen: «Si e kam kryer unë detyrën sot?». Në vend të Shkurte Pa1 Vatës, që ra në krye të detyrës, shkoi në hekurudhë i ati, Mehmet Elezi erdhi këtu në rrethin e Dibrës për të zëvendësuar të vëllanë që ra në kufi. Këto nuk janë akte të thjeshta. Këto qëndrime revolucionare shembullore që mbajnë njerëzit e thjeshtë të popullit tonë, kanë një kuptim të lartë politik, ato revolucionarizojnë mendjet e njerëzve tanë dhe i bëjnë ata si luanë, u qindfishojnë energjitë, u japin zemër të hidhen në zjarr po të jetë nevoja për Partinë, për atdheun, pasi janë të ndërgjegjshëm që këtë e bëjnë për veten e tyre, për atdheun e dashur, për të ardhmen e vet e të fëmijëve të tyre dhe të brezave që do të vijnë më vonë. Këto akte revolucionare që ndodhin te ne, pasqyrojnë vijën e drejtë politike të Partisë, të mbrujtur me ideologjinë tonë marksiste-leniniste. Pra, politikisht kjo provë na ngriti shumë.

Ajo do të na shërbejë neve edhe për realizimin me sukses të planeve tona. Tani që në rrethin e Dibrës dhe në atë të Librazhdit po ndërtohen me mijëra shtëpi brenda një kohe kaq të shkurtër, jo vetëm ju, por të gjithë njerëzit do të reflektojnë akoma më thellë, do të pyesin veten: «Kur në Dibër e në Librazhd po ndërtohen me mijëra shtëpi brenda një muaji, a nuk mundet që planin pesëvjeçar të hapjes së tokave të reja ta realizojmë brenda një kohe rekord?». Duke reflektuar në këtë mënyrë revolucionare, do të dalim me konkluzionin që kemi mundësi të arrijmë në rezultate të mëtejshme të shpejta, bile nga veprimtaria për realizimin e këtyre objektivave ne do të fitojmë edhe një përvojë më të mirë në organizlmin e punës. Deri tani në industri, në bujqësi e gjetkë ne kemi përvojën e punës me brigada, me brigadierë, me skuadra.

Kjo përvojë pune te ne ka marrë një rrugë të mirë, por, pas krijimit të shtabeve për drejtimin e punimeve për kalimin e pasojave të tërmetit, ju i vutë përpara përgjegjësisë komandantët dhe anëtarët e shtabeve dhe morët zotime përpara Partisë e Qeverisë për t’i realizuar para afatit detyrat që ju janë ngarkuar, sepse ato kanë një rëndësi të madhe politike, ideologjike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Atëherë e gjithë kjo forcë, kjo përvojë e fituar do të shfrytëzohet edhe në drejtim të forcimit të mëtejshëm të punës së skuadrave e brigadave të prodhimit në bujqësi, në industri etj.

Kjo frymë revolucionare do të futet, e duhet sa më parë të futet, edhe në shkollat tona. Mësuesit e shkollave tona të mbajnë kurdoherë parasysh direktivat e Komitetit Qendror të Partisë për lidhjen sa më ngushtë të mësimit me jetën dhe të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i pastruar programet dhe tekstet shkollore nga uji i tepërt që ato kanë akoma. Programet e shkollave tona të jenë të tilla, që njerëzit të dalin të mësuar prej tyre, që mësuesit të mos ua mbushin mendjen nxënësve me gjëra të kota, që nuk do t’u hyjnë kurrë në punë. Prandaj mësuesit të hedhin poshtë çdo gjë që s’vlen, me qëllim që nxënësit të fitojnë kohë të çmueshme për të marrë atë kulturë të nevojshme të përgjithshme, që do t’i ndihmojë të bëhen të zotë për jetën.

Qysh kur janë në shkollë ata duhet të mësohen të bëhen të zotë për bujqësinë, për të ndërtuar mure, të dinë të presin xhame, të mbulojnë çati etj. Mësuesit tanë të reflektojnë pak më thellë mbi këto çështje. I riu vullnetar nga Vlora që diskutoi në këtë mbledhje, na tregoi këtu (dhe ju këtë e dini vetë) se të rinjtë e të rejat shkollarë që kanë ardhur këtu përkohësisht, tani po bëjnë mure, mbërthejnë dritare, hipin e rregullojnë çati dhe bëjnë sa e sa punë të tjera. Ja, pra, si po realizohet në praktikë vija e Partisë. Çdonjëri te ne duhet të mësojë dy-tri zanate. Kështu edhe nxënësit në shkollë, krahas mësimeve, të përpiqen e të mësojnë të bëhen muratorë, stukaxhinj, marangozë, apo të marrin çdo profesion tjetër për të cilët ka aq nevojë vendi ynë.

Këto zanate nuk mësohen të gjitha në shkollë, por në jetë. Organizimi i rrufeshëm për zhdukjen e pasojave të tërmetit në rrethet e Dibrës dhe të Librazhdit do të na japë neve mësime kolosale në këto drejtime. Por çfarë do të rezultojë nga përvetësimi i kësaj përvoje të madhe nga masat tona punonjëse në gjithë sektorët? Kjo punë do të na sjellë përfitime të mëdha. Komiteti Qendror i Partisë, për shembull, kur shqyrtoi planin e vitit 1968, vendosi të tejkalohen rendimentet e parashikuara të bimëve të ndryshme në bujqësi. U morën me këtë rast disa vendime, të guximshme revolucionare, të cilat vetëm të fjeturit nuk mund t’i pranojnë, kurse revolucionarët do të thonë se këto janë akoma pak. Prandaj edhe ju në Dibër në këto kushte me siguri do të mendoni: «Edhe për ne e ka fjalën Komiteti Qendror që në një të katërtën e sipërfaqes së misrit të marrim 40 kuintalë misër për hektar».

Unë kam bindjen se ju do të jeni nga të parët që do të premtoni që jo në një të katërtën, po në gjysmën e sipërfaqes së misrit të merrni jo 40 kuintalë, por 50 kuintalë misër për hektar. Këtë e them pasi ju keni një popull heroik e patriot, si i gjithë populli ynë, pastaj ju keni një përvojë të madhe në kultivimin dhe ujitjen e misrit dhe se Partia, si kudo te ne, ju ka dhënë tani të gjitha mundësitë, në radhë të parë për ngritjen politike dhe ideologjike, ju ka dhënë edhe mundësi të tjera dhe do t’ju japë akoma më shumë në të ardhmen, si farëra të zgjedhura, plehra, etj., etj.

Prandaj, vendimin që mori Komiteti Qendror i Partisë ju jo vetëm do ta realizoni, por kam bindjen se do ta tejkaloni dhe do të bëheni kështu flamur për gjithë Shqipërinë në rendimentet e misrit. Këtë e them me bindje, pasi prova është e freskët: ja si u ndërtuan mijëra shtëpi brenda një muaji. Askujt nuk ia merrte mendja ca kohë më parë një gjë të tillë. Shembulli pozitiv luan një rol të madh edukativ dhe frymëzues në shoqërinë tonë socialiste. U përlesh me dallgët e detit Adem Reka për mbrojtjen e pasurisë socialiste. Ra në krye të detyrës fillrojtësi i patrembur nga Kukësi, Pjetër Lleshi, u hodhën në flakë e në zjarr shokët Muhamet Shehu dhe Myrteza Kepi.

Shembujt e tyre të heroizmit frymëzojnë sot gjithë punonjësit dhe rininë tonë për të zbatuar pa u përkulur detyrat që u ngarkohen. Por në vendin tonë kemi ende shumë shembuj të tjerë heroizmi. Ne duhet të shfrytëzojmë gjithçka pozitive që lind, kudo që masat tona punonjëse krijojnë dhe bëjnë gjithçka pa u ndier, pa bujë, për realizimin dhe sidomos për tejkalimin e detyrave të planeve tona. Punën dhe përvojën e tyre t’i bëjmë probleme politiike, ashtu siç bëmë shembullin e heroinës komuniste Shkurte Pal Vata, siç kemi bërë heronjtë e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në luftën për ndërtimin e socializmit. Fjalën e kam që ne të përfitojmë deri te shembulli i mirë i një kooperativisti brendapërbrenda çdo kooperative, brigade apo skuadre.

Edhe ju në rrethet tuaja keni brigada të mrekullueshme, që marrin jo 40, po edhe 80 e 90 kuintalë misër për hektar. Këta njerëz që arrijnë të tilla rekorde ju duhet t’i bëni flamur, që të mësojnë të gjithë nga përvoja dhe puna e tyre. Figurat kombëtare duhet të na nxitin, të na mësojnë dhe të na frymëzojnë për hedhur përpara, por ne nuk duhet të harrojmë se ai kooperativist ose ajo skuadër që merr 90 ose 100 kuintalë misër për hektar, duhet të bëhet një flamur jo vetëm për kooperativën, por edhe për rrethin, bile për gjithë Shqipërinë dhe të tërë të luftojnë t’ia arrijnë kësaj. Atëherë, shokë, nuk do të jetë aspak e vështirë që ne të marrim zotim që kudo, siç thashë më parë, të arrihet të merren nga 50 e 60 kuintalë misër për hektar.

Kështu mund të themi edhe për grurin, panxharin e sheqerit dhe për prodhimet e tjera bujqësore. Pra, shoqe dhe shokë, vëllezër dhe motra, planin ekonomik që kemi vendosur duhet ta realizojmë me një guxim të tillë të madh. Në emër të Komitetit Qendror, ju rekomandoj që, duke i parë qartë këto probleme, me këtë sy, me këtë zemër, me plot energji dhe heroizëm revolucionar, t’u futemi atyre më thellë, t’i rishikoni edhe një herë planet dhe të merrni zotime të tjera, të reja. Organizoni për këtë qëllim më mirë punën politike, organizative, frymëzoni njerëzit që t’i realizojnë dhe t’i tejkalojnë planet që janë vendosur. Por në rast se ne do të ecim (dhe për këtë s’ka dyshim se do të ecim) me vrullin që shpjegova tani, në mbarim të vitit 1968 do të na jepen mundësi që gjatë vitit 1969 të krijojmë të mira materiale në atë masë që pikërisht as tani nuk na shkon ndër mend.

As Byrosë Politike, as Qeverisë nuk u shkonte ndër mend vitin e kaluar që do të merrnim sivjet një vendim kaq të guximshëm dhe me rëndësi historike, siç është ai i elektrifikimit brenda një periudhe të shkurtër prej më pak se katër vjetësh, i të gjitha fshatrave të Shqipërisë. Të gjithë e dini se ne kishim një vendim për këtë çështje, realizimi i të cilit parashikohej për vitin 1985, domethënë pas 17-18 vjetësh. Po kur Byroja Politike dhe Qeveria u gjendën përpara këtij hovi të madh të paimagjinueshëm e të papërshkrueshëm të Partisë dhe të gjithë popullit, përpara kësaj krijimtarie nga e cila lindën vendimet e Komitetit Qendror, atëherë na u desh që këtë çështje ta ristudionim dhe, pasi bëmë llogaritë, në përfundim vendosëm që kjo detyrë të kryhet brenda një periudhe prej katër vjetësh. Ky është një vendim i bazuar dhe që nuk do të prekë asnjë nga zërat e tjerë të planeve tona.

Prandaj ju thashë që, në shembullin e Byrosë Politike dhe të Qeverisë, edhe ju t’i rishikoni planet. Ato me të vërtetë janë të ngjeshura, por, duke i parë edhe një herë me këtë sy, me këtë frymë politike, me besim dhe vendosmëri, caktoni shifrat e reja dhe njoftoni Komitetin Qendror se, për shembull, ka gabuar duke ju caktuar 40 kuintalë misër për hektar, kurse ju jeni të bindur që do të realizoni 50-60 kuintalë e më tepër për hektar dhe ne do të pranojmë që kemi gabuar dhe do t’ju heqim kapelën.

Por le të mos largohemi nga çështja e elektrifikimit. Vendimin e Plenumit të 4-t të Komitetit Qe-ndror, që është me të vërtetë një aksion i madh historik, ne duhet medoemos ta realizojmë me rastin e 30-vjetorit të lavdishëm të themelimit të Partisë. Realizimi i tij do të jetë vepra e Partisë, vepra e popullit tonë të mrekullueshëm, të edukuar nga Partia. Ka vende të tjera në botë që kanë shumë më tepër nga ne energji elektrike, por popullin e kanë lënë në errësirë dhe as që interesohen për këtë. Ne akoma kemi shumë nevojë për energji elektrike. Lenini ka thënë se: «Komunizmi është pushteti sovjetik plus elektrifikimi i të gjithë vendit»./Memorie.al

152 151 150-dhjetor- 149 150-dhjetor- 151 152

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura