Nga foto me Udhëheqësin tek erotizmi në vitet ‘80, rrëfimi i Zogajt: E gabuar ideja se gjithçka nis në ‘90

Oct 31, 2019 | 15:37
SHPËRNDAJE

prec zogaj anjeza

ANILA DEDAJ/ “Anjeza kërkon të fluturojë, por kornizat e sistemit ndihen, ëndrra bën masë me kufijtë e vendosur”. Shkrimtari Preç Zogaj, bëhet protektiv ndaj protagonistes së tij me fat fatalist, sepse ai i ka jetuar vitet ‘80 dhe e di mirë se diktatura, mentaliteti, nuk fal tejkalime të sensit të masës…

Në romanin e tij të fundit, Anjeza nuk u zgjua, as në përzgjedhjen e rrugës që do ta çonte në realizimin e ëndrrës e as pas dramës së madhe që i shkaktuan. Po kjo është vetëm një nga historitë e pamundura të dashurisë së asaj epoke. Një rrëfim njerëzor, ku shkrimtari kërkon të japë një pasqyrë të kontekstit shoqëror të Shqipërisë së viteve 1986-1990, e ku siç tregon për “Panoramën”, nuk mungojnë as elementet autobiografikë. Romani “Anjeza nuk u zgjua” befason lexuesit, veçanërisht ata që s’kanë jetuar atë periudhë, duke treguar një mënyrë të hapur jetese ndaj erotizmit e dashurisë.

Zoti Zogaj në krijimtarinë tuaj letrare edhe pse keni hulumtuar të dyja zhanret, poezinë dhe prozën, ju identifikojnë më shpesh si poet. “Anjeza nuk u zgjua” është një rikthim te proza, po në cilën gjini e ndjeni veten më mirë?

Unë i përkas atij grupi autorësh, të cilët që prej fillimit kanë shkruar poezi dhe prozë. Ka ndodhur që jam bërë më i njohur si poet, edhe për shkak të numrit më të madh të librave me poezi, prezantimit të medias, kritikëve letrarë, por edhe çmimeve në këtë gjini. Të tillë janë edhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë, pavarësisht se në fund identifikohen si prozatorë apo poetë. Mjafton të përmend Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin apo edhe shembuj përtej kufijve. Sigurisht që ka edhe nga ata letrarë që lëvrojnë vetëm njërën nga gjinitë, por kjo nuk është një zgjedhje, është diçka që ndodh vetvetiu. Nga ana tjetër, një shkrimtar i drejtohet prozës edhe si pasojë e nevojës për të komunikuar me më shumë lexues, pasi proza lexohet më tepër. Kështu që unë kam shkruar e do të vijoj të lëvroj poezinë, pa lënë mënjanë prozën, madje mund të them se kam subjekte të shkruara…

Në këtë roman, ju zgjidhni një histori dashurie, ku hulumtoni me kujdes jetë, psikologji njerëzore. Ka disa detaje te Davidi (të qenit nga Lezha, “beteja” e tij për t’u punësuar etj.), personazhi kryesor i romanit, që mund të ngacmojnë te lexuesi idenë se në historinë e tij ka elemente autobiografike. A është realisht kështu?

Unë mendoj se në përgjithësi, çdo personazh letrar, veçanërisht protagonisti, ka diçka nga autori. Është gati e papërfytyrueshme që autori të mos gjendet diku te personazhi që krijon. Davidi është një personazh krejtësisht letrar, i formuar krahas krijimit, nga elemente të jetës sime, të shokëve apo të të njohurve të mi.

Davidi të jep përshtypje e një personazhi jo tipik maskilist shqiptar. Ai e dashuron Anjezën, por njëherazi nuk i imponohet, i jep mundësi zgjedhjeje. Madje edhe kur ai dëshiron mbi çdo gjë të jetë me të, t’i thoshte “ti je gruaja ime” tërhiqet, duke e lënë të lirë në rrugën e saj. Flasim për vitet ’86 e ngjarja zhvillohet në një fshat të Lezhës, a ka pasur të tilla personazhe reale asokohe?

Është një personazh që ka ekzistuar përgjatë gjithë traditës shqiptare. Është e vërtetë se disa klishe mendore në qarkullim e kanë “ngrirë” natyrën e personazhit mashkull apo të personazheve femërore, duke e futur në disa kallëpe konceptuale, por nëse kthejmë sytë në krijimtarinë e së kaluarës, do të vërejmë se edhe në Folklorin tonë, personazhe të tilla, që njohin e respektojnë lirinë e femrës, kanë ekzistuar ngaherë. Përpos kësaj, Davidi është një personazh i kultivuar, që lexon, çka e bën më të shpjegueshme konceptin e tij mbi dashurinë, si një marrëdhënie të pakushtëzuar nga elemente të jashtme apo imponuese.

Duke qenë se flasim për vitet ’80, e ngjarjet zhvillohen në periferi, ajo që ndoshta për lexues të një brezi më të ri mund të duket befasuese, është prania e elementeve erotike. Duke nisur nga protagonistët, edhe të tjerë personazhe, në një kohë që mendohet se mentaliteti ndoshta e pengonte konsumin e akteve seksuale te të pamartuarit, tek “Anjeza nuk u zgjua” zbulojmë një aspekt tjetër të mënyrës së jetesës në dekadën e fundit të diktaturës. ..

Erotizmi ndër shekuj ka qenë një element shumë i pranishëm në jetën shqiptare, dëshmi për këtë është përsëri Folklori. Sigurisht që edhe gjatë viteve 1980-1990 ka qenë pjesë e mënyrës së jetesës së brezit të ri të asaj kohe, mirëpo mënyra skematike e vështrimit të epokave të caktuara, ka krijuar disa klishe mendore, ku në rastin konkret kanë ngulitur idenë se në vitin 1990 gjithçka fillon nga zeroja. Unë vetë jam një prej protagonistëve të këtij viti, por nuk është as realiste, as njerëzore të imagjinohet se për shkak të sistemit të kaluar, gjithçka nisi në ’90-ën. Sigurisht që korniza e sistemit, ndikon në mënyrën e përgjithshme të të jetuarit të brezave, por jeta ndjek ligjësi të tjera. Marrëdhëniet e dashurisë, te erotikës ndjekin një tjetër logjikë, atë të kënaqësisë, të aventurës që ekzistojnë në çdo brez. Madje te rinia e viteve ’80-’90, erotika ka qenë shumë e pranishme, “Anjeza nuk u zgjua” nuk rrëfen asgjë të sajuar. Ajo që më çudit është se nëse në letërsinë e para ’90-ës ka pasur pengesa për të pasqyruar aspektet erotike, ndodhi që pas rënies së diktaturës, letërsia herë pas here ra në konformizëm apo në atë që unë e quaj skematizim i përmbysur. Edhe pse për përhapjen e mendimit se gjithçka, edhe në aspektin e erotizmit, nisi pas ’90-ës, kanë investuar individë të ndryshëm, kjo është një gënjeshtër e madhe, pasi janë ata persona që jetuan në diktaturë, që krijuan edhe premisat për të jetuar në demokraci. Nuk jemi i popull tjetër, jemi po i njëjti.

Janë shumë detaje që tërheqin vëmendjen, ato që rrëfejnë kulturën e përgjithshme të personazheve tuaj. Vetë dy protagonistët, pavarësisht se jetojnë në fshat, afrohen me njëri-tjetrin përmes librave, kinemasë, këngëve. Krahas pjesës dramatike të atij sistemi, mendësisë është interesante të shohësh edhe këtë aspekt, ndoshta më pak të përfolur…

Kinemaja asokohe ka qenë një vend i madh takimi dhe është i vërtetë fakti se të rinjtë kanë lexuar më shumë. Në ditët e sotme falë teknologjisë është krijuar një tjetër sistem komunikimi, por unë jam realist kur përshkruaj atë kohë, personazhet që shkojnë në bibliotekë, lexojnë, shikojnë filma e më pas diskutojnë rreth tyre. Sigurisht që nuk kanë munguar as personazhet banale, të cilat janë të pranishme edhe tek “Anjeza nuk u zgjua”. Ndërsa pjesa dramatike e sistemit reflektohet më tepër në fundin e romanit. Është drama e shansit unik që përshkallëzohet deri në tragjedi. Drama e një kohe që nuk e njeh diversitetin e shanseve. Mirëpo çfarë i ndodh ambicies së personazhit, kur përballet me një shans që perceptohet si unik, deri ku shkon? Kjo është një temë e madhe jo vetëm letrare, por edhe psikologjike e filozofike.

Rrugën drejt përmbushjes së ëndrrës, apo siç e quajtët ju, ambicies së Anjezës, ju e jepni në mënyrë graduale, butësisht, pa e bërë lexuesin të paragjykojë apo “dënojë” protagonisten, madje duke e lënë të dyshojë e të pasigurt për çka mund të ketë ndodhur. Përse një zgjedhje e tillë?

Kam zgjedhur këtë mënyrë, pra të “mos i presë drutë shkurt”, edhe për të respektuar një lloj morfologjie të evolucionit që ndodh te personazhi. Pra, gjatë rrëfimit, zhvillohet gradualisht marrëdhënia e personazhit me synimin. Synimi mund të jetë një forcë e madhe motivuese, edhe në përzgjedhjen e rrugëve se ku do të ecësh, e Anjeza kërkon t’i shkojë deri në fund qëllimit të saj, duke besuar, duke i njohur rreziqet, por edhe duke pasur një lloj vetëdije se mund t’ia dalë pa u dëmtuar. E gjitha lidhet me sensin e masës, që reflektohet edhe në meditimet e saj për kufirin midis së pamjaftueshmes dhe të tepërmes. Anjeza kërkon të fluturojë, por kornizat e sistemit ndihen, ëndrra bën masë me kufijtë e vendosur, e ky është momenti që shkakton thyerje në roman. Përpjekja ime ka qenë që këtë histori ta tregoj në mënyrë sa më të besueshme, duke kaluar nga njëri detaj te tjetri pa e gjykuar personazhin, përkundrazi unë gjykoj keqbërësit në mënyrë letrare.

Në roman ngre kokë mendësia e mentalitetit maskilist, jo vetëm nga keqbërësit, akti i të cilëve shkon jashtë kornizave të mendësisë, por edhe nga personazhe të tjera. Kemi rastin e Maries, ku kolegu i të dashurit të saj mësues, flet për të si të ishte një objekt seksual (“Mbaro punë me të e ma kalo mua…”

Në përgjithësi mund të themi se maskilizmi shqiptar është një dukuri negativ që ka ekzistuar dhe vijon të ekzistojë. Një dukuri që vazhdon të përcaktojë fatin e lidhjeve të dashurisë, të marrëdhënieve midis burrit dhe gruas. Kjo është një temë e madhe që mua si autor më ka motivuar edhe më parë, e më motivon përsëri. Mendoj se gratë kanë përparuar më shumë se ne. Pa mohuar faktin se sot kemi më shumë paritet, e është krijuar një marrëdhënie që mbështetet në dinjitetin e ndërsjellët të palëve, në tërësi është ngulitur ai koncepti maskilisit i mashkullit, në njëfarë mënyre i varur edhe nga seksizmi. Për sa i përket romanit, pavarësisht se si linjë boshtore ka historinë e Anjezës, ai është veshur edhe me disa linja të tjera që krijojnë kontekstin, përndryshe, do të çuditeshin të gjithë se si kjo vajzë qenka e tillë, në vite ’86-’87. Por, ajo nuk është vetëm, është edhe kushërira e saj. Femrat edhe gjatë kësaj periudhe janë në përpjekje për të gëzuar, për të krijuar lidhje dashurie, për të arritur kënaqësinë e të jetuarit. Pra, atmosfera që krijohet te gratë e fisit Jakaj ndikon edhe te përjetimet e vetë Anjezës. Ajo që shikohej nga të gjithë si shembull, papritur gjendet përpara një zhvillimi dramatik në jetën e saj.

Në fund, Anjeza plotësoi ëndrrën e saj për t’u pranuar në degën e Dramaturgjisë, por nisur nga rrethanat, kur kjo ndodhi, ajo as që donte të përmendej ky fakt. E arriti vetë këtë fitore?

Unë besoj se po. Janë një mori detajesh që e rrethojnë atë më një lloj sigurie, përfshirë edhe episodin ku ajo zgjidhet si femra më e bukur e Lezhës që do t’i jepte lulet Udhëheqësit, i cili kishte ardhur për vizitë. Fotografia që fikson momentin me Udhëheqësin e bën atë të njohur gjithandej, duke qenë se edhe u botua në median e shkuar. Në njëfarë mënyre, ajo fotografi sjell një lloj ndryshimi në jetën e saj, edhe pse është një vajzë e dëlirë, me një lloj formimi, çka bën që të mos “fluturojë”, të mos ndryshojë plotësisht. Mirëpo episodi ndikon në marrëdhëniet e të tjerëve me të. Krijohet përshtypja sikur shumë njerëz duan ta çojnë drejt fitores, por për mendimin tim, ajo fiton vetë.

Shkrimtari Rudolf Marku i konsideron dy protagonistët e romanit, Davidin dhe Anjezën “si Romeo dhe Zhuljeta” të markës shqiptare. Nëse në fillim kemi Davidin që pavarësisht dashurisë së madhe që ndjen për Anjezën, tërhiqet, pasi nuk e ndjen veten në lartësinë e duhur. Në fund, pas dramës, është Anjeza e cila kërkon në njëfarë mënyre ta mbrojë, ta largojë Davidin nga ajo që ndodhi…

Në fund, Anjeza përjeton dramën e një përvoje tragjike, ndaj nuk do të dëgjojë, të dijë se ç’ndodh përreth. Nga ana tjetër, Davidi edhe pse e dashuron, në momentet e lavdisë, i qëndron larg, sepse mendon se nuk mund t’i ofrojë gjë. Ndaj dashuria për Anjezën është një plagë e tij, që ndihet ndër kapituj. Pas dramës që e dashura e tij pësoi, ai nuk e gjykon, as e bën fajtore, por percepton se është momenti që të marrë një lloj protagonizmi për ta ndihmuar. Madje thellë-thellë, ai ndjen një lloj përgjegjësie, që vetë Anjeza nuk e ka menduar. Përgjegjësi, se ishte i pari për të, edhe për faktin se të tjerët kanë abuzuar. Jo më kot unë kam shkruar disa faqe meditimi për virgjërinë, aq sa personazhet e mia arrijnë në mendimin se vajzat duhet të lindin të zhvirgjëra. Unë me “Anjeza nuk u zgjua” kam treguar një histori, që jep një tablo të jetës shqiptare në vitet 1985-1987, duke mos u kufizuar vetëm te lidhjet e dashurisë, as tek episodet e dhunës e intrigave, por duke dhënë një pasqyrë të kontekstit shoqëror të Shqipërisë së asaj kohe. Qëllimi ka qenë dhe mbetet që të shkruaj diçka që të pëlqehet, pasi tek e fundit, letërsia ka edhe mision hedonistik.

Rikthimi i Zogajt në prozë, studiuesja: Një libër për tragjizmin

“Letërsia ka një qëllim kryesor, që të japë kënaqësi, ndaj fjala e fundit i ngelet lexuesit. Shpresoj ta kaloj këtë provë, provën e të lexuarit me dëshirë, pasi leximi i një romani me më shumë se 400 faqe është impenjativ” u shpreh Zogaj ditën e djeshme gjatë promovimit të romanit “Anjeza nuk u zgjua”, botim i Universitetit Europian të Tiranës. Ndërkohë me një histori të ambientuar në Lezhë, në vitet ’86–’90, Zogaj tha se gjatë kësaj periudhe nuk ka munguar as dashuria e as erotizmi, mirëpo ka qenë diktatura ajo që ka përcaktuar tragjizmin e personazhit të tij. I pranishëm gjatë promovimit, kritiku letrar Agim Baçi u shpreh se ai vend ku dashuritë bëhen të pamundura bëhet i pajetueshëm, e sipas tij, romani përtej dashurisë tregon falimentimin e një shoqërie. “Preçi nuk e përmend fjalën vdekje, por përmend gjumin, pasi ai sistem e kishte të pamundur të lejonte atë lloj dashurie”, shton më tej Baçi, duke nënvizuar se ky roman shpalos përmes historisë së Anjezës, jo vetëm jetën në Lezhë, por në çdo cep të Shqipërisë. Ndërsa studiuesja e komunikimit, njëherazi dekane e UET, Belina Budini, e vlerësoi Zogajn si publicist, poet e prozator. “Është një autoritet i mendimit që na befason me shijen dhe elegancën estetike të stilit, sa herë që shfletojmë librat e tij, të çfarëdolloj zhanri qofshin”, u shpreh Budini. Studiuesja u shpreh gjithashtu entuziaste për faktin se Zogaj, si bashkëpunëtor i UET, tanimë do të jetë i pranishëm edhe në auditorët e këtij Universiteti. Ndërsa botuesi, njëherazi kryetar i bordit të administrimit të UET, Henri Çili, në fjalën e tij e radhiti shkrimtarin ndër talentet letrare të vendit tonë. “Preçi nuk resht së befasuari me talentet e tij. Zakonisht shkëlqimi i një njeriu zgjat një dekadë, maksimumi edhe një tjetër, me të ka ndodhur ndryshe. Me romanin ‘Anjeza nuk u zgjua’, Zogaj i rikthehet prozës, kthehet në shtëpinë e tij e ne strukturojmë kolanën e re të UET-Press”, tha Çili. Studiuesja letrare Alda Bardhyli, njëherazi drejtore e Qendrës Studimore “Kadare”, u shpreh se romani i Zogajt ka të gjitha elementet e duhura që e bëjnë një vepër të dhurojë kënaqësinë e leximit. “Zogaj sjell Lezhën si një qytet letrar. Më shumë se një libër për dashurinë, unë do ta quaja një libër për tragjizmin”, u shpreh Bardhyli, duke theksuar rëndësinë e këtij libri edhe pse Anjeza është sipas saj një personazh-personifikim i gruas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura