Nga “fitorja në fitore”, rikthim mes pikturës në kohën e paradave

Mar 23, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në të përditshmen e tyre ata ishin një masë gri, pa trajtë. Në ditë festash, kjo amebë e madhe me emrin popull përndizej nga ngjyrat.

imagery2 Mbizotëronte e kuqja e flamurit, por edhe e verdha e yllit pesëcepësh. Nga një trajtë e çrregullt, ajo merrte forma germash, me to shkruheshin parulla: “Lavdi PPSHsë”, apo “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”.

Veçse forma individuale nuk mund të kishte. Ato ishin shabllonet e socializmit, i cili synonte të ndërtonte “Njeriun e Ri”, një klon pa individualitet, pa fytyrë, pa zë…

Nga këto imazhe të së shkuarës, artisti Leonard Qylafi është frymëzuar për të ndërtuar ekspozitën e tij “Imagery” (“Imazheri”), hapur prej disa ditësh në galerinë “Zeta”. Me një numër të kufizuar tablosh, ai na kthen pas në kohë, në paradat e “lavdishme” të 1 Majit, apo të festave të Nëntorit, gjatë së cilave shqiptarët duhet të parakalonin përpara tribunave, për të shfaqur anën e gëzueshme, “fitoret” e mëdha.

Artisti Hila Qylafi
Artisti Hila Qylafi

Njerëz me buqeta lulesh përshëndesnin udhëheqësin, i cili në kohët e tij të mira i “begeniste” me ndonjë karafil të kuq apo me një përshëndetje me dorë. Ushtrimet e manifestimit, nëpër stadiume ishte një tjetër shprehje “gëzimi”. Për muaj, nxënës shkollash e studentë përgatiteshin për të ndërtuar me trupat e tyre parulla. Ashtu si arti, letërsia dhe gjithçka tjetër, i shërbente propagandës së kohës.

EKSPOZITA

Këto imazhe të më shumë se një çerekshekulli, Leonard Qylafi i rikthen në kohë, por jo thjesht për shkak të kujtesës së tij personale të atyre viteve (për shkak të moshës, me shumë gjasë nuk ka qenë i detyruar të bëjë ushtrime manifestimi), por të shfletimit të albumeve të kohës.

imageri3Sipas tij, teknologjia e printimit me ngjyra gjeti përdorim të gjerë në Shqipëri rreth viteve ’70, por duke qenë një teknologji e kushtueshme, do të përdorej më së shumti për botime të përzgjedhura, me një tirazh të përcaktuar, për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm.

“Megjithatë, cilësia e këtyre stampimeve me ngjyra, që ilustrojnë parada, evente apo fjalimet e udhëheqësve komunistë, linte për të dëshiruar. Ngjyra që në shumë raste kapërcejnë, imazhe jo shumë të qarta dhe një skemë e pa balancuar kromatike.

Këto karakteristika dominojnë në shumicën e fotografive që dokumentojnë aktivitete të rëndësishme në Republikën Popullore Socialiste nën regjimin e Enver Hoxhës. Ngjyra dominuese më shumë prej këtyre imazheve është e kuqja: flamuj të kuq, kostume të kuqe, shami të kuqe…”.

imagery1Autori shkëput copëza nga këto imazhe dhe i hedh në telajo, duke ruajtur shkrirjen e kontureve, pa “stabilizuar” format, pa i kthyer pjesëmarrësit në këto parada në personazhe, por duke i lënë në trajtën e “ornamenteve” masive. Sepse, në fund të fundit, “personazhet” ishin të tjerë, ishin ata që rrinin në tribunë.

Çuditërisht, këto imazhe, edhe pse shumë mundet të mos i kenë përjetuar në vetë të parë, përpara 25 apo 30 vjetësh, janë familjare, sepse, në fund të fundit, thelbi është po ai, ndryshojnë vetëm format. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 31 mars.

ARTISTI

Leonard Qylafi (1980) është diplomuar në atelierin e pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë, në vitin 2003. Ai lëvron mediume të ndryshme si video, pikturë, fotografi etj. Puna e tij është ekspozuar ndërkombëtarisht në hapësira dhe institucione të rëndësishme si: “55-th October Salon”, Beograd/Serbi, Kunstlerhaus Bethainen, Berlin/Gjermani, “Kunst Raum Riehen”, Basel/Zvicër, “MODEM Museum for Modern and Contemporary Arts”, Drecen/Hungari, ISCP- New York /SHBA , “ArtPoint Gallery Kulturkontakt” dhe “Vienna Art Fair”, Vienë/Austri, “Kunsthalle”, Karlsruhe / Gjermani etj.

Është përfshirë në aktivitete si: “Tirana International Contemporary Art”, Biennial 2009, “XIII Biennal of young artists from Europe and Mediterranean”, “Onufri 03” etj. Leonard Qylafi ka qenë pjesë e programeve të rezidencave për artistë pranë NIFCA (Nordic institute of contemporary art Helsinki/Finland, ISCP New York /SHBA, Kulturkontakt Vienë/Austri dhe TICA (Tirana institute for contemporary art). Ai është fitues i çmimit për artistët e rinj “ARDHJE”, në vitin 2008.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura