Nga Europa e një pjese, drejt Europës së të gjithëve

Oct 25, 2019 | 11:10
SHPËRNDAJE

GRAMOZ RUÇI* 1200px-Gramoz_Ruçi_cropped

Si përfaqësues i një vendi të vogël dhe periferik të Europës së sotme, kam arsye më shumë të përfytyroj realizimin e ëndrrave të vendeve të vogla si Shqipëria.Të vendeve, që edhe pse jetojnë nën çatinë e shtëpisë së përbashkët me 47 anëtarë që quhet Këshilli i Europës, janë ende, disa jashtë dhe disa në prag të familjes me 27-28 anëtarë, që quhet Bashkimi Europian.

Europa është sot vendi më i bukur në botë. Programet dhe skenarët e zhvillimit të 70 vjetëve të fundit e kanë bërë kontinentin më pak konfliktual dhe më shumë solidar.

Por, megjithatë, Europa jonë mbetet kontinenti i asimetrive. Besoj se në dekadat që pasojnë, Europa do t’i ketë zbutur mjaft disa prej tyre.

Bindja ime e parë është se dy-tri dekadat e ardhshme, familja europiane do të jetë e gjitha brenda shtëpisë europiane.

Europa do të vuajë më pak nga pasojat e asimetrive midis Veriut super të zhvilluar dhe Jugut, në zhvillim e përpjekje për të arritur Veriun.

Gadishujt e Europës, Skandinavia, Gadishulli Iberik, Apeninet dhe Ballkani, nuk do të jenë më kaq të ndryshëm për nga ritmet e zhvillimit, aftësitë konkurruese, niveli i mirëqenies dhe kontributi për paqen. Ballkanasit nuk do të kenë më nevojë për negociatorë skandinavë për t’u qetësuar midis tyre.

Europa Juglindore si koncept ndoshta nuk do të ekzistojë më, sepse diferencat që e lindën këtë nocion do të jenë zhdukur, të paktën zbutur shumë.

Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” për udhëheqësit europianë, por një vlerë e shtuar për familjen europiane.

Konstruktivizmi dhe jo obstruksionizmi do të jenp filozofia e marrëdhënieve midis rajoneve të kontinentit tonë.

Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës do të bëhen më pak të përfillshëm dhe do të përputhen, ndoshta, me kufijtë gjeografikë të saj.

Për ata që do të mblidhen në këtë “pallat” pas 70 vjetësh, arsyet që mbajnë gjallë konfliktet fetare do të jenë zbutur. Mjafton që shtetarët dhe politikanët europianë të ndjekin modelin e bashkëjetesës që ofron Shqipëria ime.

Udhëheqësit europianë nuk do të grinden më nëse duhet të pranojnë ose jo emigrantë. Ekonomia e madhe europiane do të prodhojë oferta për të gjithë dhe banorët nga kontinentet e tjera nuk do të bllokohen në Lampeduza.

Të gjithë bashkë do të përballemi me “armiq” të tjerë: ndryshimet klimaterike, dëmtimi i mjedisit, plakja e popullsisë, pasiguria kibernetike, risqet teknologjike.

Çurçill, Shuman, De Gasper, Adenauer, Spask dhe Bevin, më shumë sesa ëndërruan, kontribuuan për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët europiane.

Shembullin e tyre duhet të ndjekim ne dhe brezat pas nesh.

*Fjala në Konferencën e Kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Strasbourg, 24 tetor 2019

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura