Nga emigrantët te votimi me “gisht”, zgjedhjet e reja do jenë elektronike

Nov 8, 2019 | 12:04
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Dje, Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi mbledhjen e radhës me dyer të mbyllura, për të diskutuar pjesën e dytë të draftit të ekspertëve të kontraktuar nga Kuvendi.

komisioni-RZ

Përveç riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe depolitizimit të niveleve të dyta dhe të treta të administratës zgjedhore, në draft dy pika shumë të rëndësishme janë edhe ato, të cilat kanë të bëjnë me votimin elektronik dhe me dhënien e mundësisë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të marrin pjesë në proceset zgjedhore.

VOTIMI ELEKTRONIK

Në lidhje me votimin elektronik, drafti i ekspertëve të Komisionit Zgjedhor udhëzon KQZ-në si institucionin përgjegjës për t’u marrë me këtë proces. Sipas dokumentit, KQZ-ja do të kujdeset për të gjitha hapat e kësaj procedure, duke filluar që nga identifikimi elektronik, deri te numërimi i fletëve. “KQZ-ja ka të drejtë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të veçanta të procesit zgjedhor, si dhe ka të drejtë të prokurojë sisteme apo pajisje të teknologjisë së informacionit apo edhe shërbimin e operimit të tyre.

KQZ-ja është e detyruar që përdorimin e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 20 për qind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit. Përdorimi i sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit bëhet në përputhje me rregullat e posaçme lidhur me procedurat për aspektet e veçanta të procesit, që mbulohen nga sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit. Rregullat procedurale për këtë qëllim miratohen me akt normativ të KQZ-së.

Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që KQZ-ja vendos të përdoren në zgjedhje duhet të synojnë, në radhë të parë, identifikimin biometrik të votuesve, votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike, si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura. Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit në zgjedhje vihen në përdorim nga një personel i kualifikuar i KQZ-së, i punësuar për këtë qëllim, përveçse kur KQZ-ja vendos që përdorimi i tyre të bëhet nga operatorë privatë të kontraktuar sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin e shërbimeve. Prokurimi i shërbimit mund të jetë pjesë e kontratës për prokurimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe mund të kryhet edhe nga furnizuesi i këtyre të fundit”, thuhet në dokumentin e ekspertëve.

VOTA E EMIGRANTËVE

Një pikë me shumë rëndësi që propozohet në këtë draft ka të bëjë me votën e emigrantëve. Sipas ekspertëve, për këtë proces ngarkohet KQZ-ja me strukturën e re, e cila do duhet të krijojë këtë mundësi në kushtet e votimit elektronik, por edhe joelektronik. “KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave, që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. Votimi nga jashtë shtetit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij. Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit, që administrohet prej saj”, thuhet në draft.

KODI ZGJEDHOR, GJIKNURI LË DERËN HAPUR PËR OPOZITËN

Bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka lënë të hapur mundësinë që PD-ja dhe aleatët të depozitojnë propozimet e tyre për reformën e lartpërmendur. Gjatë konferencës për mediat, ditën e djeshme, pas përfundimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, Gjiknuri tha se PD-ja e ka vendin e saj. “Presim çdo lloj propozimi nga PD-ja dhe nga çdo palë e interesuar. Natyrshëm, PD-ja është pjesë integrale e këtij komisioni, pavarësisht se s’merr pjesë. Nëse ka një marrëveshje që një pjesë e propozimeve të PD-së të diskutohen në komision, kjo do ishte një ngjarje e mirë për Shqipërinë”, tha Gjiknuri. Ndërkohë, sa i takon shqetësimit të shitblerjes së votës, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore u shpreh se këto probleme adresohen në Kodin Penal. “Fenomenet kriminale s’parandalohen nga Kodi Zgjedhor. Natyra ka bërë që të ketë edhe njerëz që shkelin ligjin. Kjo bëhet me proces transparent. Shitblerjen e votave e lufton vetëm procesi penal. Si çdo krim tjetër, edhe krimi zgjedhor luftohet me politikë të luftës kundër krimit nga institucionet e ngarkuara nga ligji. Të mos i kthejmë zgjedhjet në mollë sherri. Komisioni diskutoi dje propozimet e ekspertëve për depolitizimin e KQZ-së.

DEPOLITIZIMI I KQZ-SË, HAJDARI: DUHET SPECIFIKUAR SE KUSH DO T’I ZËVENDËSOJË

Bashkëkryetarja nga deputetët e rinj në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, kërkon që të sqarohet më qartë se kush do t’i zëvendësojë komisionerët politikë të administratës zgjedhore.

Në përfundim të mbledhjes, Hajdari tha dje se procesi është mjaft i rëndësishëm, ndaj do të ketë një mbledhje të dytë për ta sqaruar.

“U pa në mënyrë të detajuar se si është propozuar nga ekspertët përzgjedhja e tyre. Do ketë edhe një seancë të dytë, ku do diskutojmë më tej. Është draft tejet i rëndësishëm, se flitet për një administratë të re zgjedhore. Është një pikënisje e duhur, por nuk do të thotë se kemi arritur një konsensus”, tha Hajdari.

PROPOZIMET PËR ADMINISTRATËN ZGJEDHORE

KQZ riformatohet si institucion me përgjegjësi të ndara, në kompetenca dhe autoritete ushtruese të tyre. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator;

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). KQZ-ja ka të drejtë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të veçanta të procesit zgjedhor.

Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që KQZ-ja vendos të përdoren në zgjedhje duhet të synojnë, në radhë të parë, identifikimin biometrik të votuesve, votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike, si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura.

Votimi i emigrantëve. KQZ-ja ngarkohet me zhvillimin e këtij procesi, me ose pa sistem elektronik.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura