Nga Çmimi “Kadare” 2021 te novelat e Zogajt, 10 rekomandimet e UET Press për pushimet

Aug 7, 2021 | 13:00
SHPËRNDAJE

auto_ZOGJTE_E_QYQESKOPERTINA1618326742

Nga Suela Mino

Kryeredaktore e UETPRESS

Ndërsa përgatitet për botim “Djali me biçikletë” i autorit izraelit Eli Amir, romani i parë që vjen në shqip nga hebraishtja, lexuesit kanë disa tituj të UETPRESS për t’i zbuluar e shijuar gjatë këtij gushti të nxehtë.

Nën hijen e çadrës buzëdetit apo në freskinë e mbrëmjes, ja disa sugjerime për lexues të shijeve të ndryshme:

1- “Zogjtë e qyqes”, nga autori fitues i Çmimit “Kadare”2021, Gani Mehmetaj –  “… Pse, me lule duhej të na prisnin? Nuk na e patën ata fajin. Mund të tregoheshin më të sjellshëm ndaj nesh, por ne nuk i trajtonim njerëzisht. Ishim fitimtarët që nuk ecnim nëpër tokë. Ne fluturonim, ose edhe më keq, shkelnim mbi ta.” – Një kolon serb rrëfen Kosovën në vetë të parë: Si e kanë përjetuar? Sa u ka peshuar fati i kolonit, në një tokë që e dinin se nuk ishte e tyrja? Çfarë i mbetet Njeriut, kur bien ideologjitë dhe ndërrohen pushtetet? A ka kombësi dashuria? Çfarë vlere ka jeta, aty ku mbretërojnë urrejtja, përbuzja e dasitë? A mund të shohim me sytë e ‘tjetrit’, të vërtetën që dimë? “Zogjtë e qyqes” është një rrëfim ndryshe, që lexohet me një frymë e të lë pas shtjellë të re mendimi.

Drejtues për rreth 15 vite i “KosovaFilm”, autor i mbi 25 veprave në lëmin e letërsisë, eseistikës e publicistikë, Mehmetaj vjen për lexuesin shqiptar me një vepër grishëse të rrëfyer me stil  të spikatur, duke provokuar mendësinë tonë ballkanike me një pikëvështrim të ri.

2-  “Andej Baltë, Këtej Erë”, botimi i fundit në gjallje i poetit të mirënjohur Petrit Ruka  –  “Takimi i parë me artin është një ninullë a këngë e improvizuar prej nënës, që po ta jep bashkë me qumështin e gjirit”, ka thënë Petrit Ruka në prezantimin e këtij libri, që mbetet xhevahir i testamentit të tij letrar.

“Andej Baltë, Këtej Erë” sjell të përtërira 15 balada arbërore si këngë brezash, për t’u përcjellë si ninulla që përkundin genin shqiptar me magjinë e folklorit tonë të mrekullueshëm. Një libër që duhet të jetë në raftin e zgjedhur të bibliotekës familjare, për t’u shfletuar përmallshëm sa herë kërkojmë një legjendë për t’ua rrëfyer fëmijëve:  për një Konstandin që kalëron vdekjen, për një Hanko që vdes të gjallët, për një trim të mbytur a një vashëz që lan puthjen, për vajtimin e Ajkunës a një urë që dridhet, për një histori në një natë të enjtur dimri… “Me magji të tillë baladat/Çmendin njerëzit një mijë vjet…”

“Kur vallë arrin një vepër arti të të bëjë të përlotesh? Mund të jenë edhe ca legjenda, ca balada të rirrëfyera me mjeshtëri epërane, rrëfime që i ke dëgjuar e lexuar dhjetra herë më parë, por këtë radhë me një vargëzim të përkryer…” – shkruan publicisti Pëllumb Kulla për këtë vëllim të mrekullueshëm poetik, i cili tashmë gjendet në të gjitha libraritë kryesore në vend, nën logon e UET Press.

125431985_4145029992180472_6751621502777590953_n

3- Tri novela nga Preç Zogaj “Hedhja/Bija e re e nënës së vjetër/Kompleksi”Një triptik i mrekullueshëm që e fton lexuesin në një udhëtim reflektiv për të peshuar kohën që jetojmë, ndjesi të fjetura thellë brenda vetes sonë të shkuar, me emocionin e ritakimit me të bukurën përreth nesh. I quajtur Poeti i Dashurisë, Preç Zogaj mbetet një autor gjithmonë në vëmendje të lexuesit shqiptar.

Ndërsa “Hedhja” është një novelë e gjatë që përmes lëndës letrare ndërton identikitin e shoqërisë së çoroditur shqiptare, “Bija e Vjetër e Nënës së re”, sjell përmes një proze të re poetike të autorit, një mjedis surreal. Brenda një realiteti të gjallë ndjesor, koha shkrihet; një bijë e moshuar flet me nënën e saj të re; një burrë dëgjon veten e tij të palindur, t’i japë kurajo së ëmës në udhëtimin më të vështirë të jetës së saj; malli fashit pragjet e ekzistencës, për të gjallnuar në kujtime e për t’u rrëfyer magjishëm para ikjes nga kjo botë. “Kompleksi” ndez një tjetër dritë në skutat tona të nënvetëdijes, aty ku i kanë rrënjët sjelljet tona në përballjen me të tjerët; droja, frika, pasiguritë, dëshirat e mbytura të erotikës. Triptiku i autorit Preç Zogaj, pret tashmë lexuesin të zbulojë magjinë…

 

4 – “Kokëmushkat” nga Edmond Budina – I njohur për publikun shqiptar si kineast, aktor e regjisor, Budina vjen për herë të parë përpara lexuesit me romanin “Kokëmushkat”, dhe befason me gjuhën e pasur, tingullin poetik të prozës së tij, elegancën e përshkrimit dhe dinamikën mjeshtërore të shtjellimit të ngjarjes, në kohë dhe hapësirë.

Ai rrëfen intensivisht me shumë ngjyra dhe përthyerje, fatin e një femre që prek fundin dhe thërret në erë fuqinë për t’u ngritur, për të dashur, për t’u pranuar, për t’u falur, edhe pse e pafaj.

Pas një nate pasioni, Enkelejda Borshi zhduket. Në kërkim të së vërtetës, i fejuari i saj italian, Emanuele D, përplaset me një mur të pakapërcyeshëm të një bote të panjohur. A do ta zbulojë vallë enigmën e zhdukjes së saj?

Kalvari i një vajze me një det ëndrrash për të ardhmen, e cila beson marrëzisht tek dashuria. Një mjedis sa real, aq edhe absurd, ku ndërthurren e shkuara me të tashmen… Cili do të jetë fundi i dashurisë së tyre?

5- “Në hijen e ëndrrës” nga Serafina Hasanbelliu – Ky roman me nëntitullin – ndërkohë ti mbijeto – është një ftesë e ngrohtë leximi, për të komunikuar përmes “letrave” që personazhet i dërgojnë njëri-tjetrit, me të vërtetat që nuk arrijnë t’i thonë me zë; të “fshehtat’ që nuk duan t’i marrin me vete në botën tjetër, duke i lënë si testament për të gjallët e dashur; “dhimbjet” që u marrin frymën, por që nuk i bërtasin dot, përveçse në Letra…

Nëpërmjet stilit, autorja ndërton një strukturë e cila e mban intensitetin e shtjellimit të ngjarjeve me të njëjtin ritëm, nga fillimi në fund të romanit. Humbës por aspak të dorëzuar, ata që do të mbijetojnë, së paku do t’i nënshtrohen fatit për të rrëfyer dhe bekuar pasardhësit… Një roman që lexohet me nje frymë, ndërsa personazhet mund të jenë secili prej nesh.

6- “Vila me tri porta” – Vera Bekteshi me siguri nuk e ka menduar se rrëfimi i saj autobiografik, i shkruar mes përjetimesh të forta, edhe pse me një distancë të gjatë kohore prej më shumë se 20 vjetësh nga “ngjarjet”, do të njihte botimin e vet të tretë me UET Press, falë kërkesës së lexuesit shqiptar.

Autorja rrëfen një kohë të trishtë, por ka stil dhe humor; dëshmon të vërteta të hidhura, por arrin të skalisë njerëzit e thjeshtë, bashkëshoqërues në udhëtimin e dhimbshëm, që mbesin qenie të mrekullueshme kur ke sy t’i shohësh; ajo flet për një mënxyrë, por me fuqinë e njeriut që e do jetën dhe di t’i gëzohet, përtej çdo rrethane. Autorja është e vetëdijshme se një libër i tillë është shumë më tepër se rrëfim autobiografik. Është rrëfimi i jetës së një brezi që u rrit në bllokun komunist, i një brezi me prindër që kishin arritur në kupolat e pushtetit (natyrisht, me krimet dhe prapaskenat e një pushteti që kishte talent të rrallë për gllabërimet kanibaleske të sojit të vet), e një brezi që kishte ardhur duke i përzënë dhe futur nëpër burgje, apo duke i vrarë pronarët e vërtetë nga Blloku – për t’u gjendur shumë shpejt vetë në anën e të persekutuarve.

Një roman që hap portat e harresës, për të zgjuar kujtesën, me dritë.

Për të apasionuarit pas leximeve me natyrë historike por të sjella me zhdërvjelltësi e art, vijnë disa tituj nga kolanat Scripta Manent apo Ide/Esse/Debate:

7 – “Për në Shqipëri Karl – Një udhëtim ndryshe në vitin 1914” nga autori gjerman Peter Marxheimer, sjellë në shqip nga Armand Plaka – Si ndodhi që një princ gjerman, nga Rini, të vinte e të ulej në fronin mbretëror të Shqipërisë, siç na dëshmon viti 1914? Kjo ishte pyetja që ngjizi idenë e autorit gjerman Peter Marxheimer  për të shkruar këtë libër. Letërsi dhe histori bashkë. Kemi të bëjmë me dy udhëtime, atë të gazetarit Karl Richter, një figurë fiktive letrare dhe të Princ Vidit, figurë historike. Gjatë aventurës së tij shqiptare, Richter takon edhe baroneshën pasionante, Ameli fon Godin, britaniken kurajoze, Miss Durham, sikurse dhe baronin turbullues Nopça, të tre njohës shumë të mirë të rrethanave politike në vendin e vogël buzë Adriatikut. Për ta bërë edhe më interesant misionin e tij, ai kryen edhe një intervistë me Kajzerin gjerman Vilhelm II, në ishullin e Korfuzit ku na zbulohet me këtë rast edhe qëndrimi gjerman për “çështjen shqiptare”. Aventura personale e Karlit përzihet me atë politike të Princ Vidit si Mbret i Shqipërisë. Nuk mungojnë aty as takimet dhe rrëfimet e personazheve të rëndësishëm shqiptarë të kohës si Ekrem Bej Vlora e Dervish Hima. Tradhtia, intrigat e diplomatëve të kohës si dhe mbërritja papritur e oshëtimave të Luftës së Parë Botërore; një libër që të zhvendos në kohë, pa të lodhur me arsyetime.

8- “Liri Belishova dhe koha e saj – Idealizmi, humnerat e pushtetit, katarsis” nga Bashkim Shehu – Pena e sigurtë, e konsoliduar, mjeshtërore e shkrimtarit, përkthyesit e estetit letrar Bashkim Shehu, na sjell kësaj radhe të konceptuar në një mënyrë moderne dhe mbase jo fort të rrahur në lëminë e letrave shqipe, një vepër  që mbart të gërshetuara sa tiparet e një analize të mirëfilltë studimore të karakteristikave të komunizmit shqiptar e atij ndërkombëtar të ish-kampit socialist, por po aq edhe rrugëtimin biografik tragjik të njërës prej protagonisteve të skenës politike shqiptare të pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, Liri Belishovës. Por, rasti Belishova, është vetëm ilustrimi i një analize të thelluar, shterruese, të kontekstit politik e ideologjik të kohës, në Shqipërinë që rrëshqiti shumë shpejt në totalitarizëm. Vepra vjen si një mozaik i plotë analizash politike, gjeopolitike, përsiatjesh sa filozofike aq edhe letrare e psikanalitike të cilat e kornizojnë, por duke mbajtur në qendër të tyre Belishovën, si një ndër shembujt më dramatikë ku mbrojtësja dhe bija e ideologjisë komuniste, shndërrohet në viktimën e saj.

9 – “Bohemë anglosanksonë në Paris” nga Luan RamaParisi i “Belle Epoque” në faqet e një libri, duke ndjekur gjurmët e një plejade artistësh të mëdhenj, letërsinë e të cilëve tashmë e njohim por pak dimë nga aventura jetësore e tyre: bredhjet boheme të një Hemingway-i që provonte shijen e urisë dhe ulej kafeneve të shkruante romanet e tij; dashuritë e tyre, aventurat, dehjet, skandalet e çiftit Scott dhe Zelda Fitzgerald, miqësitë dhe dashuritë franceze etj. Kështu, nga një histori në tjetrën lexuesi përjeton jetën e tyre, atë rini të vrullshme dhe gjithë pasione pas Luftës së Parë Botërore, të etur për dashuri dhe argëtim, kohë që do ta quanin “La Belle Epoque” me kabaretë e mbushura plot njerëz që thërrisnin “Të pimë se nesër mund të vdesim!” Shumica prej tyre kishin jetuar në Paris një apo dy dekada, të tjerë kishin mbetur gjer në ditët e tyre të fundit duke e kthyer Francën si atdheun e tyre, ashtu siç ndodhi me Beckett, Gertrude Stein, Man Ray, Josephine Baker, etj. Ata që ktheheshin në vendin e tyre, jo rrallë rivinin në Paris, siç ishte dhe Ezra Pound pak kohë para se të vdiste, për të gjetur gjurmët e rinisë së tij, aty ku shumë nga ata krijuan vepra të mëdha. A nuk ndodhi kështu me Hemingway, Fitzgerald, Beckett e të tjerë? Ata që mbetën, i gjen sot në varrezat e Père Lachaise, të Montparnasse, në atë të Montmartre-s apo në Passy, me stelat e tyre të thjeshta plot epitafe apo monumentale, siç ishte ai i Oscar Wilde me “Sfinksin” e tij të dashur, mbuluar nga puthjet e vizitorëve.

Luan Rama ndërton mjeshtërisht kronikën e një kohe e të një plejade artistësh që vijojnë të shenjojnë botën tonë sot, ndërsa lexuesi “tretet” në Parisin e trillit dehës.

10 – “Simfonia e udhëtimeve” nga Adnan Mehmeti – Një udhëpërshkrim i mrekullueshëm i Amerikës: Mississippi/ Illinois/ Louisiana/ Arkansas/ Tennessee/ Texas/ Alabama/ Oklahoma/ Washington, D.C./ Nevada/ Neë York/ Maryland/ Florida/ Mexico/ Ontario, Canada/ Rhode Island/ New Jersey/ Pennsylvania/ St.Martin, Caribbean/ Connecticut/ Michigan/ Delaëare/ Vermont/ Quebec, Canada/ Virginia/ Arizona/ California/ Neë Hampshire/ Maine/ Massachusetts.

“Simfonia e udhëtimeve” të zhvendos në “tokën e premtuar” me të gjitha shqisat e leximit.

Vrapime pas rërës së plazheve më të bukura të botës, maleve me dëborë, ujëvarave me stërkala. Këngë. Gjuhë të shumta që derdhen në lumin njerëzor ku bëhesh pjesë. Fletëpalosje që të mbeten në çantën e mbushur të udhëtimit. Relikte dhe antikitete që “udhëtojnë” në valixhe. Kujtime ngjarjesh që vijnë pas teje edhe kur mbyll faqet e një libri udhëtimesh… thotë autori Mehmeti, duke i ftuar lexuesit të bashkëndajnë përvojat e një udhëtimi mbresëlënës, teksa distancat shkrihen dhe botët përafrohen brenda faqeve të këtij ditari udhëtimesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura