“Nga bonusi te lehtësitë fiskale” – Manastirliu: Paketë mbështetje për mjekët shqiptarë që të rikthehen nga diaspora

Feb 20, 2020 | 12:27
SHPËRNDAJE

Mjeket e diaspores, manastirliu“Qeveria po përgatit një paketë të plotë mbështetëse konkrete për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës, që nga bonusi dhe incentivat financiarë, mbështetje për strehim, lehtësi fiskale dhe një kontratë që do të përmbushë pritshmëritë që ju keni”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në Konferencën “Mjekë në Diasporë”, e organizuar nga Ministria për Diasporën dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mjekët e diasporës.

“Ne kemi hapur një dritare të posaçme për mjekët e diasporës në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, për t’i dhënë mundësi të gjithë mjekëve të njohin vendet e lira në sistem dhe jemi të gatshëm të çojmë përpara bashkë me ju formësimin e paketës së mbështetjes për rikthimin tuaj”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se janë më shumë se 113 mjekë të huaj që në dy vitet e fundit punojnë në Shqipëri, Manastirliu tha se është koha për të forcuar bashkëpunimin mes mjekëve shqiptarë në Botë.

“Sot është e mundur me epokën digjitale të kontribuoni për shëndetësinë shqiptare, edhe duke shkëmbyer eksperiencat me mjekët shqiptarë”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës saj Manastirliu theksoi se lëvizja e lirë e mjekëve është një fenomen që shtrihet përtej vendit tonë, sikundër përmendi raste të mjekëve të mjekëve që kanë vendosur të kthehen në Shqipëri.

Gjatë dy viteve të fundit 400 mjekë dhe 2200 infermierë janë punësuar në sistemin publik në dy vitet e fundit. Pas mungesës së gjatë të specializimeve, 200 mjekë të shkëlqyer specialistë japin sot shërbim në spitalet rajonale dhe bashkiake nga Kukësi në Gjirokastër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura