“Nga batutat, te darkat dhe pijet”, Mustafa Nano rrëfen Fatos Nanon: Sundimtari i parë që nuk të fuste frikën

SHPËRNDAJE

Publicisti i njohur dhe moderator i emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano, në librin e tij të fundit “Si e kam njohur”, të publikuar në Panairin vjetor të Librit, rrëfen edhe marrëdhënien e tij me ish-Kryeministrin Fatos Nano, ndaj të cilit ai ishte një kritik i fortë.

nano

Në takimin e parë mes tyre, gjatë një tryeze me gazetarët më të mirë në vend, Mustafa Nano tregon kritikat direkte ndaj Kryeministrit, i cili i pranoi në heshtje, pa reaguar. Duke bërë një krahasim dhe me pasardhësin e Nanos, Sali Berishën, Mustafa Nano shprehet se

Kryeministri socialist, Fatos Nano, “ishte ‘sundimtari’ i parë i vendit që nuk të fuste frikën. Të gjithë të tjerët, më herët, kanë qenë në një mënyrë a në një tjetër të frikshëm. Ndërsa Nanos dukej se nuk i shkonte mendja ta përdorte pushtetin për të frikësuar, shtypur a vrarë. Për Nanon, pushteti ishte një lodër, së cilës ai i gëzohej si një fëmijë”, shkruan në librin e tij Mustafa Nano.

Analisti i njohur tregon dhe anën njerëzore të Fatos Nanos, i cili dinte të komunikonte edhe me kritikët e tij. Mustafa Nano tregon një takim të rastësishëm me ish-Kryeministrin socialist në aeroportin e Vjenës, kur vetë Nano i ishte drejtuar me batutë duke i shtrirë dorën për ta takuar. “Zoti Nano, je në lartësinë e mbiemrit që mban!” Me të dëgjuar dikë që foli shqip, unë ngrita kryet dhe për befasinë time, pashë Kryeministrin e vendit, që u drejtua nga unë me dorën e zgjatur”, rrëfen Mustafa Nano.

Mustafa-Nano

MUSTAFA NANO

Kape çastin! Këtë shprehje, edhe sikur të mos e kishin shpikur latinët (“Carpe Diem”), do ta kishte shpikur Fatos Nano. Në mos, dikush tjetër që do t’i referohej jetës së tij. Si rrallëkush, përzjeu përgjegjësinë publike me qejfet private. Aní, këtë vend e kanë dëmtuar më shumë ata që pushtetin e quajnë “tokë e xanun”.

Kur unë fillova të shkruaj në gazetën “Shekulli” në fillim të vitit 1998, Fatos Nano ishte Kryeministër. Fakti që isha shumë kritik ndaj tij, më bënte të mendoja se një takim me të do të ishte një ngjarje e pamundur. Mirëpo, unë nuk dija një gjë: Kur ti je gazetar, do të vijë se s’bën një ditë kur rruga jote do të kryqëzohet me atë të një politikani të rëndësishëm. Një nga herët e para, ndoshta e para fare, kur jam parë sy më sy me Nanon, nga fare pranë, ka qenë një takim i organizuar nga OSBE dhe Instituti i Medias i Remzi Lanit, në të cilin ai ishte i ftuar si Kryeministër për të biseduar me një grup të vogël e të zgjedhur gazetarësh. Mua më ishte caktuar vendi fare pranë kreut të tryezës. Isha ngjitur me të. Ai erdhi, u ul pa i dhënë dorën askujt dhe takimi filloi pa shumë ceremoni. Mbaj mend që gjatë fjalës hyrëse sulmoi Genc Rulin, i cili 24 orë më herët ishte shfaqur në publik për herë të parë pas krizës së vitit 1997 dhe kishte hedhur kritika të forta në adresë të Kryeministrit. Nuk dihet pse ky i fundit ishte ngacmuar në mënyrë aq të veçantë nga ato kritika, sa të shfrytëzonte një takim me gazetarët më të mirë të vendit për ta denigruar. Lëri të tjerat, por Genc Ruli nuk përfaqësonte ndonjë gjë në atë moment. Ishte thjesht një individ, që kishte thënë diçka. Prandaj, se si m’u duk të dëgjoja Kryeministrin ta quante të korruptuar. Sepse kështu e quajti: të korruptuar. Emrin nuk ia përmendi, por të gjithë e morën vesh se për cilin ishte fjala.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Genc Ruli ishte një qytetar i lirë dhe unë nuk e pashë fare me kuptim të sulmohej egërsisht, pikërisht në momentin kur ishte kujtuar të bënte ca kritika publike. Mendova se, nëse Ruli nuk do të bëhej i gjallë, Kryeministri i vendit nuk do të kujtohej se ai ekzistonte. Me antenat e mia kapa në atë rast një mesazh të çuditshëm kryeministror: “Mund të jetosh si qytetar i lirë nëse nuk kruhesh me mua; në të kundërt, unë të turpëroj faqe botës”. Kërkova fjalën në fund të ndërhyrjes që ai bëri dhe i thashë se nuk më dukej normale që dikush sulmohej për faktin që kishte kritikuar Kryeministrin. Dhe përfundova: “Sepse, nëse ai nuk do t’i bënte ato kritika, ju nuk do kujtoheshit për Genc Rulin”. Ai mbeti ligsht. Nuk dinte ç’të thoshte. Ishte i hutuar si përballë një agresori. La të kuptonte se e dinte mirë që e kishte katranosur. Dhe kjo sjellje e tij ishte njësoj sikur të kërkonte ndjesë. Prandaj, më pëlqeu. Unë kam shumë simpati për politikanët që ftillohen aty për aty për një gjepur që thonë dhe bëjnë me heshtje apo me fjalë një tërheqje. Berisha, fjala vjen, ishte rasti tjetër. Çdo gjepur që nxirrte nga goja ai e shihte dhe e mbronte si një xhevahir. E demonstron këtë çdo ditë, por e demonstroi edhe kur erdhi të bisedonte me të njëjtët gazetarë, një javë më vonë, në të njëjtin vend (Hotel Sheraton). Ndonëse nuk kishin kaluar as dy minuta nga momenti që kishte marrë fjalën, zuri t’i jepte gojës siç ishte mësuar t’i jepte gjithmonë: “Vendi ka rënë në dorë të klanit të Zemunit, prandaj…”. Unë që isha ulur në të njëjtin vend, fare pranë kreut pra, u kapa në befasi. Nuk e prisja që ai të fliste me ne, që ishim aty si më të mirët e gazetarisë, me gjuhën e tubimeve që ai bënte në Bushat e Mamurras. Ishte fyerje. Dhe u ngrita nga vendi. “Nuk jam këtu për të dëgjuar marrëzira të tilla”, thashë dhe u largova nga salla. Berisha murmuriti nëpër dhëmbë diçka kundër meje, por askush nuk e mori vesh se ç’tha. Unë hapa derën e dola. S’kishte pikën e kuptimit të rrije. Biseda me kundërshtarin e tij një javë më parë ishte ku e ku më normale.

berisha nano

Por në atë rrethanë, unë nuk u takova me Nanon. Thjesht shkëmbyem ca fjalë në prani të të tjerëve, edhe të kamerave televizive, por nuk i dhamë dorën njëritjetrit. Takimi im i parë i vërtetë me këtë të fundit ka ndodhur në aeroportin e Vjenës. Unë kthehesha nga diku, ndërsa ai, i shoqëruar nga një grup i madh, shkonte për diku. Ai i printe grupit. Tre-katër vetë, që duhej të ishin pjesa më e afërt e shpurës, e ndiqnin nga pas në një largësi prej dy metrash. Të tjerët, mes të cilëve kishte edhe gra, ishin edhe më pas. Ishte ai që më pikasi i pari. Unë u ftillova veç kur dëgjova zërin e tij: “Zoti Nano, je në lartësinë e mbiemrit që mban!” Me të dëgjuar dikë që foli shqip, unë ngrita kryet dhe për befasinë time, pashë Kryeministrin e vendit, që u drejtua nga unë me dorën e zgjatur. Të tjerët pas tij ndaluan të gjithë. Fundi i grupit po ngjishej në krye. Disa u bënë kureshtarë për të dëgjuar bisedën. Në fakt, më shumë kureshtarë ishin për të dëgjuar batutat e shefit të tyre, i cili ishte i famshëm për biseda hidh e prit. Shtrënguam duart. Ai vijoi: “Ne thellë-thellë duhet të jemi tanët; duhet të jemi me origjinë nga Hormova”. Pastaj shtoi: “Nuk ta them këtë për të të korruptuar”. Dhe zuri të qeshte, siç bënte gjithnjë pas batutave të veta. Pas tij qeshnin të tjerët. Në fakt, edhe unë e kisha dëgjuar një version të tillë, që shpjegonte origjinën e Nanove të Skraparit. Dhe nuk është pa gjasa të jetë kështu. Pasi mbiemri Nano në Skrapar është disi i huaj. Edhe në forma të tjera të përafërta, si Nanaj apo Nanollari, do të ishte i huaj për atë areal. Megjithatë, delli im hormovitar mbetet thjesht një hipotezë, hamendje. Nuk mund të provohet.

Ndenjëm 2-3 minuta në këmbë. Në fund, atij dikush i tha: “Shef, na duhet të nxitojmë, pasi na ikën avioni”. E kështu u ndamë. E pashë teksa largohej, i futur mes të vetëve, të cilët ishin gjithsesi me shtat më të lartë se ai. Kur kam parë vite më pas Kim Jong-Un, që në rrethana publike ecte para të vetëve me atë shtatin e tij të vogël, i ndjekur nga njëfarë largësie prej atyre që e quanin veten më të afërt, më është kujtuar ajo situatë me Fatos Nanon në aeroportin e Vjenës. Veçse zyrtarët që shoqëronin F. Nanon nuk mbanin bllok shënimesh në dorë. E mbi të gjitha, në thelb, Fatos Nano nuk ka asnjë lidhje me politikanë si Kim Jong-Un.

Më la një shije të mirë, sidoqoftë. Më pëlqeu natyra e tij sportive dhe e shkujdesur. Ishte si një garip Tirone. Kam përshtypjen se në historinë politike shqiptare ai është një gjë e rrallë: ishte “sundimtari” i parë i vendit, që nuk të fuste frikën. Të gjithë të tjerët, më herët, kanë qenë në një mënyrë a në një tjetër të frikshëm. Ndërsa Nanos dukej se nuk i shkonte mendja ta përdorte pushtetin për të frikësuar, shtypur a vrarë. Për Nanon, pushteti ishte një lodër, së cilës ai i gëzohej si një fëmijë. Nuk duhet të na dalë nga mendja që ai u bë Kryeministër në vitin 1997, kur shteti ishte krejt i shkërmoqur dhe kur të gjitha institucionet do duhej të ngriheshin nga e para. Berisha para tij i rrëmbeu të gjitha. Këtij i ranë në dorë të gjitha. Afërmendsh, mund të abuzonte si të donte me pushtetin e pakufishëm që kishte. Por abuzimet e tij mbetën në limitet e festave, alkoolit, qokave e bixhozit. Është e nevojshme të shpjegohet ky qejf i tij për të harbuar, por këtë mund ta bëjë ndonjë që e ka njohur mirë nga afër.

Kam dëgjuar sidoqoftë, se ishte aq i dhënë pas argëtimit, sa nuk dinte t’i vinte frena vetes. E kam parë shpesh nëpër restorante. Njëherë, më ndodhi të isha i ftuar tri ditë me radhë në tri dreka të ndryshme, me njerëz të ndryshëm, në restorante të ndryshme, të preferuara nga të kamurit e Tiranës (gjë e rrallë, më duhet të them; nuk para drekoj në restorante të tilla) dhe kur kam hyrë, në të tri rastet, në një kënd kam parë Fatos Nanon me grupin e tij. Ai zinte gjithnjë këndet. Dhe në tryezën ku ulej, zinte gjithnjë kreun, mbështetej mbi shpinoren e ndenjëses, me puron mes buzëve, dhe shoqëruesit i mbante disi larg. Ndoshta ata vetë i rrinin larg. Mbroheshin prej batutave të tij të hidhura. Tregojnë se i trajtonte keq vartësit. I tallte, i përbuzte, i fyente. Dikush është fotografuar duke i lidhur këpucët.

Kishte qejf t’i shërbenin. Nuk donte ta harronin se ata ishin ata që ishin dhe ai ishte ai që ishte. Nuk donte pra, që të harronin rolet e funksionet që kishin. Njëri syresh, në një darkë donte të ndërhynte në bisedë, por Fatosi e ndaloi. “Ti je këtu thjesht si spektator. Je veç për të dëgjuar. E ke të ndaluar të flasësh”, i tha. Kam drekuar një herë me të. Tek “Il Gusto”. Vetë i tretë. Ç’të pirë që bënte! Nuk kishte të lodhur. Qeshte gjithë kohën. Nuk dehej. Dhe nuk i shkonte mendja të ngrihej. Qoftë edhe për të pshurrur. Unë e gjeta në restorant dhe e lashë atje.

Të nesërmen mora vesh se ishte çuar nja pesë orë më pas. E të mendosh se pesë orë kishte qenë me mua. Dhjetë orë i ulur në restorant! Kjo është për Guinness. As sot nuk e di nëse ka pshurrur apo jo pas asaj dreke.

Në një rast, teksa ishte në New York, – kështu tregojnë – ai la takimin për të cilin kishte shkuar dhe ia mbathi në një kazino. Agjentët amerikanë që ishin ngarkuar për sigurinë e personaliteteve që merrnin pjesë në atë veprimtari politike në kuadër të OKB-së, nuk mund ta ndalonin dot. Prandaj e ndoqën nga pas. E gjatë kohës që Nano luante në kazino (për orë tëra), policët amerikanë bënin roje në dyert e kazinosë. Ata duhet të kenë raportuar diku për huqet e këtij bandilli, që kishte ardhur nga Ballkani i rrëmujshëm dhe ekzotik dhe thuhet se me këtë ngjarje ka zënë fill një mendim i keq i amerikanëve për të. Derisa në vitin 2005 i sugjeruan apo e urdhëruan, pa shumë bujë, të hapte rrugën e rikthimit në pushtet për Sali Berishën. Amerikanët parapëlqyen një bandit në vend të një bandilli. Është në stilin e tyre – hajde e merre vesh pse – që të mos u zënë besë bandillëve. Ndërsa me banditët dinë ta gjejnë gjuhën.

Pasi humbi zgjedhjet, Fatos Nano u largua nga politika. Tentoi më shumë se një herë të rikthehej si një figurë mbi palët dhe për këtë lakmonte postin e Presidentit të Republikës, por mundimi i shkoi dëm. Kështu, Fatos Nano është përfundimisht jashtë politikës. Ai u largua për të mos u kthyer më. Dhe do të mbahet mend për këtë gjë. Do të mbahet mend gjatë. Pasi në historinë politike të shqiptarëve, ai është i vetmi që është larguar në këtë mënyrë, përgjithmonë (duke përjashtuar Fan Nolin që u largua nga halli, jo nga qejfi). Dhe meritat e tij nuk mbarojnë këtu. Ai kishte edhe një gjë tjetër, që nuk ishte hiç shqiptare. Dinte të delegonte pushtet. Donte të delegonte pushtet. Çdo mosmarrëveshje e rivalitet brenda partisë e zgjidhte shumë lehtë. Rivalëve, apo në përgjithësi bashkëpunëtorëve xanxarë, ua mbyllte gojën duke u dhuruar – për të folur me gjuhën e sotme – një pjesë të tepsisë së madhe, apo duke i ftuar të vinin edhe ata duart në timon. Madje, nuk e kishte hiç për gjë të ftonte pranë vetes edhe njerëz me personalitet e ambicie të fortë, që mund ta rrezikonin në të ardhshmen, siç bëri me Edi Ramën. Mund të mendohet se e gjitha kjo vinte prej një filozofie të tij, por me shumë gjasë punët kanë qenë ndryshe. Ai nuk kishte ndonjë filozofí. Ishte një njeri pa bindje të forta, pa ambicie të fortë. Nuk dinte të bënte llogari. Përtonte të bënte llogari. Përveç kësaj, nuk kishte një bazë të tijën. Nuk ka pasur kurrë nanoistë në Shqipëri. Të jepte përshtypjen se nanoistët e bezdisnin. Dhe nuk i duheshin. Për çfarë mund t’i duheshin? Për të hedhur shtylla tensioni në erë? Për t’ua vërsulur kundërshtarëve të tij? Për t’i nxjerrë në protesta? Apo për punë të tjera të liga? Për asgjë nga këto, ai nuk kishte nevojë.

Më kanë treguar se si njëherë, duke ikur për në jug, ku kishte një tubim elektoral për të mbajtur, i zunë rrugën disa fshatarë të Kavajës a të Lushnjës. Ishin socialistë, që donin të takonin të parin e tyre. Priheshin nga kryetari i komunës, një barkderr (nuk i përfytyroj dot ndryshe kryetarët e komunave në Shqipëri). “Çfarë ka ndodhur?” – pyeti Fatosi, kur pa turmën që kishte dalë në rrugë. “Shef, duan të të takojnë. Janë tanët”. Nuk donte të ndalonte, por kur pa jargavitjet e fshatarëve, shenjë se ata e adhuronin atë, ra dakord. “Ne duam të na kthehesh pak në fshat. Atje po të presin”, i tha kryetari i komunës. “Po mirë, po ndalem 10 minuta, jo më shumë”. Për të shkuar në fshat, që ishte buzë rrugës, u duhej të kapërcenin një kanal të ngushtë. Dhe tjetri, në shenjë respekti, e zuri për krahu, si për ta ndihmuar që të hidhej në anën tjetër. Jo vetëm që po e bezdiste e po e pengonte, por edhe ia kishte shtrënguar shumë krahun. “Ma lësho krahun, – i tha,- se hidhem vetë”. Por barkderri bëri të kundërtën. Ia shtrëngoi më shumë. Me sa duket, nuk gjente dot mënyrë tjetër për t’i shprehur dashurinë. “Më çave k…, më çave! Hiqe krahun, të thashë! Sh…! B…!” Barkderri më në fund bëri mënjanë.

Përsëris: Fatos Nano ka qenë një politikan atipik shqiptar. Shqipëria nuk ka pasur e nuk ka për të pasur një politikan si ai. Sa mirë? Apo sa keq? Hëm, këtë nuk e di. Jemi në Shqipëri, të dashur, ku çfarë mendon si më të keqen, mund të dalë si më e mira.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.