Nga Bardhi, Rushaj te Tabaku e Duma, kush janë të besuarit e Lulzim Bashës që do marrin postet e rëndësishme në PD

Aug 30, 2021 | 8:27
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Zbardhet ekipi i ngushtë i Lulzim Bashës në Partinë Demokratike. Sot pasdite, Këshilli i ri Kombëtar do të miratojë emërimet e nënkryetarëve dhe  sekretarëve të PD-së për 4 vitet e ardhshme.

4

Ashtu siç ishte lajmëruar edhe më herët, kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjeruar funksionet në Partinë Demokratike dhe  automatikisht edhe kryesinë, çka nënkupton se ka  pasur një tendencë për të mos krijuar pakënaqësi brenda selisë blu.

NDRYSHIMET

Në 4 vitet e ardhshme nuk do të kemi më 2 nënkryetarë të PD-së, por numri i tyre është shtuar edhe me dy të tjerë, duke shkuar në 4. Por kryedemokrati Basha ka vendosur që të largojë të dy ish-nënkryetarët, Edmond Spahon dhe Edi Palokën, dhe t’i zëvendësojë  ata me 2 gra dhe dy burra. Kështu, nënkryetarët e 4 viteve të ardhshëm do të jenë: Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma.

Secili prej nënkryetarëve do të ketë drejtime të ndryshme, me të cilat do të merren gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Bie në sy Alfred Rushaj, i cili do të jetë edhe kryetari i  Grupit Parlamentar të PD-së në këto 4 vite të këtij mandati. Rushaj u rikthye me  funksione në selinë blu vitet e fundit duke u emëruar nga Basha si Anëtar i Bordit Financiar në mënyrë që të bëhej edhe pjesë e kryesisë. Por më pas Rushaj ka fituar një vend të rëndësishëm te Lulzim Basha, por edhe në diskutimet me dyer të mbyllura në kryesinë e PD-së.

Ndërkohë, nga ana tjetër nuk kanë munguar as kuotimet nga ana e kreut të PD-së duke e bërë drejtor të fushatës së 25 prillit dhe tanimë kryetar të Grupit Parlamentar të PD-së dhe nënkryetar të Partisë Demokratike. Rushaj ka mbajtur edhe postin e zëv- endësministrit të Financave  në qeverinë Berisha. Enkelejd Alibeaj është një tjetër nënkryetar i Partisë Demokratike. Ai do të jetë gjithashtu edhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ndonëse Rushaj ka qenë prezent më shumë vitet e fundit në PD, Alibeaj është një nga figurat politike të PD-së që ka pasur angazhim të vazhdueshëm.

Alibeaj ka qenë edhe ministër i Drejtësisë gjatë qeverisë Berisha në periudhën  2007-2009. Sakaq, nënkryetare të PD-së këtë herë do  të ketë edhe dy gra. Bëhet fjalë për Grida Dumën dhe Jorida Tabakun. Duma do të jetë përgjegjëse në selinë blu si nënkryetare e PD-së për marrëdhëniet me shoqërinë civile. Ndërsa Jorida Tabaku do të jetë  përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë. Si përforcim, Tabaku do të ketë edhe postin e kryetares së Komisionit të Integrimit në Parlament që drejtohet nga PD.

LARGIMI 

Ndërkohë, dy nënkryetarët e mëparshëm, Edi  Paloka dhe Edmond Spaho,  janë spostuar. Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur të mos i besojë asnjë post drejtuesit politik të Korçës, Edmond Spaho. Ndërsa Edi Paloka do të  bëhet kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të PD. Paloka zëvendëson kështu ish- Presidentin Bujar Nishani, i cili praktikisht mbetet  vetëm anëtar i Këshillit Kombëtar.

SEKRETARIATET

Ashtu siç pritej nuk ka surpriza për numrin dy të Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka vendosur t’ia besojë postin e dytë më të rëndësishëm të partisë, Gazment Bardhit, i cili në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishte drejtues  politik në Qarkun e Elbasanit. Në fakt, në drejtim  të Bardhit ka pasur mjaft kritika edhe nga brenda  strukturave të PD-së. Kritikat më të mëdha i mori në  përmbledhjen e analizës së humbjes së zgjedhjeve ku Bardhi nxori qarkun që drejtoi vetë (Elbasanin) si qarkun që arriti rezultatet më të mira në zgjedhjet e 25  prillit dhe se PD në Elbasan nuk mund të merrte më tepër sesa 6 mandate, teksa PS mori 8 të tillë.

Megjithatë, të njëjtin mendim me kritikët e numrit dy të Partisë Demokratike nuk ka ndarë kryedemokrati Lulzim Basha. ky i fundit ka vlerësuar punën e tij duke i besuar edhe për 4 vitet e ardhshme sekretarin e Përgjithshëm. Ndërkohë, në selinë blu është shtuar edhe numri i sekretariateve, nga 4 në 11 të tilla. Kështu, Ervin Minarolli, i cili deri tani ka mbajtur sekretarinë e burimeve njerëzore, tani më do të  marrë sekretarinë e organizimit, post i cili mbahej nga Sahit Dollapi që u largua pas zgjedhjeve.

Ndërkohë,  sekretar i burimeve njerëzore është bërë Arta Sakja. Një vëmendje të veçantë Basha duket se do t’i japë organizimit dixhital. Kreu i PD-së i ka besuar anëtarit  të Kryesisë, Endri Hasa, sekretarinë e organizimit dixhital. Po ashtu, Basha  duket se do të jetë në të njëjtin hap me Komisionin  Qendror të Zgjedhjeve, që është zotuar që në zgjedhjet e ardhshme të mundësojë votimin e emigrantëve. E për të pasur marrëdhënie më të forta me diasporën, Basha i ka besuar Belind  Këlliçit sekretarinë për marrëdhëniet me Diasporën.

Lulzim Basha ka vendosur që të mos lërë më në sekretarinë e çështjeve ligjore Çlirim Gjatën, duke ia kaluar Ivi Kasos, sekretarit për çështjet zgjedhore edhe përgjegjësinë për çështjet ligjore. Ndërkaq, po ashtu për të pasur adresim më të mirë të çështjeve të pronave dhe të përndjekurve, Basha ka vendosur të krijojë dy sekretari përkatëse. Çështja  e të përndjekurve do të drejtohet nga Jonila Godole, ndërsa çështja e pronave nga Ledina Mandia.

EKIPI I PD-SË

Alfred Rushaj – Kryetar i Grupit Parlamentar
Enkelejd Alibeaj – Nënkryetar i Kuvendit
Jorida Tabaku – Nënkryetar përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë
Grida Duma – Nënkryetar përgjegjës për marrëdhëniet me shoqërinë civile

SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Gazment Bardhi
KRYETAR I KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Edi Paloka
KRYETAR I KOMISIONIT TË APELIMIT, INTEGRITETIT DHE ETIKËS
Flutura Açka
KRYETAR I KOMISIONIT ZGJEDHOR
Jemin Gjana

SEKRETARIATI EKZEKUTIV I PARTISË:
1. SEKRETAR ORGANIZATIV — Ervin Minarolli
2. SEKRETAR BURIMEVE NJERËZORE— Arta Sakja
3. SEKRETAR PËR EMIGRACIONIN DHE DIASPORËN —Belind Këlliçi
4. SEKRETAR PËR PRONARËT DHE CESHTJEN E PRONAVE- Ledina Mandia
5. SEKRETAR PËR KLIMËN E BIZNESIT – Flamur Hoxha
6. SEKRETARE PËR TË PËRNDJEKURIT POLITIK- Jonila Godole
7. SEKRETAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE- Ivi Kaso
8. SEKRETAR PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN – Greta Bardeli
9. SEKRETAR I KOORDINIMIT ELEKTORAL – Taulant Zeneli
10. SEKRETAR PËR ORGANIZATAT PARTNERE – Orjela Nebiaj
11. SEKRETAR PËR ORGANIZIMIN DIXHITAL – Endri Hasa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura