Nga “Banda e Lushnjës”, te “Dritan Dajti”, e “21 Janari”, dosjet e nxehta të prokurorëve që refuzuan shortin “Shullazi”

Sep 22, 2018 | 17:21
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku firmosi dy ditë më parë urdhrin për nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët kundërshtuan hedhjen në short të dosjes “Shullazi”, në një kohë kur dosja i kishte prokurorët e saj. Dhjetë prokurorët që janë nën hetim disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme janë prokurorë me shumë përvojë në organin e akuzës.

shullazi-seance

Tre prej tyre, madje, u komanduan kundër dëshirës së tyre në rrethe. E gjithë përplasja ka ndodhur më 19 shtator në mëngjes, në një kohë që procesi “Shullazi” zvarritej prej muajsh në fazën e konkluzioneve përfundimtare.

Prokurorja Elisabeta Imeraj është komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës dhe nuk është paraqitur që nga ajo kohë në gjyqin ndaj Shullazit. Ndërsa prokurori Ened Nakuçi është larguar nga Shqipëria me raport mjekësor, duke ngritur dyshime të mëdha. Në këto kushte, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, vendos që të hedhë në short prokurorët e rinj të dosjes, ndërkohë që dy të sipërpërmendurit nuk kanë hequr dorë nga çështja. Kjo është kundërshtuar si antiligjore nga dhjetë prokurorë, të cilët s’kanë marrë pjesë në short. Mirëpo, Prela ka njoftuar Markun dhe Kryeprokurorja ka nisur hetim disiplinor për ta. Madje, në një reagim kryeprokurorja i cilësoi si frikacakë prokurorët që refuzuan shortin. Por cilët janë ata?

Olsian Çela është një prej 10 prokurorëve nën hetim disiplinor, që refuzoi shortin për dosjen “Shullazi”. Ai ka mbajtur në vitin 2004 postin e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i emëruar nga ish-Kryeprokurorja Ina Rama. Olsian Çela u komandua nga Marku në Prokurorinë e Beratit pas përplasjes me Prelën. Ai ka qenë prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Ndër dosjet më në zë që ai ka pasur janë ato të zhdukjes së Remzi Hoxhës, dosjen “Kompas”, “Damir Fazlliç” dhe “Xibrakën”, por edhe dosje të bujshme së fundmi, si ajo e grabitjes së postës së Prokurorisë së Durrësit.

Eugen Beçi është gjithashtu ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga viti 2012 deri në vitin 2015. Beçi ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës dhe ka hetuar një sërë dosjesh të bujshme. Ai ka pasur në dorë dosje si ato të Dritan Dajtit, Gramoz Rexhepit, Qamil Rexhës, Ilir Xhakjes si edhe të Bandës së Gaxhait. Po kështu, Eugen Beçi ka pasur edhe dosjet e terrorit në Shqipëri dhe së fundmi ka hetuar Jurgen Mollën, pretencën e të cilit e ka dhënë. Beçi ka në dorë edhe grupet e strukturuara që dërgonin emigrantë të paligjshëm në Kanada dhe në SHBA. Ai është ndër të paktët prokurorë që ka kërkuar me dhjetëra dënime të përjetshme.

Blerim Tominaj është një prokuror tjetër mes 10 prokurorëve që janë nën hetim disiplinor. Tominaj gjithashtu ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës dhe ka qenë në krye të Krimeve të Rënda në vitin 2015, duke zëvendësuar Beçin. Ndër dosjet më të nxehta që ka pasur Tominaj janë ato të “21 Janarit”; aksidentin e deputetit Sokol Olldashi, si edhe çështjen e atentatit ndaj deputetit Tom Doshi. Ai, së bashku me dy kolegë të tij te Krimet e Rënda, thirrën për të dëshmuar në atë kohë një sërë politikanësh, duke përfshirë Kryeministrin e vendit dhe njerëzit më me pushtet.

Besim Hajdarmataj është paraardhësi në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda i Donika Prelës. Hajdarmataj ka pasur së fundmi dosje mjaft të bujshme. Përmendim këtu dosjen e nxehtë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilën do të detyrohet ta lërë pas transferimit në Pogradec. Ai gjithashtu është edhe prokuror i dosjes “Shullazi”, në të cilën ka kryer katër muaj hetime në hapje të saj. Hajdarmataj është edhe prokurori që ka lëvizur më shumë muajt e fundit, i cili pasi u shkarkua nga drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, transferohet tashmë në Pogradec.

Përparim Kulluri është një prokuror tjetër karriere mes 10 prokurorëve të vënë nën hetim disiplinor. Ai ka pasur dosje të nxehta kur ka qenë prokuror në rrethe, duke kujtuar këtu Bandën e Lushnjës, ku ka kërkuar dënimet më të ashpra për ushtarët e Aldo Bares. Kulluri ka pasur në dorë edhe dosjen e “Lazaratit”, si edhe të trafikut të minave. Kulluri ka qenë edhe në dosjen e atentatit të supozuar ndaj Tom Doshit. Kohët e fundit, prokurori Kulluri po heton audio-përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj dhe masakrën te Shkencat.

Arens Çela ka mbajtur postin e drejtuesit në njësinë antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Edhe pse i emëruar me shumë debate nga ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, Çela ka hetuar një sërë dosjesh korrupsioni, sidomos ato që përfshinin ish-kolegë të tij. Kujtojmë këtu rastin e një oficeri të Policisë Gjyqësore që i kërkonte ryshfet një qytetari për t’i zhbllokuar një llogari bankare.

Edvin Kondili është prokuror i Krimeve të Rënda, që ka pasur gjithashtu në dorë dosje të rëndësishme. Kondili është mes prokurorëve që refuzuan shortin për dosjen Shullazi. Prokurori Kondili ka hetuar më parë dosjen e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu, Kondili është prokurori që ka bërë veprimet e para për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Kondili ka një sërë çështjesh të trafikimit të kanabisit, por edhe dosje të tilla si “Lazarati”, por edhe dosjen e Alket Hatijas.

Behar Dibra është ndër prokurorët që ka hetuar kryesisht vrasje. Dibra ka pasur në dorë çështjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, së bashku me prokurorin Besnik Muçi. Po kështu, Dibra ka qenë pjesë e disa dosjeve të vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare. -Pranvera Pustina ka qenë pjesë e njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo ka hetuar gjyqtarin Guximtar Boçi, i cili kërkonte favore seksuale ndaj një gruaje që kishte një çështje gjyqësore në Gjirokastër.

Sonila Muhametaj është prokurorja e re e Krimeve të Rënda, që u emërua nga radhët e prokurorëve të Tiranës. Ajo ishte prokurorja që u përplas edhe me Donika Prelën, përpara se të transferohej me urdhër të Markut në Kukës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura