Nga autori i vrasjes së bujshme në Tiranë tek biznesmeni i arrestuar në Greqi, ç’shkruante ish kryeministri për subjektin e OFL

Mar 5, 2020 | 9:43
SHPËRNDAJE

Jani Aliaj, Katan (Sokrat) Baho dhe Florenc Tresa, janë tri personazhet e radhës që kanë marrë dje letër nga OFLja për të deklaruar burimin e pasurisë.

Jani Alia
Jani Alia

Sipas Policisë, ata janë subjekte të ligjit special, Aliaj i dënuar me burgim të përjetshëm dhe Baho e Tresa të hetuar për trafik droge.

“Në kuadër të aktit normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL-ja u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: J. A., banues në Tepelenë, për të cilin Gjykata e Përmetit ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë, në bashkëpunim’ dhe ‘Armëmbajtja pa leje’. Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe me 4 vite për veprën ‘Armëmbajtja pa leje’.

Në bashkim të dënimeve, Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme; K. B., banues në Gjirokastër, i cili është arrestuar nga autoritetet greke për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’; F. T., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim’. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAKut, për veprime të mëtejshme”, tha dje zyrtarisht Policia.

JANI ALIAJ

Jani Aliaj, 43 vjeç, është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016, në Tiranë, dhe aktualisht vijon të jetë një ndër personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Për ngjarjen e rëndë në ambientet e brendshme të lokalit ku ndodhej Çiça, u arrestua fillimisht edhe një person tjetër i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje, i cili më pas u la i lirë nga Gjykata për mungesë provash.

Nga ana tjetër, OFL-ja njoftoi dje se Jani Aliaj, ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë”, në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

KATAN BAHO

Personi i dytë që OFL-ja i nisi dje formularin e vetëdeklarimit është Katan Baho, i njohur edhe me emrin Sokrat, banues në Gjirokastër. Policia tha dje se ky person ka qenë i arrestuar në Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërsa në Shqipëri, ai njihet edhe si biznesmen.

Emri i tij u lakua në shtator të vitit 2019, nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili publikoi në profilin e tij të “Facebook” mesazhin e një ish-punonjësi Policie.

“Miq, narkodrejtori i narkopolicisë dhe narkodrejtori i Doganës së Gjirokastrës akuzohen për bashkëpunim në trafik droge”, shkruante Berisha, duke postuar edhe mesazhin e mbërritur në adresën e tij.

“Jam një ishpolic i doganës së Kakavijës. Desha të flas për megaaksionin që Policia e Shtetit sqaron. Në qytetin e Gjirokastrës, si drejtori i Policisë, ashtu dhe drejtori i Doganës janë të përfshirë në trafikun e drogës, me një nga trafikantët më të mëdhenj në atë qytet, Sokrat Baho ose Katan Baho. Njihet si biznesmen i një servisi dhe i një lokali në qendër të qytetit. Gjithashtu, njihet dhe nga drejtësia greke si trafikant, ku aty ka kryer dhe dënim në 2009-n. Po ky, në bashkëpunim me drejtorin e Doganës së Kakavijës kanë organizuar ngarkesën 950 kile që u kap nga Policia e Janinës”, ishte mesazhi i publikuar nga Berisha.

FLORENC TRESA

Personi i tretë, Florenc Tresa, është arrestuar për trafik droge dhe është hetuar si pjesë e një grupi prej 25 personash, mes të cilëve edhe efektivë Policie Kufitare dhe doganierë.

Aktualisht, ai ndodhet me masë sigurie “Arrest me burg” deri në marrjen e vendimit nga Gjykata.

Florenc Tresa dyshohet se më 5 shkurt të vitit 2017 ka trafikuar nga Porti i Durrësit drejt Ankonës në Itali 8193 kg kanabis dhe më datë 19 mars 2017, 2270 kg kanabis me një vlerë prej 80 milionë eurosh, sekuestruar nga Policia italiane.

Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura