Nga arratisja i veshur si grua te hyrja ilegale në Shqipëri/ Dëshmia e ish-kryekomunistit polak: Bisedat me Enverin, pas 12 vjetësh më përzunë sepse…

May 29, 2020 | 8:44
SHPËRNDAJE

pjimage31Dashnor Kaloçi/ Publikohet intervista e Kazhimierzh Mijal, i cili në vitin 1966, kur ishte me punë në Bankën Nacionale të Varshëvës, themeloi në ilegalitet Partinë Komuniste të Polonisë dhe pasi rrezikonte të arrestohej, kërkoi ndihmën e ambasadës shqiptare në Varshavë. Aty u pajis me pasaportë diplomatike dhe e shoqëruan nëpër disa shtete, deri sa erdhi në Itali, ku me anë të një trageti të nisur nga qyteti i Barit mbërriti në Shqipëri, ku atë e vizituan menjeherë Enver Hoxha me Ramiz Alinë.

Dëshmia e rrallë e ish-kryetarit të Partisë Komuniste të Polonisë, Kazhimierzh Mijal, në intervistën e tij dhënë revistës polake “Shteti i ri”, në vitin 2001, kur ishte në moshën 91 vjeçare, lidhur me peripecitë e ardhjes së tij në Shqipëri si ilegal, kushtet e akomodimit dhe trajtimit që i’u ofruan nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, me vila në dispozicion, roje sigurie dhe një staf të madh që i shërbente, takimet dhe bisedat me Enver Hoxhën, si dhe kontraditat që i lindën në vitin 1978, kur ata e përzunë duke e etiketuar si “antimarksist” dhe ai mundi që të largohej pas disa peripecive, me ndihmën e ambasadës kineze në Tiranë, duke mbërritur në Pekin më 1 korrik të atij viti.

“Sa mbërrita në Tiranë më vizitoi Enver Hoxha me Sekretarin e dytë, Ramiz Alinë me të cilët takohesha e bisedonim shpesh dhe ata më pyesnin për shumë gjëra për t’i dhënë mendimin tim. Njëherë Enveri më pyeti për likuidimin e Ministrisë së Financës, sepse ai donte që të gjitha veprimet t’i bënte Banka, por unë i thashë se ajo nuk ishte e drejtë dhe ai hoqi dorë nga ai mendim.

Shqiptarët nuk vepruan mirë me fenë. Në Tiranë mua më kishin sistemuar në një vilë të veçantë ku banoja vetëm dhe më shërbente një personel i tërë, deri tek njerzit e Sigurimit që ruanin dhe jashtë murit të vilës. Kur më lindën divergjencat me udhëheqjen shqiptare dhe unë paraqita kërkesën në ambasadën kineze për azil politik në Kinë, u forcuan rojet në rrugë dhe në oborr, e përveç kësaj më prenë dhe telefonin”.

Kështu e kujtonte ardhjen e tij në Shqipëri, Kazhimierzh Mijal, ish-kryetar i Partisë Komuniste të Polonisë, në një intervistë të gjatë të tij dhënë revistës polake, “Shteti i Ri”, duke rrëfyer të gjithë aventurën e tij të gjatë 12 vjeçare të qëndrimit në Shqipëri dhe mardhëniet e tija me Enver Hoxhën, i cili në vitin 1978 e shpalli atë “antimarksist” dhe e përzuri nga Shqipëria. Në intervistën që po publikojmë në Memorie.al, Mijal rrëfen të gjithë odisenë e tij, që nga ardhja në Shqipëri, trajtimi që i’u bë për 12 vite me radhë si dhe prishja me Enver Hoxhën, e përzënia e tij nga Shqipëria në 1978.

Zotëri, Mijal, gjatë kohës kur keni qenë Drejtor i Bankës së Investimeve të Polonisë nuk e ndërpretë veprimtarinë politike, por kësaj rradhe jashtë Partisë Punëtore të Polonisë?

Në vitin 1963 unë shkrova broshurën “Në luftë për fitore, pasiviteti dhe heshtja janë humbja”, e cila doli në qarkullim si anonimat pa emrin tim. Në atë kohë dalja e këtij libri bëri një bujë të madhe dhe për këtë më thirrën në Komisionin Qëndror të Kontrollit të Partisë. Aty më pyetën për broshurën, po unë e kundërshtova duke ua mohur se unë isha autori i saj.

Si mundët ta botoni atë broshurë?

Në fillim në Shqipëri u botuan 10 mijë kopje dhe prej andej ato erdhën në Poloni nëpërmjet ambasadës së Shqipërisë në Varshavë. Në fillim kontaktet me shqiptarët i kishte punonjësi i Bankës së Investimeve, i cili quhej Shnjeçinjski dhe pastaj ambasada shqiptare i vendosi kontaktet me mua.

Me sa di në atë kohë shqiptarët ishin shumë të interesuar për Poloninë dhe për këtë ata formuan edhe seksionin polonisht në Radio-Tirana?

Atje herë pas here shfrytëzoheshin materialet e mia. Atëhere kur banoja në Shqipëri, njëherë kam dhënë një intervistë, por nuk kam pasur të bëj me ata të seksionit Radios në polonisht.

Si u’a dorzuat shqipëtarëve tekstin e broshurës, në makinë shkrimi?

Atë ua dorzoi Shnjeçinjski.

Madje ai thotë se atë broshurë e ka shkruar vetë?

Kjo nuk është e vërtetë. Ai fantazon dhe është karrierist.

Mbas publikimit të broshurës, u detyruat të largoheshit nga Banka?

Ministri i Financave më njoftoi për vendimin e kryeministrit Çirankieviç, që brenda dy orëve, unë duhet të largohesha nga Banka. Unë ashtu bëra dhe munda të përshëndetesha vetëm me disa prej drejtorëve.

Pas pushimit nga puna, çfarë bëtë?

Mbasi më larguan nga puna në Bankë, qëndrova si i papunë për gjashtë muaj. Në atë kohë pensionin ma sillnin në shtëpinë ku banoja, e cila ndodhej në Varshavë në Rrugën “Bota e Re”, Nr. 25. Hyrja për në atë shtëpi kalonte nëpërmjet oborrit, ndërkohë që në oborr për një gjysëm viti qëndronte një veturë dhe disa persona që ndodheshin gjithmonë aty. Nëse ndokush vinte të më takonte mua, atëhere këta persona e ndalonin dhe e regjistronin, ndërsa mua më ndiqnin vazhdimisht. Mbas gjashtë muajsh, më telefonuan nga Ministria e Industrisë dhe më njoftuan se më kishin emëruar Drejtor Ekonomik në Bashkësinë e Industrisë së Ndërtimit të Makinave të Rënda. Ky ishte vendi im i fundit i punës përpara largimit nga Polonia.

Zotëri, ju ndiqnin për shkak të veprimtarisë tuaj politike, sepse disa burime të ndryshme, bëjnë të ditur se Partinë Komuniste të Polonisë, e keni themeluar në Shqipëri?

Kjo nuk është e vërtetë, Partia Komuniste e Polonisë u themelua më 4 dhjetor të vitit 1965 në Varshavë, që koinçidon me ditën e festës së Shën-Barbarës. Këtë ma kërkuan ata persona që ishin në një mëndje me pikpamjet e mija. Në atë kohë ne ishim të ndërgjegjshëm se qeveritë e Gomulkës po na çonin në kapitalizëm dhe ne arritëm në konkluzionin se duhet të organizoheshim. Themeluesit e Partisë Komuniste të Polonisë nuk ishin njerëz të zakonshëm. Partinë atëhere e krijuan katër ish-antarë të Komitetit Qëndror të Partisë Punëtore të Bashkuar të Polonisë, që ishin: Vlladisllav Dvorakovski, Hilari Hellhovski, Stanjisllav Broxhinjski dhe unë. Dy të parët madje kanë qenë dhe antarë të Byrosë Politike.

Zotëri, cili ishte shkaku që ju u arratisët në Shqipëri?

Në atë kohë shokët e Komitetit Qëndror më njoftuan se nëse do të qëndroja më gjatë në Varshavë, më priste arrestimi i sigurtë dhe kjo gjë konsistonte veçanërisht nëse nëse do të qarkullonte fletushka për themelimin e Partisë Komuniste të Polonisë, e cila në të vëtetë doli dhe qarkulloi pas largimit tim. Në atë kohë, unë pyeta shokët se përse duhet të largohesha vetëm dhe a mos ishte më mirë që unë të shkoja bashkë me Dvorakovskin. Por shokët m’u përgjigjën se: Dvorakovski kishte qenë drejtues i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme të Polonisë dhe atë nuk e lejonin që të largohej nga Polonia, Nisur nga ky fakt, shokët më sugjeruan që do ishte më mirë që unë të largohesha i vetëm.

Thuhet se ju jeni arratisur nga Polonia i veshur si grua?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Në atë kohë ambasada shqiptare në Varshavë më paisi me pashaportë diplomatike dhe më 13 shkurt të vitit 1966, unë u nisa për në Berlin nga stacioni qëndror hekurudhor i Varshavës, dhe aty në atë stacion më përcolli Çesllav Bliharski, në shtëpinë e të cilit u bë mbledhja e Komitetit Qëndror të Partisë sonë. Atë ditë që u largova unë binte një dëborë shumë e dëndur dhe ishte ngricë e madhe, prandaj unë u detyrova që të vishja një pallto të madhe lëkure dhe me veshje të brendëshme me kokore peliçeje e kisha me vete vetëm një çantë të vogël dore. Me vete nuk kisha marrë valixhe dhe bagazhe të tjera, me qëllim që të mos krijoja dyshime. Në kufirin polako-gjerman, më penguan sepse në pashaportën time rezultoi një gabim që kishin bërë ata të ambasadës shqiptare të Varshavës, të cilët nuk më kishin dhënë formularin i cili ishte i nevojshëm për të kaluar kufirin. Në kufi unë u’a shpjegova në rusisht, se nuk kisha pasur asnjë lloj formulari dhe ata pastaj më lejuan të kaloja. Nga Berlini Lindor, ambasadori shqiptar më shoqëroi për në Berlinin Perendimor dhe prej andej fluturova me avion për në Paris. Kur mbërrita në kryeqytetin francez, atje ishte shumë ngrohtë dhe me veshjen që kisha unë dukesha sikur vija nga Poli i Veriut, prandaj shqiptarët më blenë një pardesy, të cilën e kam edhe sot e kësaj dite. Mbas dy ditësh qëndrimi në Paris, unë fluturova për në Romë dhe prej andej nga Brindizi për në Durrës me traget. Kjo është e gjitha se si u largova unë nga Polonia për në Shqipëri.

Gjatë kohës së gjatë prej 12 vitesh që qëndruat në Shqipëri, a nuk i’u mori malli për familjen, të afërmit dhe miqtë që kishit lënë në Poloni?

Sigurisht që më mori malli, por nuk kisha se çfarë të bëja.

Kur u takuat për herë të parë me familjen pas largimit tuaj nga Polonia?

Me familjen jam takuar vetëm atëhere kur u ktheva në Poloni në vitin 1983, mbas tetëmbëdhjetë viteve. Por gjatë gjithë asaj kohe, ne kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme duke shkruar letra, të cilat asnjëherë nuk i dërgoja në adresë të shtëpisë. Po kështu gjatë gjithë kohës së emigrimit tim, kam mbajtur kontakte dhe jam takuar me shokët kryesorë të Partisë Koministe të Polonisë. Gjithashtu kam qenë dhe redaktor i revistës “Flamuri i Kuq”, e cila depërtonte në Poloni ku dhe shumëfishohej. Në atë kohë shërbimet sekrete polake ruanin e survejonin vazhdimisht shqiptarët dhe kinezët, prandaj materialet e mia shokët i dërgonin nëpërmjet Austrisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve Skandinave”.

Me se merreshit në atë kohë në Shqipëri dhe si e kalonit kohën?

Gjatë qëndrimit tim të gjatë në Shqipëri, unë merresha kryesisht me lexime, po po lexoja shumë. Aty pata rastin të takohem me të gjithë përfaqësuesit e partive komuniste që vizitonin Shqipërinë. Jam takuar gjithashtu dhe me zëvëndësin e Mao Ce Dunit, Kan Shen, i cili në fundin e vitit 1966 më ftoi të vizitoja Kinën për një muaj.

Ku keni banuar në Shqipëri?

Shokët shqiptarë më kishin sistemuar në një vilë në Tiranë, ku banoja i vetëm. Në mëngjez vinte kuzhinieri, kurse në kopësht ishte një shtëpi e vogël për punonjësit e Sigurimit, ndërsa jashtë murit rrethues të vilës, lëvizte dhe një ushtar. Aty qëndrova krejt i qetë, por kur filluan divergjencat dhe unë vendosa që të largohesha për në Kinë, atëhere u forcuan rojet në rrugë dhe në oborr dhe përveç kësaj me ndërprenë dhe telefonin. Përpara se të krijoheshin divergjencat, gjithshka ishte në rregull. Unë dilja shëtitje dhe kam udhëtuar pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Atje ishte ngrohtë dhe një kilmë shumë e mirë.

Me se jetonit në Shqipëri?

Para në dorë nuk merrja, por për gjithshka paguante një punonjës partie. Asnjëherë nuk dilja pa oficerin që më ruante.

A keni pasur rastin të takoheni me Enver Hoxhën?

Shumë herë. Sapo vajta në Shqipëri, Enver Hoxha më vizitoi së bashku me Ramiz Alinë. Enver Hoxha bëri shumë tepër për shqiptarët. Mbas luftës ai rindërtoi këtë vend të prapambetur, zhvilloi bujqësinë, ngriti vreshta, ndërtoi rrugë, hekurudha etj.

…dhe miliona bunkierë?

Po, ashtu është, kjo dukej qesharake. Por duhet të njohësh se nën drejtimin e qeverive të tij, vendi ndryshoi krejtësisht për mirë. Me Enver Hoxhën bisedonja shpesh dhe ai më pyeste për t’i dhënë ndonjë mendim. Për shëmbull për likujdimin e Ministrisë së Financave, sepse donin që të gjitha t’i bënte Banka. Unë i thashë se kjo gjë nuk ishte e drejtë dhe ata hoqën dorë nga ky mendim. Udhëheqja shqiptare nuk veproi mirë me fenë. Unë i mbetem qëndrimit marksist se është budallallëk dhe e papërshtatëshme që të luftosh me çfardolloj feje, sepse çështja qëndron në largimin e Kishës nga politika dhe nga shteti.

Në fund megjithatë ju patët divergjenca me shqiptarët të cilët ju akuzuan si revizionist?

Po është e vërtetë ata më akuzuan dhe më keq, më thanë antimarksist.

Shtama shkon disa herë për ujë tek burimi, por dikur do të thyhet. Ju zotëri Mijal që deri atëhere luftuat me revizionizmin, u ndeshët me njerëz më të fortë nga ju dhe për ta ju ishit revizionist?

Ashtu është, por kur unë shikoja se ata flisnin marrëzira dhe teorira të papërshtatëshme, nuk mund të heshtja. Unë nuk ndjehesha aspak si revizionist, përkundrazi mbronja marksizmin.

Cili ishte përfundimi i këtyre divergjencave që pate me shqiptarët?

Unë e dinja se në atdheun tim nuk mund të kthehsha dot, por dhe në Shqipëri gjithashtu nuk mund të rrija. Nisur nga kjo paraqita kërkesën për azil politik në ambasadën kineze në Tiranë dhe ata e pranuan atë.

A e dinin shqiptarët gjithshka për këtë?

Jo. Por atëhere pata shumë telashe të mëdha për largimin nga Shqipëria, sepse shqiptarët e shtynë për një muaj miratimin për largimin tim. Madje dhe fluturimin e pata me telashe, por më në fund fatëmirësisht më 1 korrik 1978, nëpërmjet Bukureshtit mbërrita në Pekin./Memorie.al

20200527_225138 20200527_225201 20200527_225230 20200527_225328 20200527_225415 Foto-Enver-162 Foto-Enver-197 Foto-Enver-283 Foto-Enver-327 Foto-Enver-1164-2 Foto-Enver-1237 pjimage31

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura