Nga Anglia në Tiranë, shkrimtarja Victoria Hislop: “Pushimet në Kretë që më ndryshuan jetën”

May 13, 2015 | 14:50
SHPËRNDAJE


Nuk se ndonjëri prej nesh, kur bën gati valixhen e pushimeve, “palos” aty brenda edhe shpresën për t’u kthyer me ndonjë thesar. As shkrimtarja Victoria Hislop nuk e bëri. Përveç pushimit absolut me familjen, asgjë tjetër nuk mendoi kur u nis për në Kretë të Greqisë. Mirëpo, siç më të shumtëve na ka ndodhur, gjërat e mira vijnë pikërisht kur nuk i mendon. Sigurisht që, me intuitën e gazetares, një “ngjarje e madhe” shkrimtares mund t’i vinte gjithandej, por jo ndjesi aq të fuqishme e të panjohura më parë për të, sa në ishullin e lebrosëve, Spinalonga, të Kretës. Victoria erdhi dje në Tiranë, në festivalin e librit, për të promovuar librin e saj më të ri, “Ishulli”, por edhe për të treguar se si nisi i gjithë ky rrugëtim në fillim i panjohur, por që sot e ka bërë të ketë një shtëpi të sajën në Kretë.

Victoria Hislop dhe Irena Toçi, dje gjatë promovimit të romanit “Ishulli”, në Tiranë
“Zgjodha të shkoja në ishullin Spinalonga gjatë kohës që isha me pushime në Kretë, duke e konsideruar thjesht si një prej aktiviteteve që mund të kryeja gjatë një pasditeje. Gjithçka që dija lidhej me faktin se aty kishte qenë dikur një spital për pacientë me lebrosë, por prej vitit 1957, nuk funksiononte më. Ky fakt m’u duk një histori e afërt, çka më intereson më shumë se antikiteti. I rashë vendit kryq e tërthor bashkë me familjen time dhe turistë të tjerë për të parë se si kishte qenë kjo koloni leprosësh, por kjo, së pari, ishte vetëm kureshtje. Prisja të gjeja ndonjë gjë të trishtë, por në fakt ishte krejt i ngjashëm me fshatrat e tjera të Greqisë. Shtëpi të braktisura, dy kisha, ndërtesa që kishin shërbyer për dyqane. Nga këto vëzhgime mora mesazhin e parë. Aty, njerëzit nuk kishin shkuar vetëm për të vdekur, por edhe për të jetuar. Ndihej një forcë e madhe optimizmi dhe aty nisa të mësoja gjëra të ndryshme nga ato që deri në atë kohë, vetëm i kisha parafytyruar. Gjetëm madje, edhe rrënoja të rafteve me libra që njerëzit kishin pasur në shtëpitë e tyre dhe e gjithë kjo, është shenjë shprese, kureshtjeje e dëshire për të jetuar”. Sigurisht që, pas asaj shëtitjeje të parë, Victorias iu desh kohë në Greqi për të përjetësuar atmosferën dhe karakteret e personazheve të saj që, sado imagjinare, kishin nevojë për lëndën e parë. Aty, në ishull, krejt papritmas, u krijua një “Ishull” tjetër, ai që tashmë lexuesi e ka në dorë nga shtëpia botuese “Toena”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura