Nga ana ‘e duhur’ e historisë

SHPËRNDAJE

LEKË TASI leke tasi

Të vendosësh një logo si e mësipërmja mbi kokat e një paneli që do të diskutojë në TV për Luftën e Dytë Botërore, pa e pasuar me një pikëpyetje, është të vendosësh një pohim, pas të cilit diskutanti mund të flasë për të meta e vogëlsira negative të asaj lufte, por jo për natyrën e saj reale në Shqipëri. Se duke e vendosur ashtu platformën e bisedës, dikush del jashtë teme po vuri në dyshim atë logo dhe kështu moderatori mund të kalojë lehtas në pikën tjetër. Gjithashtu, edhe teza e një shkrimtari në gazetën ‘Ex Libris’, se në Shqipëri nuk ka pasur disidentë, i ngjan këtij ‘orientimi’ të dhënë emisionit TV. Të lësh jashtë disidencës, madje, pa i përmendur fare Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, të pushkatuar për çështje poezie; Havzi Nelën të varur; Zef Zorbën, Arshi Pipën, Astrit Delvinën të burgosur; Zai Fundon e plot të tjerë, me shkrime pro antifashizmit dhe pastaj kundër komunizmit të ekzekutuar, një numër të tjerësh, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mark Ndoja, Skënder Luarasi, Kasëm Trebeshina, të nisur si antifashistë dhe të mënjanuar nga skena (me burg, dëbim etj.), pse deshën pavarësi nga pushteti partiak, gjithë këto harresa janë t’i biesh shkurt një çështjeje që u angazhove ta trajtosh. Për disidencën shqiptare, duhet thënë përkundrazi, që ka pasur fatin më të egër se edhe në BS krahasimisht. Tanët shkruanin sipas kokës së vet, megjithëse ishin të vëzhguar, madje të ndjekur edhe për t’ua krijuar fajin nga hiçi. Ndiqej plani që kush nuk shërben, duhet të zhduket ose të shkojë në galeri. Kjo përndjekje primitive detyronte në heshtje, madje në bashkëpunim kundër ndërgjegjes së vet, kolegë pò shkrimtarë, ose historianë, sepse natyrës që je pajisur nuk i shpëton dot. Këtu qëndron drama. Me një fjalë, të pohosh se nuk kemi pasur disidencë, është ta kufizosh në një rreth të ngushtë imagjinativ guximin, dufin që shpërthen dhe t’ua injorosh të tjerëve që s`rrinë dot pa gabuar, por si njerëz të lirë. Sa djem janë arratisur jo vetëm se s`duronin shtypjen, por edhe për të krijuar, madje studiuar, gjëra që u mohoheshin ose u përdhoseshin.

Dhe kthehemi tek ana e duhur e historisë. Të kesh qenë me Jugosllavinë, me BS, me Kinën, do të thotë se ke qenë me anën e gabuar. Dhe kjo vërtetohet qysh me refuzimin e zbarkimit aleat në ‘44, gjë që do të ndihmonte me trupa dhe mjete luftën kundër ushtrisë naziste që t’i paskëshe bërë. Do të kishte qenë me anën e duhur ana nacionaliste po të fitonte uniteti, madje qeveria, që në çastin e volitshëm do të mirëprisnin këtë zbarkim, sepse rrjedhojat, të gjitha, varen nga ky akt, refuzim apo mirëseardhje të trupave perëndimore. Në këtë pikë mund të bëhet krahasimi kuptimplotë, Itali fashiste – Shqipëri antifashiste. Italia përfitoi Planin Marshall, NATO-n, lirinë mbi të gjitha, megjithëse lufta civile ishte po aq e rrezikshme sa te ne; e favorizoi vërtet pozicioni gjeografik, por në rastin tonë do të na favorizonte edhe më shumë, sepse me një marrëveshje Balli Kombëtar-NCL-Legalitet, do të shmangej edhe shpërfillja e Shqipërisë si e parëndësishme. Kur vë unitetin si përparësi, siç e donin të gjitha fshatrat dhe ua shkatërronin këtë dëshirë urdhrat e komunistëve për vetëm këshilla të llojit “sovjet”, mund të sfidosh cilindo plan dhe të bësh histori. Të mos harrojmë sa aksione bënë nacionalistët derisa u sulmuan nga prapa krahëve prej partizanëve. Pse duhej t’ia hidhte Tito Shqipërisë dhe jo e kundërta, duke pajisur kështu Perëndimin me një kryeurë të NATO-s në të ardhmen te pika më e avancuar e Paktit të Varshavës gjatë Luftës së Ftohtë? Kur në debat mbrëmë u fol pse s’vajti Mid’hat Frashëri në Pezë, mos bëhet supozim për këtë lloj marrëveshjeje konstruktive apo për një personalitet plus në bangon e të akuzuarve që të ekzekutohej mbas Luftës? Vërtet kemi të gjithë një qëndrim fatalist për çfarë ndodhi (për shkak të vogëlsisë së vendit dhe të psikologjisë sonë historike, që dy fuqitë e mëdha perëndimore e kishin fort parasysh), por këtij fatalizmi, së paku të mos i shtojmë edhe hipokrizinë, sikur paskemi qenë me fituesit, kur perëndimorët, që sot argumentuesit u bëjnë lajka dhe e përdorin gjoja aleancën me ta si argument, i quanin armiq dhe nuk ua dinin për nder as këpucët që hidhnin me parashuta, sikur ishin një palë, por një për këmbë të madhe e një për të vogël.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.