Nga amnezia në neurozë historike

Dec 4, 2015 | 15:03
SHPËRNDAJE

redi shehuREDI SHEHU

Do të dukej më se normale sot, pas më shumë se gjysmës së mandatit politik të Kryeministrit Rama, të shtrosh pyetjen se pse një qeverisje, e cila të paktën deri më tani po i përmbush të gjitha kushtet e një kaosi të suksesshëm, të dekorojë një listë njerëzish të cilët kanë qenë funksionarë të lartë të regjimit komunist në Shqipëri. Pse duhej që menaxhimit të krizës nga ideatorët e PR-it të qeverisë, t’u shtohej edhe një telash tjetër për t’u maskuar dhe trajtuar si patriotizëm në Ditën e Çlirimit të vendit?

Ka dy mendime. Ose qeverisja është e detyruar të bëjë një gjë të tillë e kapur nga klanet dhe lobet e së shkuarës, të cilat sot fshihen nën maskën e integrimit si europianistë të thekur dhe tregut të lirë të kapitaleve, ose vërtet Kryeministri dhe qeverisja e tij e kanë ideal, e për pasojë një fiksim i tillë duhej medoemos realizuar sa më shpejt. Duke parë përbërjen e qeverisë Rama, e cila për nga lidhjet me të shkuarën mund edhe të quhet Byroja-Junior, si dhe faktit që ish- pushteti komunist u transformua, menjëherë pas rënies, në një pushtet veçanërisht ekomomik që përcaktonte trafikun e influencave edhe gjatë periudhës së vrullit antikomunist të dy dekadave më parë, bëjnë që të dyja mendimet lidhur me arsyet e dekorimit problematik të ish-zyrtarëve të regjimit komunist të jenë të integruara me njëratjetrën.

Pra që qeverisja Rama, duke qenë në përbërje të saj me një identitet të fortë ishkomunist për shkak të lidhjeve të gjakut të anëtarëve të saj, është automatikisht e kapur nga lobet e tilla, pikërisht se e ka ideal gjenetik admirimin për atë që ata e quajnë arkitektët e Shqipërisë së re. Se çfarë kuptojnë ata me arkitektë të Shqipërisë së re, mendoj se nuk ia vlen, pasi secili prej nesh e di tashmë tezën kryesore të tyre mbi veprat dhe industrializimin e vendit. Mirëpo, këtu ka një problem, pasi nuk konsiderohet ndërtimi i Shqipërisë së Re në perspektivën e tregut të lirë, të një Shqipërie se “si do të duhej të ishte”, por merret fakti historik i qeverisjes komuniste, i parafabrikuar si shpëtim për Shqipërinë e asaj kohe.

Ky make-up historik, nuk e ka shënjestrimin tek ato breza, të cilat tashmë e kishin provuar se çfarë sistemi komunist i kishte sjellë këtij vendi, mesazhet mediatike plot pedikyr e romanticizëm historik, kërkojnë të ripërcaktojnë sistemin komunist në memorien e brezit të ri si bazamentet e shtetit, pa të cilat, ekzistenca institucionale e jona sot do të ishte e pamundur. Kur shohim ringjalljen e së shkuarës përmes praktikave të tilla protokollare, kuptojmë se një pjesë e asaj që kishte qenë elita e regjimit komunist në Shqipëri, nuk pranoi kurrë të ishte bashkëvuajtëse dhe as bashkëfajtore.

Të vetmit që pranuan këtë status të dyfishtë të bashkëvuajtësit dhe bashkëfajtorit (një alienim i Berishës mbi filozofinë e përgjegjësisë morale) ishin ata që vetëm kishin vuajtur, të cilëve u tha që për hir të unitetit kombëtar të pranonin se ishin edhe fajtorë për atë që të tjerët i kishin bërë të vuanin. Pra, me pak fjalë, të vazhdonin të vuanin edhe në një kontekst të ri social- politik si ky i sotmi, duke parë se si vuajtësit e dikurshëm “dënohen” përsëri me moskompensim, fakt i bjerrjes së tyre dhe persekutorët dhe fajtorët e dikurshëm dekorohen apo kompensohen me nderime protokollare.

Këtu jemi në surrealen e asaj që e kemi quajtur lufta psikologjike nacionalçlirimtare, e cila nuk ka mbaruar ende, thjesht është transformuar në një mekanizëm legjitimiteti pushteti, të pushtetit aktual. Janë të njëpasnjëshme dhe të progresuara praktikat e ringjalljes së të shkuarës komuniste në Shqipëri, të cilat me gjithë vullnetin e mirë për të mos paragjykuar, nuk i shpëtojnë assesi konstatimit se gjëja nuk është më e rastësishme. Nëse Bernard Lewis e quante harresën historike amnezi historike dhe deformimin e qëllimshëm historik si neurozë e injektuar historike, ajo çka po ndodh me këtë formë të rigjallërimit të praktikave dhe figurave të regjimit komunist shqiptar, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për ta transformuar amnezinë në neurozë historike, pra harresën në deformim.

Pse deformim? Sepse meremetimi i fasadës të së shkuarës komuniste ka pak ndryshim me meremetimin e fasadave të së tashmes, ku ngjyra dhe lustra përpiqen të verbojnë substancën e kalbur tonën, po ashtu edhe fasada e re e së shkuarës që po ndërtohet tashmë në një kontekst të ri të një brezi që jeton në lirinë e fjalës, fesë dhe pronës, kërkon të verbojë substancën e kalbur dhe dekadente të asaj historie. Kujtesa historike ka të bëjë direkt me identitetin e një populli, nga mënyra se si kjo kujtesë trajtohet, përcaktohet edhe mënyra se si e ruajmë apo e mirëmbajmë identitetin tonë. Për më tepër, vrasja e kujtesës, qëllimshëm ose jo, do të thotë edhe vrasje identitare.

Në fakt, neuroza historike, përmes shpërfytyrimit të fakteve historike, nuk është gjë tjetër vetëm se vrasje e kujtesës dhe krijimin e një modeli të ri të të kujtuarit neurotik, i cili u përshtatet interesave të nostalgjikëve. Prandaj emulacioni dhe tipari i tij karakteristik, i qendërzuar me fotografinë e mitit, në portrete që trafikohen sa herë që intervale kohore e stimulojnë neurozën, bëhet për të ricikluar një identitet të ri lidhur me komunizmin, tashmë jo në epokën e tij, por në një epokë ku dinjiteti njerëzor, prona dhe religjioni, janë kolonat e shoqërive demokratike.

Ajo që akoma nuk jemi çliruar, është lufta psikologjike, e cila vjen si trashëgimi e luftës nacionalçlirimtare, e transformuar tashmë në psikologjinë e luftës politike me lajtmotiv përjashtimin dhe eliminimin e “Tjetrit” politikisht, me të njëjtin intensitet urrejtjeje, por me mjete dhe mundësi të kufizuara. Edhe pse lufta konvencionale u shpall e mbaruar në 1944-n, lufta psikologjike mes formacioneve politike në Shqipëri ka mbartur dhe mbart psikologjinë e luftës faktike, atëherë e vrisnim njëri-tjetrin fizikisht, sot e vrasim njëritjetrin politikisht, atëherë në emër të çlirimit, sot në emër të integrimit.

Emëruesi i përbashkët i gjithë kësaj është se, si çlirimi, edhe integrimi, konsideroheshin mjete për të arritur apo mbajtur e mirëmbajtur pushtete. Ky shtresëzimi i fundit i luftës, i pambaruar akoma, lufta psikologjike, e ka fundin e vet kur drejtësia të vendoset, kur mjegullnaja e fajit të davaritet, kur lustracioni të aplikohet, kur kërkimi i faljes për krimet e bëra të jetë publik, kur dëmshpërblimi material të mbarojë, atëherë, kjo shoqëri do të fillojë të ndihet e çliruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura