Nexhipi komenton sfidën me demat: Partizanin e mundim, ja çfarë më ka mbetur peng nga merkato

Feb 18, 2018 | 21:39
SHPËRNDAJE

I pozicionuar si Drejtor Sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, do të ketë një prej sfidave më të vështira në aspektin personal të hënën. Verilindorët do të luajnë ndaj Partizanit, ekipit për të cilin ka dobësi, por që në intervistën e dhënë në “Panorama Sport” shprehet se është profesionist dhe Kukësi do të luajë për fitore.

nexhipi-470x274

Duke qenë një nga “arkitektët” e kësaj skuadre, sa i kënaqur jeni nga afrimet e janarit?

E kam thënë edhe përpara që nuk jam unë “arkitekti” i këtij Kukësi, por mendoj që në bashkëpunim me menaxherin e klubit, Naim Halili, dhe trajnerin Pakult kemi afruar lojtarë cilësorë në merkaton e dimrit për aq sa kemi pasur nevojë. Mendoj se ka kualitet dhe lojtarë, të cilët mund të kenë një ecuri të mirë.

Cili është penguar juaj i merkatos, qoftë në hyrje apo në dalje?

Të them të drejtën, ishim shumë afër me ekipin e Antalyasporit për shitjen e Rumbullakut, por në momentet e fundit dështoi, pasi ata nuk arritën të transferojnë mbrojtësin e majtë të ekipit të tyre te skuadra e Trabzonsporit. Po të ndodhte kjo, Rumbullaku do ishte lojtar i Antalyasporit. Ndërsa, sa u përket afrimeve, mendoj që kemi marrë ata lojtarë, të cilët i kemi dëshiruar.

Mund të thoni se cilat janë objektivat reale të Kukësit me këtë organikë që keni në dispozicion?

Pretendimet tona dihen, unë jam afruar në pjesën e dytë të kampionatit, trajneri Pakult po ashtu. Mendoj që do luftojmë deri në fund për Europën. Të paktën, vendi i dytë, si dhe Kupa e Shqipërisë do jenë synimet tona për pjesën e mbetur, pasi Skënderbeu është larguar në renditje, edhe pse çdoherë e them që në futboll mund të ndodhin gjëra të paparashikuara.

Nexhipi

Në Kupë janë siguruar gjysmëfinalet, ndërsa në kampionat ende nuk e gjeni ritmin…

Po, ishte shumë e rëndë- sishme që kaluam në gjysmë- finale. Kjo arritje na solli pak qetësi, pasi na prishi punë ajo humbje në Kukës me Kamzën. Sidoqoftë, mendoj që kemi shumë kualitet në ekip dhe pres që nga ndeshja në ndeshje të rritemi akoma.

Jeni një idhull për tifozët e Partizanit, por ekipi që ju përfaqësoni do të luajë kundër të kuqve. Çfarë ndjesie keni?

Gjithmonë është një ndjenjë e veçantë për mua kur luajmë kundër Partizanit, pasi unë kam kaluar dy supersezone atje. Kam respekt për tifozërinë e tyre, për klubin, por tani jam pjesë e Kukësit dhe, normalisht si profesionistë që jemi, kërkojmë çdoherë të fitojmë pa marrë parasysh që në këtë rast nuk jam në fushë.

Është ky “treni” i fundit i Kukësit për vendin e dytë?

Do jetë një supersfidë, por nuk them që është “treni i fundit”, pasi sapo ka filluar pjesa e dytë e kampionatit dhe ka në lojë shumë pikë deri në fund.

Nexhipi dhe Balde

Për çfarë rezultati votoni në këtë ndeshje?

Kemi një ekip shumë të mirë, është ndeshje e vështirë, por Kukësi është kampioni aktual dhe në çdo ndeshje futet për të fituar.

Lajmet e fundit për dënimin e Skënderbeut kanë bërë që Kukësi të ëndërrojë për përfaqësimin në Champions…

Të them të drejtën, u befasova dhe ndiej keqardhje, pasi kjo nuk është pasqyrë e mirë për futbollin tonë. Mendoj që nuk është mirë të flitet në Europë për futbollin tonë në këtë mënyrë. Sidoqoftë, them që duhet të pritet vendimi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me ta. Nuk gëzohemi për një lajm të tillë dhe duhet të presim vetëm vendimin.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura