Nexhipi e mbyll në Vlorë, tifozët e kuq kthehen kundër klubit dhe Starovës

Jul 26, 2015 | 14:03
SHPËRNDAJE

Nderim Nexhipi është zyrtarisht i Flamurtarit. Pas “divorcit” me Partizanin, dje mesfushori ka mbyllur gjithçka me klubin vlonjat. Kontrata e tij është 1-vjeçare, por me opsion rinovimi për një tjetër vit.

Nexhipi
Nexhipi

Pas akordit parimor që arriti në mbrëmjen e së premtes, dje në mesditë 31-vjeçari ka hedhur edhe firmën. Prezantimi i tij me fanellën e kuqezinjve është shtyrë për në fillim të javës, ku pritet që t’i bashkohet edhe grupit të drejtuar nga Stanislav Levi.

“Odiseja” e kapitenit të të kuqve, që tashmë ka statusin e një “ish”-i, ka marrë fund. Edicionin e ardhshëm ai do të jetë pjesë e një tjetër skuadre të Superiores dhe pikërisht Flamurtarit, që e kërkoi me kaq ngulm gjatë kësaj merkatoje vere.

Ai shikohet tashmë si një nga shtyllat kryesore të Flamurtarit dhe si një lojtar që do të bëjë diferencën me cilësinë e tij. Nderim Nexhipi, përpara se të bëhej pjesë e Partizanit, më parë ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, Herta BSC, Volfsburg, Rabotnicki, Lierse, Karabake etj.

Ndaj, në kampin vlonjat, e shohin këtë element si goditjen e madhe të merkatos. Klubi dhe krisja -Edhe pse te Partizani e kanë pranuar largimin e lojtarit, zyrtarisht ata nuk kanë asnjë reagim për Nexhipin. Të pyetur nga gazeta dje, zyra për shtyp ka komunikuar se nuk ka kurrfarë reagimi. Nga ana tjetër, edhe vetë futbollisti vazhdon të “heshtë”. “Panorama Sport” është munduar vazhdimisht që të kontaktojë me mesfushorin shkupjan, por ky i fundit nuk ka pranuar që të flasë.

 Edhe pse burime tejet të sigurta pranë tij konfirmojnë faktin që largimi i tij nga Partizani, ekip me të cilin luajti për dy sezone të plota, erdhi si pasojë e krisjes me stafin teknik. Polemikat për këtë çështje kanë nisur prej kohësh, madje edhe publikisht, pasi vetë lojtari nuk e pranonte stolin, ndërsa Starova këmbëngulte që askush nuk e ka vendin e sigurt në formacion.

Takimi i fundit i ish-kapitenit me presidentin Demi, nuk ka pasur një fund të lumtur, pasi zyrtarisht u vendos që marrëdhëniet të ndërpriteshin këtu dhe pa kontratë rinovimi. E sigurisht ata që përfituan nga e gjithë kjo histori ishin vlonjatët e Flamurtarit, që i plotësuan çdo kusht për ta bërë të vetin.

Reagimi i tifozëve

“Ultras Guerrils” kanë reaguar menjëherë pas lajmit që çuan Nexhipin në Vlorë dhe që zyrtarizonin “divorcin”. Ata nuk duan ta besojnë faktin që kapiteni i tyre nuk do të jetë më pjesë e të kuqve. Me anë të një postimi në faqen e tyre në “Facebook”, tifogrupi më i organizuar i “demave”, shkruan: “Nuk do të pajtohemi kurrsesi me një largim të kapitenit. Nëse ndodh, do të jemi të detyruar të reagojmë fuqishëm! Nderimi, njëri nga ne!”.

Por kjo është vetëm një pjesë, pasi tërbimi i tifozëve duket qartë edhe në faqen zyrtare të klubit të Partizanit. Teksa zyra për shtyp poston foto për seancat përgatitore në Ohër, komentet janë tejet të ashpra dhe drejtuar pikërisht trajnerit Sulejman Starova.

Ata kërkojnë rikthimin e kapitenit, ndërsa këmbëngulin që ky lajm nuk mund të jetë i vërtetë. Dhe për këtë ata kërkojnë me forcë nga klubi që të dalë me një reagim zyrtar dhe të qartësojë gjithçka.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura