Nevoja për të përfytyruar ndryshimin përmes opozitës së bashkuar

Mar 2, 2021 | 12:07
SHPËRNDAJE

NGA BELINA BUDINI

Belina Budini

A është ndryshueshmëria e qeverisjes parakusht i domosdoshëm për demokratizimin e një vendi? Asnjë politolog nuk mund t’i përgjigjet në mënyrë mohuese kësaj pyetjeje themelore.

Aq më pak në kontekstin e një vendi si Shqipëria, ku erozioni, ose, më e pakta, stanjiacioni demokratik, është një realitet që nuk ka nevojë të parashtrohet. Megjithatë, narrativa mbizotëruese deri tani nuk ka qenë ajo e ndryshimit, por ajo e status-quo-së. Përkundër të gjitha ligjësive të normalitetit demokratik, në opinionin publik është mbjellë dyshimi ose paragjykimi se ndryshimi nuk është i mundur të vijë me anë të zgjedhjeve. Ai, madje, është më mirë të mos vijë fare! Duke mos ardhur tani që nuk është gati, sipas dyshuesve të stërholluar, do të jetë më i përgatitur për të ardhur nesër, në një formë tjetër, më të qëndrueshme.

Një qasje e tillë do të tingëllonte absurde ose më e pakta pesimiste po të qarkullonte në një hapësirë të lirë dhe racionale demokratike. Por jo këtyre viseve tona të Ballkanit Perëndimor, ku megjithëse Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë provuar tashmë se ndryshimi vjen përmes zgjedhjeve, në Shqipëri vijon të qarkullojë teza e imunitetit ndaj ndryshimit demokratik.

Në përpjekjen për të vetë-realizuar këtë “profeci”, qarkulluesit më të zellshëm të kësaj narrative janë sigurisht vetë “pushtetmbajtësit”. Në fjalorin e tyre politik së fundmi, më frekuente është fjala “durim” sesa “ndryshim” dhe ndoshta është e kuptueshme, duke qenë se e para ka origjinë totalitare dhe të sjell ndërmend “Fermën e Kafshëve”, ndërsa e dyta përbën një devizë të konfirmuar demokratike.

Ndryshimi kësaj radhe ka shansin të jetë madje dy herë demokratik, rreth 30 vjet pas lëvizjeve demokratike të dhjetorit 1990, për të përmbyllur kësisoj tranzicionin e gjatë drejt demokratizimit, ende të parealizuar në shumë drejtime. Ndaj, nevoja për përfytyrimin e ndryshimit ndihet ndoshta edhe më shumë nën sosjen e durimit. Pikërisht kjo nevojë u artikulua dje me nënshkrimin e një marrëveshjeje paraelektorale mes PD dhe LSI, edhe pse nuk janë të njëjta e as të ngjashme.

Duke ruajtur identitetet e tyre të ndara, kjo marrëveshje mes dy formacioneve politike në opozitë mund të lexohet pikërisht si mundësia reale për të përfytyruar një rrugë tjetër përballë “djallit” që të gjithë njohim. Në fund të fundit, ky bashkim opozitar nuk është edhe aq i panjohur, pasi është një rrugë e sprovuar suksesi, jo vetëm në kontekstin e vendit tonë, por edhe atë të rajonit të Ballkanit, ku megjithëse nuk para pritet, ndryshimi me anë të zgjedhjeve ka ndodhur.

Përballë frikës ndaj një periudhe tjetër autoritarizmi dhe pasojave perverse që sjellin praktikat abuzuese të pushtetit, disa vende të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia i kanë thyer pritshmëritë me ndryshimet e qeverive përmes zgjedhjeve. Po kështu, së fundmi, edhe ndryshimet që mbërritën në Kosovë këtë energji manifestuan. A është radha e Shqipërisë?!

Nëse po, ky ndryshim nuk do të jetë i mjaftueshëm në vetvete, kuptohet, duke qenë se praktikat e njëjta mund të vijojnë dhe mund të sjellin pasoja perverse. Më tej, sigurisht, ky ndryshim duhet të pasohet me përmirësim të performancës së institucioneve në rrugë demokratike, në mënyrë që të prodhohen efekte pozitive afatgjata. Sidoqoftë, përfytyrimi i ndryshimit është jo vetëm dëshirë, por edhe nevojë, ndaj artikulimi i kësaj nevoje është shndërruar në domosdoshmëri, aq më tepër pas mbingopjes me “durim” në terminologjinë e ditës së pushtetmbajtësve.

Ndryshimi jo vetëm si fushëpamje, por edhe si mundësi praktike, është parë dhe është bërë i mundur madje edhe aty ku rrethanat kanë qenë shpesh të pabarabarta dhe të padrejta. Nuk ka, pra, pse të ketë justifikime përballë kërkesës dhe nevojës për ndryshim. Edhe pse ndryshimi që vjen nga ndërrimi i qeverive në mënyrë demokratik mund të mos jetë gjithçka dhe as i mjaftueshëm në vetvete.

Sidoqoftë, ndryshimi shihet si një mundësi reale dhe përmbushja e tij përmes zgjedhjeve konsiderohet si hapi i parë, ose pika e kthesës për të tejkaluar ngërçin apo “letargjinë elektorale”, që është e pranishme në një pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, sipas një studimi të gjerë të realizuar së fundmi përmes një sondazhi të opinionit publik të financuar nga “European Fund for the Balkans 2020” dhe Ipsos Strategic Marketing. Gjatë prezantimit të këtij studimi për Qendrën e Studimeve të Europës Lindore në Universitetin e Oksfordit, u njoha edhe me gjetjet e të dhënat e dala nga ky sondazh rigoroz, i cili mat pikërisht perceptimin e ndryshimit me anë të zgjedhjeve në gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë.

Po cilat janë arsyet, për të cilat perceptohet se zgjedhjet nuk arrijnë të sjellin ndryshimin për qytetarët e këtyre vendeve? Në analizën e gjetjeve, autorët përmendin si arsye së pari avantazhin e atyre që janë në pushtet sa i përket aksesit te burimet publike dhe kontrollin që kanë mbi mediat, edhe pse zgjedhjet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë treguar se ndryshimi është i mundur edhe në rrethana të pabarabarta dhe të padrejta.

Fushëbeteja e pabarabartë lidhet me ligjet e dobëta elektorale, keqpërdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale dhe rritjen e peshës së ekspozimit të forcave qeverisëse në mediat e sponsorizuara ose të lidhura me pushtetin qeverisës. Një nga pengesat më të mëdha sa u përket zgjedhjeve të lira dhe të drejta konsiderohet të jetë presioni ndaj votuesve (përmes premtimeve ose kërcënimeve të lidhura me punësimin e politizuar); edhe pse shumica e të pyeturve shprehen se nuk kanë përvojë të drejtpërdrejtë me këtë fenomen. Gjithsesi, shpjegimi në lidhje me këtë është se “kjo mund të interpretohet në njëfarë mënyre si frikë për të konfirmuar këtë model, gjë që mund të shpjerë në humbjen e favorizimeve dhe privilegjeve nga ana e tyre”.

Thelbi i analizës është se qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shumë më tepër fuqi përcaktuese si vullnet sa i përket procesit demokratik sesa është menduar. Sipas analistëve të studimit, “Të dhënat zyrtare nuk duhen marrë si të besueshme dhe transparente, po kështu edhe përqindja e votimit mund të jetë më e lartë sesa përllogaritet me statistika zyrtare, ndërsa nuk mund të injorohet fakti që në vende si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut besimi te procesi elektoral është i lartë, pikërisht aty ku u konfirmua që ndryshimi është i mundur”.

Të dhënat kanë treguar shpesh se besimi i qytetarëve tek institucionet është i ulët, kjo për shkak të situatës së pakënaqshme në vendet e rajonit dhe ndjesisë se jo të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Sondazhi në fjalë ka konstatuar se as besimi tek opozita nuk është shumë i lartë. Megjithëse janë të zhgënjyer nga qeveria, qytetarët e rajonit rëndom ndajnë një perceptim të përhapur, sipas të cilit opozita është e çorganizuar dhe jo e unifikuar apo në lidhje me mungesën e kapaciteteve, lidershipit dhe programeve nga ana e saj.

Sondazhi është realizuar në tetor të vitit 2020, por të dhënat kanë vetëm pak kohë që janë publikuar dhe përbëjnë interes të veçantë për sa i përket leximit të vullnetit për ndryshim nga ana e qytetarëve, vullnet i cili nuk mund të thuhet se mungon edhe aty ku shihen pengesa apo vështirësi. Kështu, për shembull, votimi i emigrantëve si vullnet për ndryshim të elitave politike në pushtet, shihet përgjithësisht si kërcënim ndaj këtyre të fundit, ndaj nuk paraqitet si temë me peshë në diskursin politik dhe qytetarët kanë shumë pak njohuri rreth kësaj çështje.

Në studimin e titulluar “Të mos votosh më për djallin që njeh? Pse problemi i veprimit kolektiv në Ballkan mund të jetë më i lehtë të kapërcehet sesa e kishim menduar”, tërheq vëmendjen gjithashtu fakti që ka motive pak a shumë të ndryshme për apatinë e votës nga njëri vend të tjetrin. Ata qytetarë që nuk marrin pjesë në procesin e votimit, japin disa arsye kryesore për vendimin e tyre: Në Shqipëri, motivi kryesor është mungesa e interesit për procesin e zgjedhjeve (34%). Parregullsitë që kanë krijuar besimin se fituesit e zgjedhjeve janë të paracaktuar si në rastin e Bosnje-Hercegovinës (33%). Në Maqedoni ankohen se nuk kanë për kë të votojnë (30%). Këto të dhëna reflektohen edhe në përqindjen e ulët të pjesëmarrjes së tyre të deklaruar në protesta ose në grupe të aktivizmit në vend.

Edhe pse zgjedhjet në vendet e Ballkanit dhe të Europës Juglindore janë parë shpesh si fasadë për demokracinë, zgjedhjet e mbajtura së fundmi shihet se po e sfidojnë këtë nocion. Kështu, për shembull, “pas 30 viteve në pushtet, Milo Ðukanoviæ-it në Mal të Zi iu desh që të njihte fitoren e zgjedhjeve parlamentare në gusht të vitit 2020 një koalicioni të gjerë partish, mes së cilave kishte madje mospajtime ideologjike të konsiderueshme, por një qëllim të përbashkët: të rrëzonin regjimin e vjetër”. Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi nuk është i vetmi vend ku është lëkundur status-quo-ja. Edhe një vit më parë, por edhe e rikonfirmuar në zgjedhjet e parakohshme të muajit shkurt 2021, Kosova votoi për lëvizjen e Vetëvendosjes, duke i nxjerrë në opozitë elitat e konsoliduara politike.

Sondazhi i zhvilluar me një mostër përfaqësuese prej 1000 të pyeturish për secilin nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor, analizon pyetjet në lidhje me tri tema kryesore: atë të besimit se procesi zgjedhor mund të jetë ndryshim; të qëndrimeve ndaj opozitës politike dhe metodave të përqafuara prej saj; si edhe në lidhje me qëndrimin ndaj votimit të qytetarëve të këtyre vendeve. Synimi i studimit ka qenë të masë potencialin e brendshëm të këtyre vendeve për të zgjidhur problemin e vullnetit kolektiv.

Në analizën e gjetjeve argumentohet se “Kostot e larta individuale të përpjekjes për të sjellë ndryshim dhe perceptimi i ulët i shanseve për të pasur sukses e bëjnë të vështirë për qytetarët në vendet me regjime autoritare ose gjysmë-autoritare që të shprehin kundërshtitë e tyre ndaj regjimit. Sikurse kanë treguar studimet, qytetarët shpesh zgjedhin të mos i sfidojnë qeveritë e tyre në rrethana të tilla. Megjithatë, kur individët veprojnë në bashkëpunim si grup kanë më tepër shanse të thyejnë perceptimet e ngurtësuara të mosndryshimit”.

Edhe pse ka pasur kërkime të mëparshme që janë përqendruar tek aftësia e aktorëve të jashtëm si BE dhe SHBA për ta zhbërë problemin e veprimit kolektiv dhe për të sjellë ndryshimin në njëfarë mënyre si investim nga jashtë, ky studim ka vlerë pasi ka pasur më pak kërkime të bazuara në vullnetin e shprehur të qytetarëve për të sjellë ata vetë ndryshimin. Për këtë arsye, në vijim të këtij shkrimi kam përfshirë edhe një fragment nga analiza e të dhënave nga ky studim me titullin:

Besueshmëria në procesin elektoral: a mund të sjellin zgjedhjet ndryshim?

“Vitet e fundit ka pasur disa ndryshime madhore në skenat politike të rajonit të Ballkanit dhe më surprizuesja ka qenë pa dyshim ai në Malin e Zi, por së fundmi edhe ai në Kosovë. Në Malin e Zi, pas më shumë se tri dekadash, opozita fitoi të drejtën për të krijuar një qeveri për herë të parë pa Partinë Demokratike të Socialistëve të Milo Ðukanoviæ në të. Kjo rrethanë ka ndryshuar perceptimin e qytetarëve atje për t’i konsideruar zgjedhjet si një instrument ndryshimi: 80% e qytetarëve në Mal të Zi besojnë tani në atë që dukej e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë: që qeveria mund të zëvendësohet me zgjedhje.

Kjo është përqindja më e lartë në raport me të gjithë rajonin. Kjo shifër është 43% si në Bosnje-Hercegovinë, ashtu edhe në Serbi, ndërsa është vetëm 38% në Shqipëri. Në Kosovë, përpara zgjedhjeve kur janë realizuar matjet, kjo përqindje është 56% dhe në Maqedoninë e Veriut është 46%.

Kjo besueshmëri e ulët e qytetarëve në mundësinë e pjesëmarrjes domethënëse në procesin demokratik duhet shqyrtuar përkundrejt perceptimit të tyre për pengesën më të madhe ndaj zgjedhjeve të lira dhe të drejta: presionin ndaj votuesve. Suksesi elektoral i partive opozitare varet në një masë të konsiderueshme nga numri i qytetarëve që kanë frikë se humbasin disa nga përfitimet e tyre nëse nuk votojnë për partinë në pushtet. Janë të njohura mekanizmat e ndikimit dhe të presionit të votuesve në rajon përmes shkëmbimit të favoreve dhe përfitimeve sociale dhe punësimit në administratën publike përkundrejt votës.

Ky presion konsiderohet si një nga pengesat kryesore për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, renditet si më pak i pranuar në Shqipëri dhe në Serbi, me përkatësisht 21% dhe 27%, krahasuar me Malin e Zi, ku 43% e qytetarëve të pyetur raportojnë se ky është një problem. Kjo mund të shpjegojë edhe pjesërisht popullaritetin e partive në pushtet në Shqipëri dhe në Serbi; nëse status-quo-ja u përshtatet votuesve, atëherë ata do të jenë më pak të prirur që të ankohen për të.

Qytetarët besojnë se forma më e zakonshme e presionit te votuesit është punësimi i politizuar, pra, premtimi për një vend punë ose kërcënimi se mund ta humbasin atë (nga 26% në Shqipëri deri në 57% në Kosovë). Megjithë besimin e krijuar nga të pyeturit se zgjedhjet nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh, ata pohojnë se marrin pjesë në to rregullisht. Më shumë sesa gjysma e tyre në të gjitha vendet e rajonit pohuan se shkojnë rregullisht në votime me përqindjen më të ulët të Shqipërisë (69%) dhe më të lartën Serbia (85%), ndërsa Mali i Zi konfirmoi se pavarësisht pandemisë së koronavirusit, përqindja në votime ishte shumë e lartë, duke i kaluar 76%, gjë që shihet si një nga faktorët që solli edhe ndryshimin e qeverisë.

Megjithatë, ka shpesh mospërputhje ndërmjet asaj përqindjeje që rezulton nga sondazhet dhe nga procesi i votimit, pasi megjithëse në Bosnje-Hercegovinë pothuajse 85% deklarojnë se marrin pjesë në votime, zyrtarisht nga zgjedhjet lokale të nëntorit 2020 kjo përqindje ishte pakëz më shumë se 50%. Duket se një shpjegim i mundshëm lidhet me listat e vjetruara të zgjedhjeve, ku figurojnë sipas organizatave që monitorojnë zgjedhjet në BosnjeHercegovinë për shembull. Po kështu, numri i lartë dhe jorealist i votuesve lidhet edhe me emigracionin e lartë, i cili është një problem i rajonit. Pastrimi i regjistrave elektoralë është një problem madhor dhe ka nisur të bëhet pjesërisht në vende si në Maqedoninë e Veriut.

Po kështu, edhe apatia e votuesve lidhet me motive të ndryshme për secilin prej vendeve. Ata qytetarë që nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor, numërojnë disa arsye kryesore për vendimin e tyre: Në Shqipëri, motivi kryesor është mungesa e interesit në procesin e zgjedhjeve (34%)” .

Si përfundim, megjithë pikëpamjen e ndeshur shpesh se zgjedhjet nuk arrijnë të bëjnë ndryshimin, për shkak të avantazheve të atyre që janë në pushtet sa i përket aksesit te burimet publike dhe kontrolli i mediave, zgjedhjet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë treguar, pra, se ndryshimi është i mundur edhe në rrethana të pabarabarta dhe të padrejta. Gjithsesi, ajo që del nga analiza është se qytetarët mund të jenë më të angazhuar në procesin demokratik sesa është menduar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura