Nevoja për një Kod Antimafia

Oct 20, 2017 | 11:01
SHPËRNDAJE

lavdrim litaLAVDRIM LITA

Ditën e djeshme në Itali ka hyrë në fuqi i ashtuquajturi Kodi i Antimafias, që janë një sërë modifikimesh të kodit të procedurës penale dhe masave të kundërveprimit ndaj kriminalitetit mafioz dhe dhënia e dispozitave të mëtejshme legjislative për të sekuestruar pasurinë e vënë në mënyrë të paligjshme. Me kodin e ri antimafia, në praktikë, mund të sekuestrohet çdo gjë edhe atij që është i dyshuar se është i përfshirë në një aktivitet kriminal, me tipare mafioze.

Pa dyshim, edhe vendi ynë ka nevojë për një Kod antimafia që të plotësojë paketën antimafia të 2013-s, në mënyrë që të përparojë në një nga kërkesat kyçe të Komisionit Europian, luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Hapja e negociatave me BE kalon domosdoshmërisht përmes luftës së krimit të organizuar dhe pasjes së një rekordi pozitiv të dënimeve për këto vepra penale. Sidomos pas përgjimeve të klanit Habilaj nga autoritetet italiane që dëshmojnë për një implikim të mundshëm të shumë institucioneve të shtetit (Policia e Shtetit, QNOD etj) në aktivitete kriminale.

Në Itali, magjistratët dhe karabinierët në një popullatë prej 60 milionë banorësh arrijnë të vënë në përgjim rreth 125 mijë persona në vit, që nga qytetari i thjeshtë deri te Kryeministri. Sistemi që përdoret më shumë ndaj kriminalitetit jo vendas quhet IDEM. Njeriu ka tre shenja dalluese origjinale: ADN, shenjat e gishtërinjve dhe zërin. Zëri i çdo njeriu, ashtu si ADN, është kombinacion unik në frekuenca f1, f2, f3.

Disa vite më parë, magjistratët italianë për të mos prishur një hetim, nuk morën lejen në Senat për të përgjuar kryeministrin Berluskoni, i cili po komunikonte me një të përgjuar dhe normalisht duhej ndërprerë përgjimi, sipas ligjit, por magjistratët përdorën sistemin e rrjetës, përgjonin të gjithë njerëzit me të cilët fliste kryeministri.

Për vite me radhë, politika italiane ka dashur t’u vërë një fre interceptimeve, por magjistratët, gazetarët e intelektualet kanë kundërshtuar fuqimisht këtë armë të forcave ligjzbatuese. Edhe në Shqipëri ka disa qendra përgjimi, jo të gjitha të shtetit, që kontrollojnë bisedat e kriminelëve me botën e politikës, ekonomisë dhe medias, por jo vetëm. Mijëra kilometra tabulate dëshmojnë për një perfeksionim të së Keqes në vend.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, miratimi i një kodi Antimafia dhe krijimi i një Autoriteti Kombëtar Antimafia, sipas modelit italian, mund të jetë shpresa e vetme për kthesën drejt vlerave dhe dinjitetit të njeriut. Certifikata antimafia që do të duhet të lëshojë ky institucion mund të jetë përpjekja për ndryshim dhe ndërprerja e marrëdhënies së shtetit me antishtetin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura