Nevoja për hetim të plotë mbi djegien e bunkerit

Dec 24, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE

jamarber-mallteziJAMARBËR MALLTEZI

Ndonëse është një temë që devijon nga shqetësimet e përditshme dhe premtimet krejtësisht të pambajtura të qeverisë, arrestimi i një të moshuari 74-vjeçar dje solli në vëmendje djegien e bunkerit dhe pretendimin e qeverisë për nevojën e shtetbërjes. Shoqëria jonë ka shumë nevojë për shtet ligjor, ku të mbizotërojë ligji që detyron rregullat e shoqërisë, por jo për shtet klientelist ku ligji përdoret në dorën e Maliqit, që sipas rastit mund të ketë emrin Edi, Koço, Taulant, Sadri etj.

Policia ndaloi qytetarin e moshuar për prishje të pronës publike me emrin bunker, por në fakt ndërtimi i bunkerit përfshin disa vepra penale njëherësh, të cilat janë të dënueshme penalisht në një shtet ligjor. Le t’i shohim me radhë:

1. Ndërtimi i bunkerit është kryer në dhunim të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë;

2. Ndërtimi i bunkerit është kryer pa pasur leje zhvillimore, siç kërkohet nga ligji i planifikimit të territorit. Ndërtimet pa leje, sipas ligjit, konsiderohen vepër penale dhe abuzuesi duhet burgosur;

3. Zona rreth ministrive dhe bashkisë gëzon edhe statusin “Ansambël Kulturor” me vlera të veçanta, e shpallur nga vetë z. Rama si ministër Kulture në vitin 2000. Si e tillë, çdo ndërtim duhet të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore së bashku me vlerat e trashëgimisë kulturore që bart ndërhyrja;

4. Në buletinet e APP-së nuk figuron askund ndonjë tender për ndërtim bunkeri! Kjo është gjithashtu shkelje e rëndë ligjore, pasi i bie që ose dikush e di veten mbi ligjin dhe i bën dhuratë vetes betone pa vlerë me paratë e taksapaguesve, ose që dikush ka marrë peng dikë duke i ndërtuar objekte sipas qejfit, pa përfillur ligjet në fuqi.

Sinqerisht shpresoj që hetimi të jetë sa më i plotë dhe të saktësojë të gjitha këto shkelje ligjore dhe të marrë masat e duhura ndaj shkelësve të ligjit. Sa për ilustrim, po përmend që Prokuroria e Tiranës ka hapur çështje penale Nr. 6977, të vitit 2014, për ndërtim të një tende pa leje në verandë të vetë pronarit.

Pra, hapet çështje penale për tende pa leje dhe nuk hapet çështje penale kur Koço shkel 10 ligje dhe dhunon 2 plane urbanistike? A është ky modeli i shtetit që duam? A mund të quhet pronë publike një objekt pa leje, në dhunim të Planit Urbanistik, në dhunim të Ansamblit të Kulturës, dhe që ndërtohet pa tender?

Kush duhet të shkojë në burg për këtë ngjarje? A duhet të shkojë në burg i moshuari që prishi një objekt të paligjshëm (bunker që dhunon disa ligje njëherësh), apo ai që i shkeli gjithë këto ligje?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura