Nevoja e një pakti kombëtar për migrimin

Jan 24, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

PROF.DR.SOKOL AXHEMI sokol axhemi

Tashmë opinioni publik gjithnjë e më tepër po sensibilizohet nga të dhënat apo informacionet e ndryshme në lidhje me zhvillimet aktuale të popullsisë shqiptare. Projeksionet e institucioneve ndërkombëtare, statistikat demografike të ndryshme kanë bërë të mundur realizimin dhe daljen në evidencë të analizave të studiuesve të fushave të ndryshme, të cilët po vlerësojnë maksimalisht situatën në lidhje me zhvillimet e popullsisë shqiptare. Madje, në mjaft raste vërejmë se edhe përfaqësuesit politikë po bëhen gjithnjë e më të ndjeshëm në këtë drejtim. Duhet vlerësuar së fundi edhe apeli i përsëritur i Presidentit të Republikës në lidhje me një situatë të tillë. Pra, duhen lënë mënjanë propaganda, llafollogjia dhe gjërat e përgjithshme e duhet të merremi konkretisht me një situatë të tillë, sepse siç thotë populli “nuk mban më ujë pilafi”. Njerëzit po ikin gjithnjë e më shumë, çdo ditë e natë, çdo muaj e vit.

Pse-ja është e dukshme. Lidhet sa me faktorët tradicionalë, shkencorë e të njohur e po ashtu, me shkaqe e faktorë lokalë. E këtu duhet të përfshijmë gjendjen ekonomike, nivelin e pagave e mirëqenien, varfërinë e pamundësinë për punësim, situatat sociale e politike, zhgënjimet e njëpasnjëshme e ngopjen me propagandë e “lugën bosh”. Duam apo nuk duam, është imperative që të gjitha palët politike të marrin përgjegjësinë e të mendojnë për këto zhvillime problematike që po kalon popullsia shqiptare. Autori i këtyre radhëve, muaj më parë u mundua të sensibilizojë opinionin politik me anë të një të përditshmeje, teksa evidentoi mundësinë dhe domosdoshmërinë e riaktivizimit të politikave mbi popullsinë. Diçka u bë, por shumë pak e deri e pandjeshme për të ndikuar në zhvillimet pronataliste të popullsisë së vendit tonë. Tashmë kemi ardhur në një urgjencë të ndërmarrjes së hapave të duhura dhe të menjëhershme për ta marrë me seriozitet një problem kaq madhor, siç është migracioni. Është jetike ndërtimi i një pakti kombëtar mbi migracionin, i cili duhet shoqëruar me matricat praktike përkatëse për zbatim. Në të kundërt, ne do të numërojmë në vazhdimësi ikjet shqiptare, plakjen e saj, rënien e numrit të lindjeve, mungesën e specialistëve dhe të fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm.

Ky pakt kombëtar për migrimin duhet të analizojë me objektivitet situatën në të cilën ndodhet popullsia e vendit tonë, të na japë shifra të sakta dhe statistika serioze dhe jo të hallakatura për të justifikuar situatën demografike, të evidentojë qartësisht faktorët ndikues dhe rrugën nëpër të cilën duhet të ecim me shpejtësi për të ndaluar avancimin e mëtejshëm të kësaj situate. Më pas të ndërhyhet me urgjencë për të bërë rregullimet e duhura. Është e pafalshme që një vend me resurse të tilla natyrore, të lëngojë në moskthimin e tyre në mundësi për zhvillim e mirëqenie. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit e tejkalojnë vendin tonë në lidhje me indikatorët që evidentojnë nivelin e pagave, të ardhurat, mirëqenien, proporcionalitetin kontributiv në shërbime, jetesë, mirëqenie etj.

Duke e marrë me seriozitet një situatë të tillë, duke vënë në qendër të vëmendjes, pikërisht ardhmërinë e vendit tonë, pakti kombëtar mbi migrimin do të ndikojë që të lindin dhe aplikohen edhe politika të veçanta ndikuese për zhvillime pozitive të popullsisë së vendit tonë në të ardhmen. Aplikimi i politikave ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, përfshirja e grupeve sociale të të rinjve në punësim, përfshirjen e investimeve të qenësishme, suportimin dhe bashkëpunimin e sipërmarrjeve të mëdha të biznesit, rritja e pagave, rishikim i sistemit të taksave në funksion të gjenerimit të të ardhurave më produktive për shtresat e ndryshme të popullsisë, përfaqësojnë disa nga mundësitë që domosdoshmërisht duhet të merren në konsideratë nga ana e institucioneve, që kanë për detyrë të qeverisin shqiptarët dhe të “mendojnë për mirëqenien e tyre”.

Në mënyrë të veçantë, duhen ndërtuar politika sociale për të rinjtë, shtresat e mesme dhe profesionistët. Vërejmë rritjen e tendencës migratore të këtyre grupeve sociale të sipërpërmendura, gjë që shumë shpejt mund ta vendosë në pikëpyetje edhe mbulimin me teknicienë të aftë e të zotë të shumë profesioneve në vendin tonë për vitet e ardhshme. Nëpërmjet politikave të tilla, ndikimi do jetë efektiv edhe në problematikat e tjera bashkëshoqëruese, siç janë ato të rënies drastike të lindshmërisë. Janë pikërisht këto largime të shumta të popullsisë riprodhuese një nga shkaktarët kryesorë, që sot disa nga ndarjet administrative të vendit tonë nga pikëpamja statistikore na rezultojnë me shtesë natyrore negative, që do të thotë që numri i lindjeve ka rënë aq shumë, saqë numri i vdekjeve është më i lartë se lindjet.

Samite të ndryshme europiane dhe botërore po përfshijnë në mënyrë të qenësishme në fokuset e tyre trajtesat dhe analizat mbi zhvillimet e popullsisë sot dhe ndërmarrjen e politikave të larmishme ndaj problematikave që shfaq ajo. Mjaft prej këtyre samiteve kanë përfshirë në optikat e tyre edhe migrimin dhe politikat migratore. Pakti kombëtar mbi migrimin, që është e domosdoshme të vihet në zbatim në vendin tonë, mund të gjenerojë mundësinë e pasjes në dispozicion të eksperiencës së krijuar nga vende të ndryshme të botës në situata të tilla, ndonëse kemi mendimin se tiparet dhe karakteristikat që po shfaq migrimi shqiptar në dekadën që lëmë pas janë specifike për vendin tonë.

Tërësia e çështjeve të ngritura më sipër duhet të na bëjë të gjithëve të përgjegjshëm për situatën në të cilën ndodhemi, prandaj edhe ndërhyrjet institucionale shtetërore duhet të jenë urgjente dhe efikase. Nëse veprohet shpejt dhe me efikasitet, me programe të qarta e politika konkrete, të gjithë bashkë, pushtetarë, studiues, të gjithë ata që duan të mirën e këtij vendi dhe ardhmërinë e tij, mund të ndikojnë drejt zhvillimeve pozitive në drejtim të politikave mbi popullsinë dhe veçanërisht mbi migrimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura