Netët e muzikës klasike në Durrës, udhëtim në vendin e Servantesit

Jul 30, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

Dita e parë e gushtit, që ndër vite njihet për shtimin e numrit të turistëve në vendet bregdetare, në Durrës, ndër të tjera, do të shënojë edhe nisjen e Bienales së Netëve të Muzikës Klasike. Ky aktivitet shoqëron mbrëmjet verore të Durrësit, qysh prej vitit 2003. Ideatori i kësaj ngjarjeje muzikore është violinisti me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi, i cili ka afirmuar programe instrumentistësh virtuozë dhe mbrëmje të nivelit të lartë profesional.

Artisti Florian Vlashi
Artisti Florian Vlashi
Këtë vit, së bashku me muzikantin dhe kompozitorin e mirënjohur Haig Zacharian, bienalja do të shtegtojë në viset e Servantesit, me temën “ESPAÑA”. Artisti Florian Vlashi rrëmon në tingujt e përbashkët mes Spanjës dhe Durrësit, ata tinguj që sollën rrëfimin muzikor që ai e quan “Spanja, një histori dashurie”. “Para disa kohësh, në bar ‘El Preludio’ në breg të oqeanit në La Coruña, lexoj në shtyp një lajm që më bëri të mendohem: në bregun e Durrësit ishte zbuluar një anije spanjolle e mbytur në ato ujëra rreth… 1700 vjet më parë. Ajo anije e zbuluar nga arkeologu nënujor Adrian Anastasi, sipas gazetës “El País” “transportonte mallra me shumë vlerë e të zgjedhura me kujdes (verra, vajra etj.) për të kënaqur shijen e hollë të aristokracisë së kohës”.

Pra, 17 shekuj më parë…Nuk e dija që lidhjet me Spanjën ishin kaq të hershme. Dija mbi lidhjet e ngushta të Skënderbeut me Fernando I të Napolit, Principata e Mbretërisë së Aragonit, e cila, pas vdekjes së Skënderbeut, mori në mbrojtje familjen e tij.

Drejtori i Institutit Cervantes, pas një koncerti tim në Napoli, më foli gjatë për këtë lidhje dhe, ndërsa ai tregonte detaje pa fund për Kastriotët, unë ndjehesha sa i paditur, aq edhe krenar. Dija gjithashtu që i madhi Servantes kishte qenë rob i një pirati shqiptar me emrin Arnaut Mami për pesë vjet rresht, megjithëse ky fakt nuk ishte dhe aq për t´u krenuar.

Pas lirimit, Servantesi shkruan “El Quijote” (Don Kishoti), librin më të mirë të historisë me të cilin fillon letërsia moderne. Nuk e di a ka ndonjë lidhje mes njohjes me piratin shqiptar e krijimit të personazhit të Don Kishotit!

Dija që Don Kishotin e sjell në Shqipëri një peshkop i ditur, Fan Noli, tre shekuj më pas. Kalorësi i marrë magjeps shqiptarët me fantazmagorinë e tij, “ky delir i mrekullueshëm që ka të bëjë me lirinë” do shkruante Kadare për të. Më pas hyri arti i madh spanjoll me librat mbi Goya-n e me albumet e Velasquez, Murrillo, El Greco, ndërsa gjenitë e artit modern, si Picasso, Miró apo Dalí duhej t´i shfletonim fshehurazi gjatë viteve të diktaturës, gjë që ia shtonte akoma më shumë joshjen magjike.

Në këtë radhë, muzika spanjolle ishte e fundit që hyri në Shqipëri. E gjitha kjo ngjan me një histori dashurie, e cila fillon me vera, vazhdon me princër, rrëmbime, delire, fshehtësi, për të përfunduar në pasionin shfrenues të një Fandango… Dhe në po atë breg deti ku njerëzit shquheshin për “shijet e holla aristokratike”- tregon Vlashi.

Në fakt, Durrësi është qyteti shqiptar ku është luajtur më shumë muzika spanjolle dhe, nga ku më shumë instrumentistë, kompozitorë e artistë, janë përfaqësuar në Spanjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura