Nëse procesi i zgjerimit është vërtet prioritet

Nov 30, 2015 | 11:13
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Nisma rajonale e Brdo-Brionit mblodhi këto ditë liderët e shteteve të Europës Jugperëndimore apo të Ballkanit Perëndimor. Ky proces, që nisi prej vitit 2013, me nismën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë, afirmoi dhe në këtë takim të fundit, sipas deklaratës së përbashkët, përkushtimin ndaj ndërtimit të besimit, zhvillimit të dialogut bilateral dhe rajonal dhe ndaj ndihmës së njëri-tjetrit, në pajtim me procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike, si dhe ndaj promovimit të bashkëpunimit dhe pajtimit të mëtejshëm.

Vëmendja e takimit me presidentët e Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë ishte në luftën kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve dhe si të ndihmohet në procesin e integrimit europian. Kjo e fundit zuri një vend të rëndë- sishëm.

Dhe u bë mirë. Për të do të ndalemi dhe ne. Por, ajo që të bën përshtypje nga një takim në tjetrin, nga nisma në nismë, qofshin këto të fundit- të hershme apo të reja, është fakti i njëfarë inflacioni të deklaratave, të angazhimeve të përsëritura, retorika të mërzitshme në vend të problemeve konkrete që ekzistojnë realisht në to dhe midis vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë sidomos për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Tre muaj më parë, në Samitin e Vjenës, vazhdim ky i Konferencës së Berlinit apo e njohur si Procesi i Berlinit, deklarata e përbashkët nënvizonte se qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord se nuk do të bllokojnë dhe as inkurajojnë të tjerët të bllokojnë progresin e fqinjëve në rrugët e tyre respektive drejt Bashkimit Europian. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor “angazhohen të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura dypalëshe në frymën e fqinjësisë së mirë dhe të angazhimeve të përbashkëta të integrimit europian”.

Deklaratat kanë rolin e vet. Por kur vaktë- sia e tyre vazhdon me të njëjtën gjuhë, ato vështirë se sjellin. E rëndësishme është sa vjen në takime gjendja reale në këto vende dhe marrëdhëniet konkrete midis tyre, qëndrimi që mbahet ndaj tyre, nëse procesi i zgjerimit është vërtet prioritet për to, për ta bërë sa më të prekshme atë çka njerëzit dëshirojnë në rrugën jo të lehtë për në BE dhe në NATO.

Serbia tashmë filloi bisedimet për anëtarësim, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, në pritje të hapjes së negociatave. Kosova gjithashtu një muaj më parë nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, një dokument i rëndësishëm në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Në Maqedoni, realizimi i Marrëveshjes për daljen aktuale nga kriza duket i zbehtë, edhe pse, siç dihet, Maqedonia ishte e para në rajon që nisi rrugën për në NATO dhe në BE. Sot, me standardet demokratike në regres e ku pasionet nacionaliste janë bërë më prezente, tensionet në të janë rritur.

Ndërkohë, ajo pret prej gati gjashtë vjetësh negociatat, të bllokuara për shkak të problemit me Greqinë rreth emrit të saj, por sot, edhe për atë të keqësimit të situatës në vend. Në Bosnjë-Hercegovinë, e ashtuquajtura Republika Serpska insiston në një referendum për t’u shkëputur nga Bosnja; opozita në Mal të Zi, e cila përfaqëson grupimet proserbe dhe proruse, përmes të gjitha formave, kërkon t’i bëhet barrikadë anëtarësimit të kësaj republike në strukturat euroatlantike.

Të gjashtë vendet e mësipërme të Ballkanit Perëndimor, nga ana tjetër, vazhdojnë të mos rreshtin së foluri për parësitë e anëtarë- simit në këto struktura. Retorikat janë më të lehta përballë atyre çka kërkohet. Në Shqipëri, krimi dhe korrupsioni nuk tunden nga istikamet e tyre. Raport-Progresi i fundit mbi Shqipërinë nuk i kursen kritikat, sidomos për vendosjen e ligjit, për situatën tepër shqetësuese në drejtësi, nga ku pritet miratimi i paketës dhe strategjisë që mundësojnë reformat në këtë sistem, rënia përgjithësisht e standardeve në fusha të ndryshme.

Reflektimi serioz nga ana e qeverisë, edhe pas kësaj, nuk duket, përveç steriotipeve bezdisës të liderëve të saj dhe ndihmësve të tyre, sa nga një media në tjetrën, për të bërë sa më të besueshme se “procesi i zgjerimit mbetet prioritet i qeverisë”(?!). Kështu, progresi i shumëkërkuar i takon thjesht si emërtesë fjalorit dhe tranzicioni i tejzgjatur vazhdon të zgjatet edhe më. Për rrjedhojë, shpresa e njerëzve në vend, për fat të keq, kërkon pas kësaj rrugët e emigrimit.

Serbia, me sa duket, ka vështrimin e vet për anëtarësimin në BE. Pas Samitit të Vjenës, Kryeministri Aleksandër Vuçiç, duke mos u ndarë nga prioriteti i këtij anëtarësimi, përsërit dashurinë për BE-në, jo sepse “e sheh atë si bankomat, por si një organizëm që konsiston në një numër institucionesh me vlera shumë të rëndësishme, që i ndajmë së bashku”. Por në Bashkimin Europian nuk mund të shkosh për shkak të inflacionit të fjalëve, që, sikurse thamë edhe në fillim të shkrimit, qarkullojnë nga një deklaratë samiti në tjetrën.

Ndryshe, si mund të ndodhë, kur në deklarata, zëri yt bashkohet me të pesë vendeve të tjera, sikurse dhe në takimin e këtyre ditëve të Brdo-Brionit “për riforcimin e përkushtimit ndaj ndërtimit të besimit në marrëdhëniet me gjashtë vendet e rajonit dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit për procesin e integrimit europian” dhe në praktikë vepron ndryshe. Ka një Marrëveshje dypalëshe Serbi-Kosovë, nënshkruar më 19 prill 2013, që me të drejtë është vlerësuar si arritje, sipas së cilës, ndër të tjera, të dy vendet nuk do të bëhen pengesë për njëri-tjetrin në strukturat euroatlantike.

Por për serbët, pavarësisht luhatjeve, edhe pse subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës ka ardhur duke u sanksionuar, ajo shihet ende si pjesë e Serbisë(!) dhe diplomacia serbe vazhdon përpjekjet të krijojë mure në marrëdhëniet e Kosovës me të tjerët. Kështu mund të vazhdonim dhe më tej. Pas tërë kësaj tabloje, pavarësisht përpjekjeve të BE-së, nuk mund të mos të bjerë në sy toleranca dhe mosprononcimi i saj, në rastin konkret ndaj Marrëveshjes, e cila i takon dhe diplomacisë europiane dhe ku garantuese për zbatimin e saj dhe tërë ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, është Bashkimi Europian.

Selektiviteti në qëndrimet ndaj Serbisë vetëm mund t’i shtojë oreksin nacionalizmit serb. Pra, pavarësisht angazhimit, investimit të njohur të BE-së, fytyrës së tij të lodhur nga këto vende, një Bruksel më i interesuar dhe më i vendosur ndaj Ballkanit Perëndimor, do të bënte që procesi i zgjerimit të jetë me të vërtetë prioritet për secilin vend, për të gjitha palët. Kështu, edhe deklaratat e samiteve do të çliroheshin realisht nga inflacioni i zotimeve steriotipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura