Nëse PPP-të e Ramës nuk janë vjedhje, Rruga e Kombit është peshqesh

Aug 18, 2018 | 12:58
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ prec-zogaj

Koha kur deputetët social istë në opozitë pushtonin mikrofonat e ngrinin zërin kundër kostove 2,8 apo 3,5 milionë euro për kilometër të autostradave fushore, siç ishin Bay-passi i Fierit, autostrada e Vlorës e tjerë, duket e largët një shekull. E largët dhe e shurdhuar duket edhe koha kur Edi Rama, shef opozite, shfaqej shumë i prerë për shkeljet dhe abuzimet e hetuara nga dy prokurorë të Tiranës në ndërtimin e rrugës Milot-Kukës-Morinë, rrugë të cilën vetë zoti Rama e pat quajtur njëherë rruga e Askundit.

Tani që Rama me të tijtë janë në pushtet prej pesë vjetësh dhe kanë rekordet e tyre në çdo fushë të qeverisjes, qëndrimet e mësipërme mund t’i shohim hem si monumente të hipokrizisë, kur është fjala për kostot e ndërtimit të rrugëve fushore, hem si monumente të injorancës, për të mos thënë një fjalë tjetër më të rëndë, kur është fjala për destinancionin dhe efektet ekonomike, njerëzore dhe politike të Rrugës së Kombit. Si çdo gjë tjetër, edhe këtë punën e rrugëve Rilindja ndryshe e ka thënë e krejt ndryshe po e bën: shumë më keq! Më keq se kurrë. Sidomos projektin “Një miliard euro” të Partneritet Publik-Privat (PPP), që po zbatohet këtë vit. Duke llogaritur koston e ndërtimit, mirëmbajtjen dhe interesat që do t’u paguajë qeveria kompanive fituese për 13 vjet, segmenti Milot-Balldre, i gjatë rreth 17 kilometra, do të kushtojë rreth 12 milionë euro kilometri. Po kaq, 12 milionë euro kilometri, edhe segmenti tjetër fushor Thumanë-Kashar. Katër herë më shtrenjtë se shifra që reklamonin si të fryrë dhe korruptive deputetët socialistë, kur ishin në opozitë. Në një kohë kur kostot reale të ndërtimit në tërësi janë rritur vetëm katër për qind gjatë këtyre viteve.

Skemën e financimit me PPP të koncesioneve në infrastrukturë dhe shërbime e kanë kundërshtuar me forcë, e kanë parë me dyshim, e kanë shkëshilluar opozita e vendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, FMN-ja, Departamenti i Shtetit e tjerë. Opozita i ka denoncuar si skema të pastra korruptive dhe si thellim jashtë çdo transparence e përgjegjësie të borxhit publik. FMN-ja ka kërkuar eliminimin e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë alarmin në rrugë zyrtare dhe publike për rrezikun e zbatimit pa transparencë dhe pa kuadër ligjor të saktë të këtyre skemave. Në një shkrim të para disa ditëve në gazetën “Panorama”, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, pohonte se kompanitë fituese të tenderave të paketës “Një miliard euro” kanë vënë në dispozicion kapitale minimale, ndërkohe që qeveria ka premtuar se do të japë “garanci sovrane” për këto kompan,i që këta të mund të marrin kredi nga bankat e nivelit të dytë. Si mund të rrezikohen kështu paratë e taksapaguesve? Pyeste në mënyrë retorike zoti Leskaj, duke publikuar edhe një të dhënë tjetër: dy prej kompanive fituese të këtyre koncesioneve kanë rezultuar me detyrime të pashlyera ndaj buxhetit të shtetit. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për gjendjen e biznesit në Shqipëri vinte në dukje se PPP-të kanë goditur konkurrencën, se ato vuajnë nga analiza e dobët kosto-përfitim, nga mungesa e ekspertizës teknike. Raporti i DASHit kishte parasysh rreth dyqind kontrata koncesionare me skemën PPP të lidhura deri në fund të vitit 2017. Raporti nuk i mbulonte akoma PPP-të e projektit “Një miliard euro” të vitit 2018, që janë ku e ku më keq në krahasim me objeksionet e partnerëve amerikanë për gjendjen para një viti. Në qoftë se korrupsioni mori notën “i shfrenuar” për vitin 2017, nga i lartë që e kishte më parë, kushedi çfarë fjale do të duhet të gjendet për t’i dhënë hakun korrupsionit për vitin 2018!

Asgjë s’e ka ndaluar Ramën me shokë në aventurën e PPP-ve. As opozita, as KLSH-ja, as FMN-ja, as SHBA-ja, as Gjykata Europiane e Audituesve që i ka hedhur poshtë skemat e PPP-ve për ndërtimin ose dhënien në përdorim të infrastrukturës publike. Të gjithë e kanë gabim! Vetëm Rama me ministrat dhe deputetët e tij e kanë mirë!

Njëlloj si me Teatrin Kombëtar, kushtimi i interesit, i përfitimit, i parasë pa hesap ka zhurmuar ligjin, përvojat e vendeve të tjera, paralajmërimet e organizatave autoritare, këshillat e partnerëve. Thirrja e parave ka shurdhuar për momentin edhe zemërimin e investitorëve të huaj dhe të partnerit strategjik. S’ka rëndësi kush godet, si godet e ku godet! Vetëm paratë të shkojnë në xhepat e duhur!

Mirë borxhi i fshehtë që fshehin këto skema! Mirë mungesa e transparencës, garës dhe ekspertizës, siç thotë DASH-i. Të gjitha këto edhe do të toleroheshin disi në emër të nevojës dhe shpejtësisë për të ndërtuar rrugë. Shokuese kësaj radhe janë kostot. Rama ndërton me dorë të rëndë e shumë të rëndë. Kjo dihet qëkur ka qenë kryetar bashkie. Por kësaj radhe po thyen thellë rekordet e veta. Autostrada Milot-Balldre, vazhdim i autostradës Thumanë- Milot, sipas shumë ekspertëve të fushës do të kushtonte rreth 90 milionë euro me një normë të lartë fitimi për kompaninë ndërtuese. PPP-ja e qeverisë e ka bërë me një të rënë të kalemit rreth 217 milionë euro, pra rreth 12 milionë euro kilometri. Duhet të shënojmë këtu se gjysma e rrugës me dy korsi është bërë gjatë qeverisjes Nano dhe ristrukturuar mirë e mirë nga qeveritë pasuese. Dhe gjysma e dy urave janë të bëra. Vetëm një devijim shumë i shkurtër në hyrje të Lezhës do të jetë rrugë krejt e re. Dhe një tunel me një portal rreth tetëqind metra. Për të hedhur sa më shumë zëra, domethënë sa më shumë mjegull në preventivë, qeveria s’resht së përmenduri rrugët dytësore, që lidhen me autostradën. Në Lezhë e dinë të gjithë se edhe këto rrugë janë të bëra. Shënkoll- Autostradë dhe AutostradëZejmen është e bërë. Pllanë-autostradë është e bërë. Ishull-Lezhë-Rrilë është e bërë. Ka nevojë për mbikalime, mund të ketë gjithnjë nevojë për ndërhyrje e rregullime siç ndodh me të gjitha rrugët, por ato janë të shtruara, të asfaltuara, funksionale, të përshkueshme nga makinat prej vitesh. Në rrugën dytësore të Shënkollit, për shembull, shkojnë e vijnë çdo ditë nga plazhi i Tales mijëra makina pushuesish nga të katër anët e vendit.

E njëjta gjë për segmentin superfushor Thumanë-Kashar, kostoja jashtëzakonisht e lartë e së cilës ka lënë pa mend këdo që e di sadopak për çfarë bëhet fjalë. Edhe kjo rrugë pothuajse është e bërë përgjysmë. Kostot e rrugëve në fjalë janë një korrupsion i stërmadh, vjedhje ashiqare, e pamëshirshme e parave të buxhetit të shtetit, në tryezë, në sy të qytetarëve, në sy të amerikanëve. Do të këtë patjetër komisione me njerëz kompetentë që do të nxjerrin me saktësi kostot reale, për rrjedhim shumat e vjedhura. Unë nisem nga disa krahasime të thjeshta, të gjalla. Segmenti Reps-Thirrë i Rrugës së Kombit, i gjatë 27 kilometra si segment, që u hap mbi gurë, duke zhbërë malet dhe lugina, ka kushtuar më pak se tetë milionë euro një kilometër. Të mos harrojmë se për të çuar kavalerinë e rëndë të makinerive në kantieret e Rrugës së Kombit është dashur të hapen po në gur mbi pesëdhjetë kilometra rrugë dytësore dhe mijëra metra katrorë sheshe, duke gërmuar shpate. Segmenti Rrëshen-Kalimash, 46 kilometra, numëron 27 ura të mëdha. Kostoja mesatare e Rrëshen-Kalimash është rreth nëntë milionë euro për kilometër. Kostoja e kombinuar, duke llogaritur tunelin me dy portale, hyrëse dhe dalëse, 5,5 kilometër secili, ka dalë 12,5 milionë euro për kilometër.

Nuk është rasti të evokoj debatet që janë bërë e bëhen për kostot e kësaj rruge me rëndësi historike për kombin shqiptar. Këto shifra nuk i përmend për të shuar dyshime e akuza apo për të justifikuar kosto. Ata që e kanë pasur dhe e kanë këtë merak, le ta vazhdojnë betejën e tyre. Por krahasimi është i pashmangshëm. A mund të kushtojë një kilometër autostradë fushore, gjysmë e bërë, si këto të PPP-vë të Ramës, aq sa ka kushtuar një kilometër autostradë në shkëmb, në tunele dhe në lugina ku nuk ka qenë dëgjuar kurrë boria e një makine, siç është Rruga e Kombit?

Në qoftë se te PPP-të e Ramës nuk ka vjedhje, i bie që Rruga e Kombit të na jetë bërë peshqesh.

Kostot e rrugëve që po bën qeveria me PPP-të janë një sarkazëm tjetër e stërmadhe e retorikë e Rilindjes, që me demek ka ngritur zërin kundër fenomeneve negative të qeverisjes së mëparshme, por i ka bërë shumë më keq vetë. Duke u rënë me top më këto përmasa financave publike, Rama me të tijtë mendojnë se mund t’i dërgojnë një mesazh opozitës: nuk ju ngasim për çfarë ju kemi akuzuar, mos na ngisni për çfarë po bëjmë! Opozita, sigurisht, nuk mund ta pranojë këtë. Vjedhjet me PPP nuk kanë asnjë përligjje. Ato duhen ndaluar me çdo kusht. Është e pamundur të mos ekzistojë një mënyrë për t’i ndaluar. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet, nëse nuk i ka nisur. Vepra penale është në dritë të diellit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura