“Nëse Maqedonia s’hap kufirin, do të kalojmë nga kufiri shqiptar”

Mar 14, 2016 | 18:43
SHPËRNDAJE

Të vendosur prej ditësh në qytezën e Konicës, 20 minuta larg kufirit me Shqipërinë, 162 refugjatët sirianë tashmë kanë filluar të ambientohen me ‎banesën e tyre të përkohshme.

Shëtisin në rrugët e qytetit, ndihmohen nga banorët dhe duket se gjithçka shkon mirë. Por sirianët nuk duan të qëndrojne aty. Qëllimi i tyre është të vazhdojnë rrugën me çdo kusht, edhe nëpërmjet Shqipërisë. Këtë gjë e bën të qartë edhe ish-kryetari i Bashkisë së Konicës, aktualisht përfaqësues i Prefekturës së Janinës.

“Ata janë shumë mirë këtu në Konicë, madje shumë më mirë se refugjatët që janë në Idromeni. Njerëzit këtu i ndihmojnë dhe u janë afër, por duhet një zgjidhje pas 15 ditësh, pasi ata duan të ikin në Europë. Nuk duan të rrinë këtu”, thotë Prodromos Hatziefremidis.

E pikërisht për këtë çështje, rreth orëve të pasdites së djeshme të 162 refugjatët sirianë janë thirrur në një takim nga drejtuesit lokal, ku u është bërë e ditur se qeveria greke është duke zhvilluar bisedime intensive me Shqipërinë dhe Italinë për mundësinë e zhvendosjes së tyre. Fakti i afërsisë gjeografike me territorin shqiptar duket se u jep një shpresë atyre se mund të gjejnë një shteg të ri kalimi.

“Po e dimë që jemi shumë afër kufirit me Shqipërinë dhe shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë të kalojmë kufirin. Nëse nuk hapen kufijtë e Maqedonisë, sirianët do të kalojnë nga kufiri shqiptar”, thotë një sirian.

“Ne e dimë se ku ndodhet kufiri me Shqipërinë dhe ne jemi këtu se respektojmë qeverinë greke që na kanë thënë se do të qëndrojmë këtu 15 ditë e më pas do shohim se çdo ndodhë. Por nëse nuk do të ketë një vendim për ne, atëherë ne do të shkojmë vetë në kufirin me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë ne dhe të mos ketë më vuajtje si në kufirin maqedonas”, shton një tjetër.

 

Mesazhi i sirianit për qeverinë shqiptare: Na dërgoni në Gjermani!

Që prej së premtes, Konica është shndërruar në kampin më të ri të refugjatëve sirianë, duke strehuar 162 persona të larguar nga fushë betejat e Sirisë.

Gjimnazi publik i Konicës është kthyer në strehën e tyre. Mahmudi është një prej shumë të rinjve që i ka shpëtuar luftës dhe është në kërkim të rrugës për në Gjermani, të cilën ai thotë se synon ta arrijë përmes Shqipërisë.

siriani konice“Unë jam nga Siria, nga Daria. Erdhëm në Konicë për të ikur në Europë. Kemi ardhur këtu se mbase Shqipëria na ndihmon të kalojmë përmes saj, prandaj jemi kaq afër kufirit shqiptar. Aktualisht nuk kemi në plan të lëvizim, por shpresojmë që qeveria shqiptare të na presë e të na ndihmojë të kalojmë kufirin. Shpresojmë që nga Shqipëria të kalojmë në Itali e në fund në Gjermani. Të gjithë kufijtë na janë mbyllur, si në Hungari ashtu edhe në Maqedoni, prandaj jemi këtu në kufirin shqiptar”, thotë Mahmud.

“Unë kam një mesazh për qeverinë shqiptare nga gjithë sirianët që ndodhen këtu në Konicë, të na ndihmojë të kalojmë nëpërmjet Shqipërisë në vendet e tjera për në Gjermani”, apelon refugjati.

Ndërkohë, drejtoresha e qendrës së pritjes shprehet se pavarësisht kushteve dhe përkujdesjes ndaj refugjatëve, askush nuk mund t’i ndalojë ata që të lëvizin.

“Njerëzit që janë këtu në Konicë nuk janë të ndaluar nga policia apo nga askush tjetër që të lëvizin ku të dëshirojnë”, thotë Katerina Mitopolou.

E veç dëshirës së tyre‎ për të udhëtuar drejt vendeve të Europës, kryesisht Gjermanisë, lajmet që qarkullojnë në kamp e bëjnë me reale mundësinë e zhvendosjes së tyre drejt Shqipërisë.

Jashtë kamerave, ata pohojnë se nga drejtuesit grekë të qendrës u është thënë se këtu do të qëndrojnë vetëm 15 ditë e me pas do kenë mundësinë të kalojnë në Shqipëri.

Burimi: Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura