“Nëse doni ndryshim votoni për ndryshimin”/ Ambasadorja Kim mesazh të fortë për shqiptarët: Ata që blejnë vota janë kriminelë! Nëse dikush iu ka vjedhur për 4 vjet, atëherë….

Apr 13, 2021 | 22:55
SHPËRNDAJE

Ambasadorja amerikane në Tiranës, Yuri Kim i është drejtuar me një mesazh të fortë shqiptarëve për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, duke kërkuar prej tyre që të mos shesin votën, pasi në këtë mënyrë sipas saj shitet e ardhmja e fëmijëve të tyre.

kimm

Diplomatja tha se është e qartë kush nuk duhet të jetë në Parlament dhe midis tyre janë edhe ata që janë shpallur non grata në SHBA për korrupsion masiv.

Zonja Kim tha në TVSh, tha se të gjithë ata që blejnë vota janë kriminelë, duke bërë apel që prokurorët kudo në vend të marrin seriozisht detyrat e tyre.

Pjesë nga intervista: 

Lutfi Dervishi: Më pak se dy javë nga dita e votimit, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore në lidhje me zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Kam shpresa por edhe shqetësime, siç vëreni ju. Mendoj se janë votime shumë të rëndësishme këto që vijnë. Pas 30 vitesh demokraci, jemi në një pikë kthese dhe mendoj se populli shqiptar ka mundësinë si në çdo zgjedhje për të vendosur në çfarë drejtimi do të shkojnë. Prandaj iu kam thënë votuesve se nuk ka rëndësi për kë votoni, por ka rëndësi që të votoni dhe vota juaj të jetë e mirëfilltë. Të ardhmen tuaj e vendosni ju.

Lutfi Dervishi: A shihni shenja të minimit të integritetit të zgjedhjeve? Ju merrni raporte.

Ambasadorja Kim: Marr raporte. Dëgjoj lloj-lloj gjërash dhe jemi të vëmendshëm. Në fund, kemi ekspertë që do të bëjnë një deklarim për këtë. E dini që OSBE ka dërguar një ekip nga ODIHR dhe ata janë ekspertët e vërtetë. Ndaj, do të pres për raportin e plotë.

Lutfi Dervishi: Kur takoheni me drejtues politikë siç ndodhi në Elbasan apo qytete të tjera, çfarë ju thonë?

Ambasadorja Kim: Më thonë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta. Që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka.

Lutfi Dervishi: Mund t’i përmendim?

Ambasadorja Kim: Zëvendës Ndihmës Sekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë.

Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën.

Lutfi Dervishi: Kur flisni për emrat, dhe informacionin në dispozicion, pyetja është: Ky informacion – një pyetje retorike kjo – është në dispozicion të prokurorëve apo SPAK-ut apo ligjzbatuesve të tjerë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që informacioni është gjerësisht në dispozicion.

Lutfi Dervishi: Çfarë mungon?

Ambasadorja Kim: Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot.

Lutfi Dervishi: Pra ajo që përmendni është ajo që thoni shpesh, shihni faktet dhe jo propagandën…

Ambasadorja Kim: …saktësisht.

Lutfi Dervishi: Do të kthehemi tek reforma në drejtësi dhe rezultatet. Dua të marr pak minuta të tjera për zgjedhjet. Shqipëria ka një nga ligjet më të ashpra të dekriminalizimit, por ka opinioned he përpjekje, përfshi deputetë nga kjo legjislaturë, që ligji duhet amenduar që të përfshijë persona që kanë kryer dënime në vende si Zvicra, Kosova, për të mos përmendur listën e zezë të SHBA.

Ambasadorja Kim: Ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur. E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord? Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari.

Lutfi Dervishi: Ajo që përmendët është që kemi persona që qartësisht nuk e nderojnë emrin e Shqipërisë duke qenë në parlament dhe nëse flasim për një trekëndësh – kemi institucione apo prokurorë të ndrojtur, udhëheqës politikë që nuk kanë kurajë dhe duket se shpresa juaj e fundit më e mirë janë votuesit shqiptarë?

Ambasadorja Kim: Votuesit shqitparë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura