Neritan Liçaj zbulon skenarin e artistëve: Akti i fundit që do ndërmarrim për Teatrin

Jun 21, 2018 | 17:07
SHPËRNDAJE

Aktori i njohur i skenës teatrore, Neritan Liçaj deklaron se nuk do të lejohet në asnjë rast apo formë skenari i qeverisë për tjetërsimin e territorit të Teatrit Kombëtar.

Nga studio e “BalkanWeb”, Liçaj i është drejtuar kryeministrit Edi Rama që të heqë dorë nga projekti u tij për teatrin pasi po e kthen në një përplasje personale me artistët e ç’ka sipas tij, do ti kushtojë shumë shtrenjtë qeverisë.

 

“Që kur ka filluar kjo betejë ne jemi shprehur eja të ulemi, të shihemi në sy dhe të gjejmë më të mirën për ne. Këtu gabon Rama, sheh interesin e tij politik. Do detyrohet të shohë interesat tona, sepse ai nuk mund të luajë me ekzistencën tonë. Në momentin që luan me ekzistencën time e ke çuar në personale, këtu je në barrikadë. Në kuptimin metaforik të fjalës jemi armiq. Do të vras, se po s’të vrava më vrave dhe unë e di këtë jam djalë ushtaraku. Dy duar për një kokë thotë populli dhe e thotë shumë bukur. Në momentin që ai do të luajë me ekzistencën time dhe të fëmijëve të mi unë aty nuk fal. Jo Edi Ramën por askënd. Si unë janë të gjithë artistët dhe për këtë të jetë i bindur”,- tha ai.

Aktori thotë se artistët janë totalisht kundër projektit me kulla, ndërsa ndërtimi ose jo i një teatri të ri duhet të marrë bekimin brenda familjes së njerëzve të artit dhe më pas shteti ka përgjegjësi kushtetuese ta financojë.

Se çfarë do të ndodh në shtator, kur dhe pritet të nisë projekti i qeverisë për teatrin, Licaj tregohet i rezervuar duke zbuluar vetëm një pjesë të vogël aksionit që do të të ndërmarrin artistët.

“Jo se do marrim armët jo, do ngujohemi aty brenda. Çfarë do na bëjnë? Do na vrasin? Kush i lë? Çfarë kujton se do vijë polici të më prekë mua me dorë? Jo mor jo se më duan, të jeni të bindur. Me Teatrin Kombëtar, e di shumë mirë kryeministri Rama se e ka provuar, sa do i fuqishëm, i pushtetshëm, para të ketë, ai e di mirë që Teatri Kombëtar, është një emër shumë i madh. Ndaj e them, është fitil i madh, uroj të mos e ndezi atë fitil se do i plasi atij bomba në dorë, në kuptimin figurativ. I ngujohemi aty dhe s’ka çfarë të na bëjë fare. Prandaj mos e çojë atë projektligj sepse dhe ai e di që është i turpshëm dhe i papranueshëm. Të bisedojmë e t’i zgjidhim gjërat në interesin tonë, jo të qeverisë, edhe këtë duhet ta ketë të qartë. Rama është vendimtari kryesor, Rama ka fituar 100 pikë kur dëgjoi popullin për armët kimike. Ky kryeministër duhet. Kështu duhet të reagojë edhe kësaj radhe, kam bindjen që ai do të tërhiqet. Nuk është puna kush uli kokën e kush u tërhoq, nuk është muhabet lacash, është muhabet njerëzish, mes artistësh, Rama e Kumbaro janë artistë e familje artistësh. Jam i bindur që dashuria e tyre për artin të marrin vendimin e duhur”, shtoi ai.

Gjatë intervistës për “BalkanWeb” aktori i Teatrit Kombëtar ka komentuar edhe deklaratat fyese të drejtorit të tij në adresë të aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi.

http://www.balkanweb.com/site/neritan-licaj-zbulon-skenarin-e-artisteve-akti-i-fundit-qe-do-ndermarrim-per-teatrin/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura