Neranxi: Qeveria, amnisti për kontrabandistët

Dec 3, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e biznesit kanë akuzuar qeverinë për nivelin e taksave dhe trajtimin diskriminues që po u bën sipërmarrësve. Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi, gjatë takimit me kreun e opozitës, Lulzim Basha, ka shprehur shqetësimin e tij për klimën në të cilën po operon biznesi i madh.

Neranxi dje gjatë tryezës
Neranxi dje gjatë tryezës

“Kam dëgjuar në media që do çohen në burg disa biznesmenë të mëdhenj. Ka një klimë frike dhe terrori, ndërkohë që sipërmarrësit e mëdhenj janë dhe të penalizuarit e mëdhenj, madje edhe nga qeveritë e djathta, por sidomos nga kjo e majta, që është aktualisht në pushtet. Unë dua të analizoj vetëm një nen të një ligji për të kuptuar absurdet që po miratohen me shumicën e kartonëve”, u shpreh Neranxi.

Shqetësimi i kreut të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve lidhej edhe me udhëzimin e ligjit që qeveria ka nxjerrë për procedurat tatimore. Sipas udhëzimit, bizneset duhet të bëjnë vetëdeklarimin e mallit që kanë gjendje dhe për të cilin nuk kanë dokument, sipas legjislacionit tatimor që të vërtetojë blerjen e mallit.

Ligjin e qeverisë, Neranxi e konsideroi si amnisti dhe legalizim të kontrabandës. “Ky ligj nuk është gjë tjetër veçse amnisti dhe legalizim i kontrabandistëve dhe hajdutëve të këtij vendi. Këta njerëz i kanë marrë shpirtin biznesit të ndershëm që deklaron të gjithë mallin në doganë. Falë këtyre kontrabandistëve, tregtarët e vegjël nuk pranojnë të marrin faturë tatimore nga biznesi i ndershëm, sepse shkojnë tek ai që s’ka lidhje me asnjë faturë shteti, se nuk figuron askund. Dhe në fund, ky hajduti del më i fituari nga të gjithë, thjesht do të paguajë një TVSH për një mall, të cilin edhe mund ta ketë vjedhur”, u shpreh Neranxi.

Sipas tij, Kryeministri për këtë ligj, pa e kuptuar kurthin që po i bëhej, do të jetë konsultuar me ish-doganierë apo ish-drejtorë doganash, të cilët e dinë mirë si vidhet atje, ndërkohë që ata mund të kenë qenë pjesë e skemës dhe tani po bëjnë edhe ligje për t’i shpëtuar hajdutët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura