Nepravishta: E vërteta e uljes së çmimit të CEZ në 2011

Sep 30, 2015 | 7:55
SHPËRNDAJE

Bujar Nepravishta ka qenë kreu i Entit Rregullator të Energjisë deri në vitin 2011. Kohë gjatë së cilës janë marrë dy vendime, për rritjen dhe uljen e çmimit me të cilin KESH i shiste energjinë elektrike OSHEE-së, në atë kohë në pronësi të çekëve të CEZ-it. Pikërisht vendimi i dytë, ai i 7 dhjetorit 2010, për uljen e çmimit nga 2.02 lekë/kWh, që ishte për vitin 2010, në 1.48 lekë/kWh për vitin 2011, është atakuar shumë kohët e fundit si afera e lidhur me kontratën që CEZ kishte me DIA.

Ish-kreu i ERRE, Bujar Nepravishta
Ish-kreu i ERRE, Bujar Nepravishta
Por Nepravishta, në letrën e tij jep shpjegime matematike lidhur me këtë vendim. Sipas tij, vendimi është atakuar nga qeveria shqiptare, me anë të KESH-it, edhe në dy gjykata. Vendimet kanë qenë në favor të ERE-s. Nga ana tjetër, Nepravishta thekson edhe arsyet e largimit. Në pranverën e vitit 2011 u fol për shkarkim, por sipas ish-kreut të ERE-s ka qenë dorëheqje.

Nepravishta thekson se qeveria e kishte humbur besimin tek ai, dhe si rrjedhojë, ai nuk mund të ishte më kryetar i bordit. Gazeta po boton pjesë nga letra e tij, me titullin “Mbi disa të vërteta që injorohen”, ku tregohen argumentet e ERE-s për uljen e çmimit. Sidoqoftë, nga kjo ulje, çekët e CEZ-it e blenë më lirë energjinë nga KESH.

Nga ana tjetër, ish-kreu i EREs flet edhe për vënien në punë të TEC-it të Vlorës dhe blerjen e rreth 40 mijë tonë naftë, me vlerë prej 3.1 miliardë lekësh, ose 31 milionë USD. Kjo naftë nuk u përdor, sipas tij, për prodhimin e energjisë dhe shërbeu si argument për uljengritjet e çmimit të energjisë ndaj KESH-it…

“MBI DISA TË VËRTETA QË INJOROHEN”

Letra me shkurtime e Nepravishtës

Sikurse tashmë është bërë e njohur, më 7 dhjetor 2010, në përputhje me procedurat përkatëse, Bordi i Komisionerëve të ERE-s mori vendimet për çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike që do të zbatoheshin gjatë vitit 2011. Në këtë kuadër, Bordi mori edhe vendimin për çmimin me të cilin KESH-i do t’i shiste energjinë elektrike OSSH-së. Ky çmim, sipas vendimit, u ul me 27% nga niveli 2.02 lekë/kWh, që ishte për vitin 2010, në 1.48 lekë/kWh për vitin 2011.

Ky fakt, për fat të keq, gjatë këtyre javëve të fundit është cilësuar nga disa personalitete politike e publike dhe disa media si një akt i pastër korruptiv që ka dëmtuar financiarisht KESH-in në një shumë rreth 30 milionë euro dhe ka favorizuar OSSH në pronësi të CEZ-it.

Lidhur me këtë akuzë kaq të rëndë, e cila duke qenë e pavërtetë e dezinformon opinionin publik, ndiej detyrimin qytetar që, duke iu referuar vetëm fakteve lehtësisht të vërtetueshme, të shpjegoj: Duke qenë se në vendin tonë prodhimi i energjisë elektrike realizohet në masën 99% nga HEC-et, kushtet e motit luajnë një rol vendimtar mbi sasinë e prodhimit në veçanti dhe mbi bilancin energjetik të vendit në tërësi. Çmimet e energjisë elektrike të shitur nga KESH te OSSH për periudhën 2009-2012 kanë qenë përkatësisht për çdo vit: 1.61 lekë/ kwh në 2009; 2.02 lekë/kwh në 2010; 1.48 lekë/kwh në 2011 dhe 2.83 lekë/kwh në 2012.

Ky ndryshim i konsiderueshëm i çmimeve nga njëri vit në tjetrin ka rezultuar kryesisht për efekt të ndryshimeve të theksuara të prodhimit të energjisë elektrike në këto vite, e cila ka sjellë si pasojë edhe ndryshimin e theksuar të importeve dhe eksporteve të energjisë, çka për kushtet e vendit tonë, në një masë vendimtare ato kushtëzohen nga kushtet vjetore të motit, ose të motit hidrologjik.

Ndërsa për vitet 2010 dhe 2011, përveç këtyre faktorëve, një ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe bilanci energjetik i TEC-it të Vlorës. Më konkretisht:

a- Në vitin 2009 u importuan nga KESH-i për plotësimin e nevojave të vendit me energji 53 milionë kwh (Gwh) me një kosto totale prej 2.6 milion eurosh (ME).

b- Në vitin 2010, KESH nuk importoi asnjë kWh energji, por përkundrazi eksportoi 2.93 TWh, duke siguruar një të ardhur nga shitja në tregun e eksportit prej 119 ME. Viti 2010 përfaqëson një përjashtim të lumtur në të gjithë historinë e elektroenergjetikës shqiptare për prodhimin rekord të energjisë elektrike.  Vetëm nga KESH në këtë vit u prodhuan 7.55 TWh, dhe së bashku me prodhuesit privatë 7.74 TWh, ndërsa konsumi vjetor ishte 6.9 TWh. Nga ana tjetër, OSSH në respektim të kërkesave të modelit të tregut të energjisë elektrike importoi 1.9 TWh me një kosto totale prej 86.7 ME, për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike. Sqaroj se modeli i tregut e detyronte OSSH-në ta blinte energjinë për mbulimin e humbjeve në tregun ndërkombëtar për ta bërë atë sa më të interesuar për zvogëlimin e humbjeve, mbasi të gjitha përfitimet financiare për shkak të zvogëlimit të humbjeve nën vleftën e parashikuar në kontratë shkonin gjatë atij viti në dobi të tij.

c- Në vitin 2011, për shkak të kushteve të motit, prodhimi i energjisë ra në 4.16 TWh ose me rreth 47% më pak kundrejt vitit paraardhës 2010, ndërsa konsumi vjetor i energjisë u rrit me 5% duke shënuar 7.3 TWh. Importet e energjisë elektrike për këtë vit arritën në total 3.25 TWh, nga të cilat 1.8 TWh u importuan nga OSSH për mbulimin e humbjeve të energjisë, me një kosto prej 113.1 ME dhe 1.45 TWh u importuan nga KESH-i për mbulimin e nevojave të vendit për EE, me një kosto prej 87.6 ME. Në përputhje me Metodologjinë e caktimit të çmimeve dhe tarifave të energjisë, të gjitha diferencat financiare në të ardhura dhe shpenzime ndërmjet faktit të realizuar gjatë vitit ushtrimor dhe atyre të parashikuara sipas çmimeve dhe tarifave të vendosura nga ERE mbartën si kosto për vlerësimin e çmimeve dhe tarifave për vitin pasardhës.

Duke qenë kështu, Metodologjia e përjashton mundësinë e krijimit të “dëmit ekonomik” të subjekteve për shkak të vendosjes së çmimeve dhe tarifave nga ERE, sepse “dëmi” i shkaktuar nga kushtet e ndryshme faktike të vitit ushtrimor, kundrejt atyre të parashikuara nga ERE, merret parasysh si kosto në tarifën e vitit pasardhës dhe në këtë mënyrë realizohet automatikisht edhe kompensimi i “dëmit”.

***
KESH-i në aplikimin për çmime dhe tarifa për vitin 2011 kërkoi një rritje çmimi prej 95%, ose një rritje nga 2.02 lekë/kWh, që ishte në vitin 2010, në 3.97 lekë/kWh për vitin 2011. Kjo rritje argumentohej me faktin se KESH-i kishte planifikuar të prodhonte me TEC-in e Vlorës gjatë vitit 2011 një sasi energjie prej 246 GWh, për realizimin e së cilës duhej të blinte në treg rreth 50 mijë tonë naftë-diesel të cilësisë së lartë. Por, nëse ERE çmimin e energjisë për vitin 2010 e rriti nga 1.6 në 2.02 lekë/kah, arsyeja kryesore ishte se do të vihej në shfrytëzim TEC-i i Vlorës për të prodhuar 200 GWh energji në përputhje me kërkesat e kushteve të garancisë, të vendosura nga kompania ndërtuese e TECit.

Duke marrë parasysh këtë fakt, ERE vlerësoi se me këtë rritje çmimi deri në 2.02 lekë/kWh, KESH-it i mundësohej edhe blerja me çmimet e tregut të sasisë së nevojshme të naftës diesel prej 43439 tonësh, me vlerë 3.1 miliardë lekë, e cila përfaqësonte një kosto të rëndësishme financiare në shpenzimet e parashikuara. ERE e miratoi këtë kërkesë të KESH-it se bëhej fjalë për garancinë teknike të TEC-it.

Në rast se nuk do të merrej në konsideratë kjo kosto, atëherë çmimi i EE për vitin 2010 do të kishte rezultuar 1.45 lekë/kWh. Por, gjatë vitit 2010, për arsye teknike, KESHi prodhoi me TEC-in e Vlorës vetëm 28.7 GWh, nga 200 GWh të parashikuara dhe për të cilat ishte blerë 43439 tonë naftë diesel. Duke qenë kështu, nga TEC-i u shpenzuan gjatë vitit 2010 vetëm rreth 6200 tonë naftë diesel.

Duke qenë se KESH-i e kishte gjendje apo të kontraktuar naftën diesel për prodhimin e energjisë së nevojshme sipas kushteve të garancisë së TEC-it, sepse ajo iu garantua KESH-it nga ERE nëpërmjet çmimit të energjisë për KESH-in për vitin 2010, në vleftën 2.02 lekë/kWh, ERE e refuzoi kërkesën e KESH-it në aplikimin e këtij të fundit për çmime e tarifa për vitin 2011. ERE nuk mund të pajtohej kurrsesi me kërkesën që KESH-i të importonte edhe rreth 50 mijë tonë të tjera naftë diesel, me justifikimin se gjatë vitit 2011 kishte planifikuar të prodhonte 246 GWh. Nga analiza e kësaj situate, ERE i njohu KESH-it vetëm shpenzimet për prodhimin me TEC-in e Vlorës, vetëm 26GWh energji, ose aq sa ai kishte shpenzuar gjatë vitit 2010 për vënien në punë të TECit, por që për arsye teknike nuk mundi të plotësonte prodhimin e të gjithë energjisë së kërkuar për garancinë teknike. Duhet të theksojmë se kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës rezultonte rreth 21 lekë/kWh në një kohë që kostoja mesatare e importit të energjisë për atë periudhë rezultonte jo më shumë se 9lek/kWh. Në këto kushte, ERE nuk mund të pranonte futjen në punë të TEC-it të Vlorës për asnjë arsye tjetër veçse për respektimin e kushteve të garancisë teknike nga ana e ndërtuesit.

***
Sikurse është theksuar më sipër, kushtet hidrologjike për vitin 2011 ishin krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 2010. Për efekt të këtyre ndryshimeve, që mund t’i quanim dramatike, mbasi prodhimi i energjisë ra me 47%, konsumi u rrit me 5% dhe importi total u rrit me 70%. Çmimi i vendosur nga ERE sipas Metodologjisë përkatëse prej 1.48 lekë/kWh për KESH-in nuk mund t’i mbulonte këto kosto faktike në rritje të theksuar.

Është kjo arsyeja që këto kosto të pambuluara nga çmimi 1.48 lekë/kWh për vitin 2011, në përputhje me Metodologjinë e çmimeve dhe tarifave u transferuan si shpenzime në vlerësimin e çmimit të energjisë për KESH-in për vitin 2012, duke kompensuar në këtë mënyrë, automatikisht, “dëmin financiar” të shkaktuar KESH-it nga tarifa 1.48 lekë/kWh e vitit 2011.

Vendimi i Bordit të Komisionerëve të ERE-s, i dhjetorit 2011, për çmimet dhe tarifat e vitit 2012, sipas të cilit çmimi i shitjes së energjisë nga KESH-i te OSSH, ose sikurse quhet çmimi i furnizuesit publik me shumicë u vendos në 2.86 lekë/kWh, duke kompensuar në këtë mënyrë për llogari të KESH-it të gjitha kostot e tepërta të krijuara nga viti i mëparshëm.

***
Qeveria, si pronare e korporatës shtetërore KESH, duke marrë në konsideratë pretendimin e KESH-it për një rritje të çmimit të energjisë në masën 95% për vitin 2011, nuk u pajtua me vendimin e ERE-s të 7 dhjetorit 2010 dhe i kërkoi KESH-it që të paraqiste konform procedurave përkatëse, ankimim në ERE për ndryshimin e çmimit. Bordi i Komisionerëve të ERE-s, pasi shqyrtoi ankimimin, nuk gjeti asnjë argument të ri që të përligjte ndryshimin e çmimit dhe prandaj la në fuqi çmimin e miratuar në dhjetor 2010. Duhet theksuar se të dyja vendimet u votuan në unanimitet nga të 5 anëtarët e Bordit.

Pas këtij vendimi, KESH-i me kërkesë të Qeverisë e paditi EREn në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për të rrëzuar vendimin e ERE-s. Mbasi e shqyrtoi padinë, gjykata la në fuqi vendimin e ERE-s. Pas kësaj, KESH-i e apeloi këtë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, e cila me vendim të formës së prerë la gjithashtu në fuqi vendimin e ERE-s.

Në klimën e këtij ballafaqimi mosbesimi nga ana e Qeverisë ndaj Bordit të Komisionerëve dhe veçanërisht ndaj meje, në mënyrë të personalizuar, në datën 7 shkurt 2011 i paraqita zyrtarisht kryetares së Kuvendit, zonjës Topalli, dorëheqjen e pakthyeshme.

Shpreh keqardhjen që nga disa personalitete politike të opozitës së sotme parlamentare, deklarohet në mënyrë të pavërtetë, sikur unë jam ndëshkuar nga Qeveria duke u shkarkuar nga detyra. Por shkarkimi im, sikurse edhe emërimi, sipas ligjit, mund të kryhej vetëm me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe me votim në seancë plenare, gjë që nuk ka ndodhur kurrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura